Studimi - Forma e mirë fizike mund ta zvogëlojë rrezikun e kancerit të prostatës me 35%

Një rritje në nivelet kardiorespiratore prej 3% çdo vit rezulton të jetë e dobishme, sugjeron hulumtimi suedez.

Burrat mund ta zvogëlojnë rrezikun e kancerit të prostatës deri në 35% duke bërë pak më shumë vrapim, çiklizëm ose not, sugjeron një studim.

Rritja e aftësisë kardiorespiratore me vetëm 3% gjatë një viti lidhet me një shans shumë më të ulët të zhvillimit të sëmundjes. Gjetjet i kanë shtyrë studiuesit t’i inkurajojnë burrat t’i rrisin nivelet e tyre të fitnesit për të ndihmuar në uljen e rrezikut të kancerit të prostatës.

“Sa më intensiv aktiviteti, aq më e ulët është kërkesa për kohëzgjatje dhe frekuencë”- thotë bashkëautorja e studimit Dr Kate Bolam, e Shkollës Suedeze të Shkencave të Sportit dhe Shëndetit në Stokholm. “Gjithashtu, përfshirja e më shumë muskujve do të ketë sfidë më të madhe aerobike në sistemin kardiovaskular”.

“Prandaj, aktivitetet që përfshijnë pjesën e poshtme të trupit… ecje të shpejtë ose vrapim, shëtitje, aktivitete që mezi nuk jeni në gjendje të vazhdoni një bisedë gjatë kryerjes… ose që preferohet të përfshijnë edhe krahët dhe këmbët rekomandohen për efekt më të rëndësishëm.

“Mashtrimi është ta sfidoni rregullisht sistemin tuaj kardiovaskular, në mënyrë që të përmirësohet për t’i përmbushur kërkesat e vendosura mbi të. Mund të jetë edhe vallëzimi në linjë nëse kjo ju rrit rrahjet e zemrës dhe argëtoheni”.

Studimi nuk përcaktoi se si dikush mund të arrijë një rritje prej 3% në aftësinë kardiorespiratore. Mirëpo Bolam thotë se këshilla e saj do të ishte “të mendoni për aktivitete që mendoni se janë të këndshme që rrisin rrahjet e zemrës suaj që mund t’i shtoni në rutinën tuaj javore”.

Studimi suedez i analizoi të dhënat mbi nivelet e aktivitetit fizik, gjatësinë dhe indeksin e masës trupore (BMI) të 57,652 burrave, së bashku me informacionin mbi stilin e jetës dhe shëndetin e perceptuar, dhe rezultatet e të paktën dy testeve të fitnesit kardio-respirator.

Matjet vjetore të fitnesit kardiorespirator u shprehën me sasinë e oksigjenit që trupi përdor gjatë ushtrimeve sa më të forta të jetë e mundur. Burrat u ndanë në grupe në varësi të rritjes me 3%, duke mbetur të qëndrueshëm, ose duke rënë me 3% çdo vit.

Gjatë një periudhe mesatare prej shtatë vjetësh, studiuesit zbuluan se 592 burra ishin diagnostikuar me kancer të prostatës. Ata të cilët kanë shkuar në palestër ishin përmirësuar me 3% në vit kishin 35% më pak të ngjarë të zhvillojnë kancer në krahasim me ata të cilëve fitnesi kishte rënë.

Gjetjet e studimit të lartcekur u botuan në British Journal of Sports Medicine.

Simon Grieveson, asistent drejtor i kërkimit në Kancerin e Prostatës në Mbretërinë e Bashkuar, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, thotë se “Kjo është një pjesë interesante e hulumtimit që i shtohet studimeve të mëparshme që tregon lidhjet e mundshme midis ushtrimeve dhe një probabiliteti më të ulët për t’u prekur nga kanceri i prostatës”.

“Mbajtja e rregullt e formës dhe ngrënia e një diete të ekuilibruar është e mirë për shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme të çdo njeriu – megjithatë, ne nuk e dimë përfundimisht nëse aktiviteti fizik mund ta ulë rrezikun e një burri për t’u diagnostifukiar me prostatë, apo të vdesë nga kanceri i prostatës”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala