Qëndrimi i kandidatit të AKR-së për Termocentralin 'Kosova e Re'

Zëvendësministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, i cili njëherësh është kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së, në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se nëse merr mandat me 6 tetor do të vazhdojë të jetë deputet.

Makolli ndër të tjerash ka folur edhe për kauzën që do ta shtyjë përpara në rast se do të bëhet deputet.

“Jo veç e imja por ma merr mendja që kauzë e çdo deputeti është që t`i shtyjmë përpara proceset e mbetura, të stagnuara në Kosovë, sidomos ato të cilat na mundësojnë një prosperitet, një organizim në organizatat relevante botërore si dhe drejt Bashkimit Evropian, aty ku e kanë vendin shqiptarët historikisht”, ka thënë ai.

Kandidati për deputet është zotuar se nuk do ta ndërrojë partinë.

“S’ma merr mendja që ko me pas gjasa, meqenëse ne jemi parti liberale, demokratike dhe ne gjithmonë konsultohemi kur e marrim një qëndrim”, është përgjigjur ai.

Kandidati i AKR-së, ka theksuar se është për drejtësi, për barazi, sidomos mes dy gjinive.

Makolli në intervistën për KALLXO.com ka treguar se çfarë duhet bërë për përmirësimin e ambientit dhe ajrit të ndotur në Kosovë.

“Po ne e dimë të gjithë që kush çka dhe kush e ndot ajrin. Duhet ndërmarrim masa që ata ndotësit e ajrit të jenë të kufizuar. Më duket që është punuar mjaft në termocentralet e Obiliqit. Duhet filterat gjithmonë me qenë në funksion se shpeshherë s’kanë qenë në funksion. Pastaj është rasti i automjeteve. Duhet me marr masa automjetet të jenë me standarde evropiane”, ka shtuar ai.

Zëvendësministri në detyrë që synon të bëhet deputet, thotë se nuk është kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë.

Kurse, i njëjti ka folur edhe për bartjen e shamive në shkolla.

“Jam kundër asaj mbulesës, burka, si quhet ajo. Jam kundër asaj, është e pakuptimtë. Po kjo shamia që është normal, nuk jam kundër”, theksoi ai.

Makolli është zotuar se do t’i bëjë publike fondet e partisë së tij AKR-së dhe se do të jetë transparent nëse do të jetë i angazhuar në Kuvend ose ministri.

Makolli duke folur për Termocentralin “Kosova e Re”,  ka theksuar se do të ishte për ndërtim të ndërtohet një prodhues energjie, që s’do të varej nga përdorimi i qymyrit, duke shtuar se është kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, si dhe përdorimit të plastikës.

Ai ndër të tjerash thotë se është për shitjen e Telekomit të Kosovës, por se me 51 për qind të jetë nën qeverisjen shtetërore.

Makolli thotë se është kundër ndërtimit të një autostrade që lidh rajonin e Dukagjinit.

“Autostrada si autostradë kushton shumë shtrenjtë, por ndoshta një rrugë me katër korsi kishte me kry punë. Rruga me katër korsi e kryen funksionin në komunikacion të autostradës, por nuk ka shpenzime si autostrada. Edhe kjo është një zgjidhje. Jam për rrugë se rrugët janë që lidhin qytetet dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik, por jo për rrugë megalomane”, është përgjigjur Makolli në pyetjet e KALLXO.com.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e Aleanca Kosova e Re (AKR), Vesel Makolli:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Vesel Makolli: Jo veç e imja por ma merr mendja që kauzë e çdo deputeti është që ti shtyjmë përpara proceset e mbetura, të stagnuara në Kosovë, sidomos ato të cilat na mundësojnë një prosperitet, një organizim në organizatat relevante botërore si dhe drejt Bashkimit Evropian, aty ku e kanë vendin shqiptarët historikisht.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Vesel Makolli: Jo, unë ko me vazhdu me qenë deputet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Vesel Makolli: Kosova është një udhëkryq si më thanë, nuk ka zhvillim ekonomik të duhur. Për me kriju vende të reja të punës, për me ndalë eksodin e rinisë që janë tuj shku jashtë dhe për t’ua krijuar një prosperitet  rinisë, duhet të një zhvillim ekonomik. Një zhvillim ekonomik i cili kishte me qenë diku 8 për qind vjetor, kishte me kriju vende të reja të punës që rinia prosperitet dhe ta fillojnë këtu jetën e jo të mendojnë për jashtë. Andej krejt kjo bëhet me zhvillim ekonomik, me një thithje të investimeve nga jashtë.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Vesel Makolli:  Një prej tyre kishte me qenë ajo pjesa sociale. Dy të tjerat me ju kriju kushte invesitorëve, me ua kriju një infrastrukturë ligjor që ata me qenë sigurt për me investu te ne dhe të cilat kishin me ndiku na zhvillimin ekonomik të vendit, i cili është shumë parësor.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Vesel Makolli: Unë vij prej kryeqytetit, këtu edhe jam rritë në Prishtinë. Prishtina ka shumë probleme. Këto probleme ia kemi kriju na. Qe 20 vjet të çlirimit, Prishtina është ngulfatur nga shumë probleme sidomos nga mdndërtimet, ndërtimet edhe pa leje, por edhe me leje, ku nuk janë respektuar normat urbanistike ashtu që në disa lagje është krijuar një atmosferë që është vështirë edhe me jetu aty pa parkingje, pa gjelbërime. Kështu që kisha me i dhanë rëndësi në qytet me u bo një plan urbanistik me u hap rrugë të reja. Komunikacioni është ngulfatur. Do të thotë me ju përmirësu jeta e qytetarëve të kryeqytetit, pastaj ambientit. Ne e dimë që Prishtina sidomos në atë pjesën e nëntorit, dhjetorit e ka ajrin shumë të ndotur. Të ndërmerren masat edhe në atë drejtim. Edhe të përmirësohen kushtet tjera, shërbimet publike që duhet me qenë në nivel të kryeqytetit.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Vesel Makolli: Jo, jo. Nuk ka gjasa. Ajo lojë që po bëhet, mendoj që edhe votuesi duhet ti ketë parasysh ata njerëz që i ndërrojnë partitë.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Vesel Makolli: S’ma merr mendja që ko me pas gjasa, meqenëse ne jemi parti liberale, demokratike dhe ne gjithmonë konsultohemi kur e marrim një qëndrim.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Vesel Makolli: Unë zakonisht e përkrahi gjininë femërore. Po edhe çdo grup tjetër, unë jam për drejtësi, për barazi, sidomos mes gjinive.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Vesel Makolli: Tash këtu duhet me qenë së pari specialist i asaj lëmie për me fol në detaje. Po ne e dimë të gjithë që kush çka dhe kush e ndot ajrin. Duhet ndërmarrim masa që ata ndotësit e ajrit të jenë të kufizuar. Më duket që është punuar mjaft në termocentralet e Obiliqit. Duhet filterat gjithmonë me qenë në funksion se shpeshherë s’kanë qenë në funksion. Pastaj është rasti i automjeteve. Duhet me marr masa automjetet të jenë me standarde evropiane.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Vesel Makolli: Në qoftë se kish pas mundësi me u ndërtu një prodhues energjie, jo me qymyr, në tjetër mënyrë, këtu te na, kisha me qenë për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Vesel Makolli: Kundër djegies së qymyrit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Vesel Makolli: Edhe aty kundër përdorimit, por gjithmonë duhet t’i gjendet zgjidhja.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Vesel Makolli: unë jam për shitjen, por 51 për qind, domethënë shumicën me pas shteti.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Vesel Makolli: Autostrada si autostradë kushton shumë shtrenjtë, por ndoshta një rrugë me katër korsi kishte me kry punë. Rruga me katër korsi e kryen funksionin në komunikacion të autostradës, por nuk ka shpenzime si autostrada. Edhe kjo është një zgjidhje. Jam për rrugë se rrugët janë që lidhin qytetet dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik por jo për rrugë megalomane.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Vesel Makolli:  Jam kundër shkëmbimit të territoreve. Ne mjaft kemi dhënë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Vesel Makolli: Po kjo duhet të analizohet. Tarifa si tarifë nuk përkon me tregun e lirë, por Serbian në tjetrën anë na ka bërë ne shumë dëme. Kështu që kjo ka qenë si kundërveprim ndaj gjithë atyre negativiteteve që i ka bo Serbia ndaj nesh. Prandaj edhe këtu në qoftë se vjen te heqja e taksës ne duhet me pas një siguri që Serbia të mos bën kampanjë kundër neve.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Vesel Makolli: Hidrocentralet duhet të ndërtohen, por duhet të shikohet që të ruhet ambienti.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Vesel Makolli: Në kohën time ka qenë një universitet në Prishtinë për krejt Kosovën, por ka pas kualitet. Universitete në çdo qytet është pak jo e natyrshme ma merr mendja se nuk kemi na kualitet për të gjitha këto universitete. Duhet të shikohet ku ka kuadro të mirëfilltë, ku qesin kualitet okej. Por ne kemi shumë raste kur nga këto universitete dalin mos të thom analfabeta modern që unë i quaj, por dalin njerëz që nuk janë ekspertë të asaj lëmie ku e merr  diplomën, atëherë nuk është në rregull. Sepse tregu i punës lyp njerëz që janë kualitet të asaj lëmie.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Vesel Makolli: Kundër monopolit normalisht.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Vesel Makolli: Jo nuk jam kundër. Gjithkush vendos në mënyrën e vet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Vesel Makolli: Jam kundër asaj mbulesës, burka, si quhet ajo. Jam kundër asaj, është e pakuptimtë. Po kjo shamia që është normal, nuk jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Vesel Makolli: Jam me u përfaqësu diaspora, por duhet shikuar çfarë forme.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Vesel Makolli: Normal që ka gabime aty, munden me ndodhë gabime. Po ato gabime kanë bërë shumë dëm të madh. 60 mijë veteranë është pak e pakuptimtë, për mendimin tim, është pak shifër e fryrë. Kjo duhet sa më shpejt të rregullohet të mos devalvohet ajo lufta e shenjtë e UÇK-së. Jam për, normal dhe nga ajo skenë të largohen  të gjithë ata që nuk e meritojnë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Vesel Makolli: Diasporës duhet t’i mundësohet çdo benificion. Po [jam për heqjen].

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Vesel Makolli: Unë vet, fëmijët e mi dhe disa miq.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Vesel Makolli:  Jo, vetëm një vend pune e kam zëvendësministër. Po, po vetëm deputet. Jam kundër atyre që kanë shumë vende pune. Unë jam kundër edhe atyre profesorëve, nëse janë deputet, me qenë profesor.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Vesel Makolli: Të hyrat mujore unë e kam këtë rrogë, 1 mijë e afër 100 euro është, jam asamblist është 200 euro. Në atë moment që bëhem deputet, largohem nga asambleja. Gruaja nuk punon. E kam një banesë baba që ma ka lënë dhe e kam një pllac që e kam ble para 10 vjetëve në Bërnicë por s’kam ndërtu kurrgjë. S’kam kurrgjë tjetër sen.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Vesel Makolli: Pasurinë mbi vete, këtë banesë që ma ka lan baba e kam bashkërisht me vëllezër. Por kur ta qes, do ta qes bashkërisht me gruan. Jemi në procedurë, ne jemi më shumë vëllezër jemi në procedurë të ndarjes edhe në atë moment që kryhet kjo ko me qenë pasuria edhe e imja edhe  e gruas time që e dua shumë.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Vesel Makolli: Jo, publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Vesel Makolli: Në publik, ne duhet me dhënë shembull, duhet me punu me u përmirësu kushtet në spitalin publik edhe aty duhet me dhënë shembull ne me shku në publik.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Vesel Makolli: Publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Vesel Makolli:  e kam pa punë gruan, por ajo i ka vjet s’ka shanse me u punësu dhe tjerë nuk ka të papunë.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Vesel Makolli: Minierat janë problem në ton botën. Trepça është minierë që ndër tokë nxirret xehja. Tash minierat që janë në Afrikë që janë xehet mbi tokë kanë ndikuar që të bjen shitja e prodhimeve të Trepcës, se nxirren  ndër tokë. Andaj këto janë ato anët e ekonomisë të cilat duhet të studiohen mirë edhe të merret qëndrim që me u funksionalizu po çfarë forme sepse nevojiten mjete të mëdha e ato shteti jonë nuk i ka.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Vesel Makolli: E kushtëzoj kur është interesi i shtetit, jo interesi jem. Thash, i madhi Ahmet Zogu, mbreti jonë e ka pas moton “Atdheu mbi të gjitha”, krijuesi i shtetit modern shqiptar.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Vesel Makolli: ma merr menja që ko me qenë aktiv në çdo lëmi, me punu. Deputeti duhet një muaj ditë me punu për një mbledhje që e mban. Duhet me u përgatit edhe më dhënë kontribut. Unë për shembull jam ekspert i komunikacionit, mundem aty me jep kontribut mjaft. Muj me dhanë në tjera lëmi ku kam njohuri. Prandaj të gjithë duhet angazhohen sidomos në ato lëmi që i kanë të specializuara, të punoj që me lanë gjurmë.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Vesel Makolli: Varet tash temat. Ndoshta bëhen 20, 30 ndoshta edhe më shumë. Varet tash prej situatës.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Vesel Makolli: Brenda një viti nëse janë 200 e diçka ditë pune, diku ndoshta me i mbajt 50 takime me qytetarë.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Vesel Makolli: Makinat ma merr menja më të vjetra se 10 vjet nuk ish dashtë me u leju.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Vesel Makolli: Prapë po them prej situatës, prej problematikës që lajmërohet. Kur ka nevojë kisha me kërku, çdo herë kur ka nevojë. 

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Vesel Makolli: Po gjithsesi.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Vesel Makolli: Gjithsesi.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Vesel Makolli: Jo.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Vesel Makolli: Maksimumi dy.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Vesel Makolli: Jo, jo, kurrsesi.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Vesel Makolli: Po.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Vesel Makolli: Po, po. Transparencën në rend të parë.