Foto: Atdhe Mulla

2,500 Euro Gjobë për Kandidatin e Koalicionit LDK-AKR

Për shkak të vendosjes së posterëve të Vesel Makollit, në afërsi të vend votimit gjatë heshtjes zgjedhore, në seancën e panelit të mbajtur më 14 qershor 2017, PZAP pranoi si të bazuar ankesën e BIRN dhe Internews Kosova.

Koalicionit LDK-AKR iu shqiptua dënimi me gjobë në vlerë prej 2 mijë e 500 euro, të cilin dënim ky subjekt politik detyrohet ta paguaj brenda 15 ditëve.

BIRN dhe I/KS në ankesën e deponuar në PZAP, pretendoi se gjatë monitorimit të procesit të votimit ka vërejtur parregullsi, të cilat janë evidentuar duke i bashkangjitur si dëshmi edhe një CD ankesës së dorëzuar në PZAP.

Më 11 qershor 2017, në qendrën e votimit, në afërsi të shkollës “Shkëndija” në Hajvali, kandidati për deputet, Vesel Makolli, nga koalicioni LDK-AKR-ALTERNATIVA, ka pasur poster të ngjitur në distancë më të vogël se 100 metra nga Qendra  Votimit.

Nga këto veprime, parashtruesi i ankesës, Zyra Ligjore e BIRN dhe I/KS ka pretenduar se është shkelur Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Zyra Ligjore e BIRN dhe I/KS, ka deponuar 37 ankesa në PZAP, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

PZAP, ka gjetur shkelje dhe ka shqiptuar dënime për disa prej subjekteve politike.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, më 8 qershor, mori vendim me të cilin e pranoi si të bazuar ankesën e BIRN dhe Internews Kosova, duke i shqiptuar Listës Serbe gjobë në vlerë prej 25 mijë eurove.

Gjobitet Lista Serbe nga Ankesa e BIRN dhe Internews Kosova