100 Mijë Euro për Disa Rrugica në Klinë

Gjendja e këtyre rrugicave ishte shumë e rëndë, ndërsa për rehabilitimin dhe asfaltimin e tyre Baki Gashi, drejtor i Urbanizmit në Klinë thotë se janë ndarë 100 mijë euro nga buxheti komunal.

“Në ketë vit Komuna e Klinës ka ndarë një shumë prej 100 eurosh për rehabilitimin e disa rrugëve në qytet. Njëra nga to do të jetë rruga te çerdhja e fëmijëve në fazën e parë, ndërsa rruga te palestra do të jetë në fazën e dytë, sepse aty jemi duke e shikuar mundësinë e rregullimit të rrugës simbas planit rregullativ urban,” tha Gashi.

Gashi shprehet i bindur se punët në të gjitha rrugicat në gjendje kritike në atë pjesë do të jenë të përfunduara brenda muajit qershor.

“Besoj që brenda muajit qershor do të jenë të gjitha rrugët e përfunduara, në bazë të planit tonë dinamik që e kemi paraparë,” tregoi Gashi.

Enver Berisha, nënkryetar i Komunës së Klinës tha se më herët nuk është ndërhyrë për rregullimin e rrugëve në këtë zonë, ngase sipas tij kanë qenë duke u ndërtuar disa objekte.

“E para është se për dijeninë tuaj dhe të gjithë qytetarëve aty ka qenë duke u punuar. Fillimisht ka qenë duke u punuar në një objekt të ndërtimit të lartë dhe mandej ka vazhduar puna në çerdhen e fëmijëve. Për fat të mirë tash këto dy projekte kanë përfunduar dhe është shumë normale të bëhet edhe asfaltimi i asaj rrugice (të çerdhes) aty,” tha Berisha.

Berisha tregoi se fillimi i punimeve për rregullimin e rrugicave në fjalë është vetëm çështje ditësh.