Ilaçi për trajtimin e kancereve të trashëguara do ofrohet në Shërbimin Spitalor në Angli dhe Uells

Qindra njerëz me kancer të trashëguar të gjirit ose prostatës mund të përfitojnë nga një terapi që po synohet në Shërbimin Spitalor në Angli dhe Uells, raporton BBC

Ekspertët e quajtën vendimin si “të rëndësishëm” ndërsa organi i kujdesit shëndetësor NICE deklaroi se do të “përmirësonte cilësinë e jetës”.

Ilaçi olaparib është krijuar për të trajtuar kancere specifike që lidhen me versione të gabuara të gjeneve të njohura si BRCA.

Rreth 800 persona në total do të kenë të drejtë për trajtim.

Rreth 500 burra me kancer të avancuar të prostatës dhe 300 gra me kancer të hershëm të gjirit HER2-negativ, të cilët janë në rrezik të lartë të rikthimit të sëmundjes do të jenë në gjendje të përdorin olaparib pa pagesë në shërbimin spitalor.

Ava Lee, 46 vjeç, nga Londra lindore, u diagnostikua me kancer gjiri më shumë se dy vjet më parë.

Ajo tha se kanceri e kishte kthyer jetën e saj përmbys, por qasja e hershme në olaparib pas një prove të suksesshme e kishte bërë atë të ndihej më pozitive.

“Më ka dhënë një shpresë realiste, një shans për një të ardhme pa kancer – që mund të jetoj një jetë të gjatë dhe të shëndetshme pa u rikthyer kanceri”, tha ajo.

Pas operacionit dhe radioterapisë së saj, ajo ndjeu frikë nga rikthimi i kancerit.

“Të dish se ekziston një ilaç që mund të zvogëloj mundësinë e përsëritjes dhe potencialisht të ndaloj rikthimin e tij-  isha absolutisht e dëshpëruar për ta marrë.”

Si funksionon Olaparib?

Olaparib funksionon duke bllokuar enzimën që ndihmon qelizat të riparojnë ADN-në e dëmtuar, duke parandaluar kështu rritjen dhe përhapjen e qelizave kancerogjene dhe lënë të paprekura qelizat e shëndetshme.

Andrew Tutt, profesor i onkologjisë së gjirit në Institutin e Kërkimit të Kancerit ‘King’s College’ në Londër, kreu punë të mëhershme laboratorike rreth olaparib dhe tha se vendimi për ta rekomanduar atë për përdorim nga shërbimi spiatlor ishte “emocionues”.

Ilaçi ndihmon pacientët me kancer gjiri për shkak të defekteve të trashëguara të gjeneve (BRCA1 ose BRCA2 janë më të zakonshmet), të cilat mund të testohen mjaft lehtë.

Rreth 5% e grave me kancer të gjirit bartin këto gjene të ndryshuara – aktorja Angelina Jolie është ndoshta më e njohura me rast të tillë.

“Për një grua që është diagnostikuar me kancer gjiri dhe i është thënë se ka nevojë për kimioterapi për të përmirësuar mbijetesën, ajo tani mund të ketë një vit trajtime me tableta që do të përmirësojnë më tej shanset e saj për të mbijetuar nga kanceri i gjirit “-shtoi ai.

Në Mbretërinë e Bashkuara janë 55,000 raste të reja të kancerit të gjirit çdo vit, derisa 1,500 vdesin.

Kanceri i prostatës është kanceri më i zakonshëm tek meshkujt, me 52,000 diagnoza të reja dhe 12,000 vdekje çdo vit.

Organizata bamirëse e Kancerit të Prostatës në Mbretërinë e Bashkuar tha se trajtimet e para të synuara “më në fund na largojnë nga qasja e vjetër “.

Në prova, 82.7% e njerëzve që morën olaparib pas kimioterapisë dhe operacionit ishin gjallë dhe pa kancer gjiri edhe pas katër vjetësh, krahasuar me 75.4% me ilaç të rremë.

Provat në pacientët me kancer të avancuar të prostatës treguan se ilaçi mund të rrisë jetëgjatësinë e njerëzve nëse jepet në vend të, ose si shtesë, trajtimeve standarde aktuale.