Sa dhurohet gjak në Kosovë dhe cilat janë grupet më të rralla?

Njerëz vullnetmirë në gjithë botën dhurojnë gjak, i cili përdoret për pacientë të lënduar në aksidente, persona që marrin terapi të ndryshme apo gra pas procesit të lindjes.

Në Kosovë numri i personave që dhurojnë gjak është në rritje, sipas një deklarimi të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të gjakut (QKKTGJ).

“Numri i dhurimeve të gjakut vitin e kaluar ka qenë 29,750. Ky numër ka trend pozitiv ndër vite”- thonë nga Qendra.

Ndërsa, në Kosovë grupet më rralla të gjakut janë AB dhe B. Për këtë arsye edhe kërkesa është më e ulët për këto grupe.

“Mungesa e grupeve të caktuara të gjakut është relative, p.sh. grupet AB dhe B janë më të rralla në popullatë, mirëpo edhe kërkesat janë më të rralla (më rrallë ka pacientë me grup AB dhe B). Në anën tjetër grupe A dhe O janë shumë më të shpeshta, mirëpo kërkesat janë shumë më të mëdha” – thuhet në përgjigjen me shkrim të QKKTGJ.

Përveç grupeve të gjakut A, B, AB, O kemi edhe Rh faktorët, pozitiv ose negativ, të cilët të kombinuara formojnë 8 lloje të grupit të gjakut.

“Element tjetër me rëndësi është lloji i produktit të gjakut i cili nevojitet për pacientin (eritrocite, plazmë, trombocite, krioprecipitat etj”- thuhet më tej nga kjo Qendër.

Sipas QKKTGJ-së, mungesat e grupeve të caktuara të gjakut paraqiten kur ka kërkesa për numër të madh dozash të një grupi të caktuar të gjakut (p.sh. një pacient me politraumë), me ç’rast mund të shterren rezervat e një grupi të gjakut nga një pacient i vetëm.

Eksporti apo importi i gjakut është i ndaluar më ligj në Kosovë. Përjashtim bëjnë rastet e fatkeqësive ku duhet leje nga Ministria e Shëndetësisë.

“Eksporti apo importi i gjakut apo përbërësve të gjakut sipas legjislacionit lejohet vetëm në raste të veçanta si: fatkeqësitë natyrore dhe gjendjet e tjera të jashtëzakonshme, ose në rastet e tjera kur bëhet fjalë për nevoja emergjente të arsyeshme nga ana mjekësore dhe atë me leje të veçantë nga Ministri i Shëndetësisë”- potencon QKKTGJ.

Sipas redcrossblood procesi i trajtimit të gjakut pas dhurimit kalon nëpër disa procedura duke i ndarë në qeliza të kuqe, trombocite dhe plazmë.

Të gjitha këto komponente kanë jetëgjatësi të ndryshme: Qelizat e kuqe mbahen në temperaturë deri në 6 gradë Celsius dhe mund të zgjasin deri në 42 ditë; Trombocitet deri në 5 ditë dhe plazma e cila në gjendje të ngrirë zgjat deri në një vit.

Për vetë faktin se gjaku duhet të ruhet në temperaturë të ftohtë e bën të vështirë edhe importin apo eksportin, përpos në rastet e jashtëzakonshme.