Shkencë: Inteligjenca artificiale mund ta dallojë gjininë e një personi vetëm në bazë të skanimeve të trurit

Në një qasje të re për t’i kuptuar dallimet midis trurit mashkullor dhe femëror, shkencëtarët e Universitetit Stanford e kanë përdorur inteligjencën artificiale (AI) për ta bërë përcaktimin e këtyre dallimeve delikate, shkruan revista shkencore New Scientist.

Studimet e mëparshme janë përballur me sfida, pasi burrat në përgjithësi kanë tru më të madh për shkak të madhësisë së tyre më të madhe të trupit, duke çuar në rezultate të paqëndrueshme kur krahasohen rajone specifike të trurit pa e përshtatur vëllimin total të trurit.

Pasi të korrigjoni krahasimin për madhësinë e trurit, rezultatet janë krejt të ndryshme, thotë Vinod Menon nga Universiteti Stanford.

Për ta adresuar këtë, ekipi i Menon përdori një metodë që e regjistron aktivitetin e trurit në një skaner funksional MRI dhe gjurmon ndryshimet në sinkronizimin midis rajoneve të ndryshme të trurit. Shkencëtarët zhvilluan AI, të trajnuar mbi të dhënat nga Projekti Human Connectome, i cili përfshin rreth 1000 të rinj të rritur.

Inteligjenca artificiale arriti një saktësi të pabesueshme 90 për qind në dallimin midis skanimeve të trurit mashkullor dhe femëror gjatë stërvitjes dhe në një test të veçantë. Rezultatet e këtij hulumtimi u publikuan në revistën PNAS.

Është e rëndësishme të theksohet se IA e ruajti efektivitetin e saj kur u aplikua në skanimet e trurit nga dy grupe të dhënash të ndryshme, secila e përbërë nga afërsisht 200 individë nga SHBA dhe Gjermania. Camille Williams nga Universiteti i Teksasit në Austin shpreh besimin në rezultatet e marra.

“Përsëritja e tyre në mostra që janë plotësisht të pavarura nga projekti Human Connectome më bën më të sigurt në këto rezultate”- thotë Williams.

Shkencëtarët e pranojnë nevojën për testime të mëtejshme në grupe më të mëdha të të dhënave për ta konfirmuar saktësinë e inteligjencës artificiale. Nëse konfirmohen, këto rezultate mund të kontribuojnë në kuptimin e variacioneve të lidhura me gjininë në kushtet shëndetësore dhe neurodiversitetin, si depresioni, ankthi dhe çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes.

Menon e vë theksin tek rëndësia e zhvillimit të modeleve specifike gjinore. Nëse nuk i zhvillojmë këto modele specifike për gjininë, do të na mungojnë aspektet kryesore të faktorëve që, për shembull, i dallojnë meshkujt me autizëm kundrejt meshkujve të kontrollit dhe femrat me autizëm kundrejt femrave të kontrollit, përfundon ai./New Scientist

Përgatiti: Nuhi Shala