Dr. Mentor Spahiu - Endokrinolog

Sindroma e vezoreve policistike - PCOS dhe trajtimi

Këshilla nga mjeku Endokrinolog, Dr. Mentor Spahiu.

Çfarë është sindroma e vezoreve policistike, zbulimi dhe trajtimi i tyre, sa për qind e grave dhe vajzave mund të preken nga kjo sindromë dhe cilat janë simptomat apo pasojat për të prekurit nga kjo sindromë, shkruan Dr. Mentor Spahiu – Endrokrinolog.

Çka është Sindroma e vezoreve policistike?

Sindroma e vezoreve policistike ose e njohur me shkurtesën PCOS (Polycystic Ovarian Syndrome) është gjendje e lindur shumë e shpeshtë endokrinologjike që karakterizohet me një prodhim të shtuar të hormoneve mashkullore (androgjeneve) nga vezoret e një femre, e tek të cilat normalisht janë prezente në vlera të ulëta. Mendohet se diku rreth 8-13% e femrave janë të prekura me këtë gjendje, kurse sipas një kalkulimi në Republikën e Kosovës ky numër mund të sillet 45,000 deri në 50,000 femra.

Gjithashtu bazuar në një studim Australian mendohet se diku rreth 70% e femrave me PCOS mbesin të padiagnostifikuara gjatë jetës.

 Prej nga vjen termi vezore policistike?

Emërtimi sindromë e vezoreve policistike rrjedhë nga dukja karakteristike e vezoreve nën ultratingull gjinekologjik ku shihet një numër i shtuar i cistave të vogla (qeska të vogla të mbushura me lëng) në vezore. Këto janë në fakt qeliza vezë që nuk janë pjekur deri në fund dhe i japin dukjen karakteristike.

Cili është shkaktari i vezoreve policistike?

Shkaku i saktë që çon deri te zhvillimi i PCOS nuk është deri në fund i ditur por më se shpeshti mendohet se është i lidhur me një gjendje që në mjekësi quhet rezistencë insulinike. Rezistenca insulinike thënë thjeshtë është pamundësia e organizmit të shfrytëzojë sa duhet hormonin e quajtur Insulinë, hormon ky që prodhohet nga një organ që quhet pankreas kur ne konsumojmë karbohidrate (sheqerëra). Ndikimi i veprimit të insulinës në vezoret e një femre ka për pasojë rritjen e prodhimit të hormoneve mashkullore, që pastaj çon në zhvillimin e shenjave të kësaj gjendje.

Cila femër është më e rrezikuar nga kjo gjendje?

Nga kjo gjendje më të prekura janë femrat që vuajnë nga mbipesha, sepse mbipesha rritë prodhimin e insulinës dhe i përkeqëson simptomat e PCOS. Mirëpo edhe ato me peshë normale nuk janë të kursyera.

Nëse keni çrregullim të ciklit menstrual, keni në familje dikë me sëmundje të sheqerit, nëna ose motra vuajnë nga PCOS atëherë gjasat janë më të mëdha që edhe ju të vuani nga kjo gjendje.

Si paraqitet PCOS?

Kjo gjendje lajmërohet në adoleshencë (vajzat e reja) me shenjat si:

  1. Çrregullim i ciklit menstrual, mungesë e ciklit menstrual ose cikël menstrual i pakët, por duhet cekur që në 30% të rasteve femra me PCOS mund të ketë cikël të rregullt menstrual
  2. Paraqitja e akneve në fytyrë por edhe në trup si dhe lëkura është më e yndyrshme
  3. Shtim i qimeve në fytyrë, gjoks, regjionin e barkut dhe shpinës
  4. Shtim në peshë sidomos rreth barkut dhe vështirësi për të humbur peshë.
  5. Paraqitje të leqeve (shenjave) me ngjyrë kafe më të mbyllët në lëkurë zakonisht rreth qafës ose rreth nënsqetullave dhe ijeve.
  6. Rënie e flokëve ose hollim i flokëve
  7. Luhatje të disponimit
  8. Çrregullim i gjumit i tipit të sleep apnea (ndalja e frymëmarrjes në gjumë) si dhe kërritje në gjumë.
  9. Vështirësi ose pamundësi të arritjes së shtatzënësisë në mënyrë spontane

Si diagnostifikohet PCOS?

Diagnostifikimi i PCOS bëhet në bazë të historisë së sëmundjes dhe shenjave klinike që përcillen me ekzaminime shtesë si laboratorike ashtu dhe ekzaminim ultrasonografik të vezoreve.

Zakonisht mjeku i parë që drejtohen pacientet është gjinekologu për shkak të ciklit menstrual të çrregullt, ose tek mjeku i lëkurës për shkak të akneve në fytyrë dhe trup, apo shtimit të qimeve të zeza në fytyrë dhe trup, a kjo gjendje faktikisht është çështje endokrinologjike.

Si trajtohet PCOS?

Trajtimi i PCOS varet nga shenjat e shfaqura, po ashtu trajtimi dallon nga mosha, sepse ka dallim nëse flasim për një vajzë të re e cila e ka primare çështjen e dukjes dhe ka dallim një femër që planifikon shtatzani, por e përbashkëta e të dy grupmoshave është themeli i trajtimit e që është korrigjimi i stilit të të jetuarit.

Kur flasim për stilin e jetesës mendohet për mënyrën e të ushqyerit dhe aktivitetin fizik. Rregullimi i stilit të jetesës nënkupton zvogëlimin e konsumimit të karbohidrateve ose sheqernave në dietën e një paciente e që do të thotë ndalohet konsumi i ëmbëlsirave, çokollatave, lëngjeve, lëngjeve të gazuara, pijeve energjike, por më kryesorja është përdorimi i zvogëluar i produkteve ushqimore që përmbajnë sasi të larta të karbohidrateve, siç janë gatimet e miellit, misrit, patates dhe orizit që në menynë tonë janë të përditshme. Këtyre ndryshimeve duhet t`i shtohet edhe rritja e aktivitetit fizik si pjesë themelore e trajtimit.

Sa i përket trajtimit me medikamente, tek vajzat e reja varet nga rezultatet laboratorike, por në princip jepen medikamente që e ulin rezistencën insulinike. Gjithashtu në rastet e akneve dhe qimeve të shtuara jepen medikamente përkatëse ndërsa në raste të caktuara edhe kontraceptiv oral kur ka çrregullim të theksuar të ciklit.

Trajtimi te femrat që planifikojnë shtatzani ka specifikat e veta dhe kjo bëhet në bashkëpunim me gjinekologun.

Cilat janë pasojat e PCOS të patrajtuar?

PCOS përveç probleme të lartpërmendura, në periudha afatgjate mund të japë komplikime si zhvillimi i sëmundjes së sheqerit ose diabetit në dekadën e III ose IV të jetës, probleme me zemër dhe enë gjaku si dhe çrregullime në mitër.

Sfidë në vete është edhe të jetuarit me PCOS që kërkon vullnet dhe motiv nga vajza/femra që ballafaqohet me çrregullim të ciklit menstrual, me përpjekje për mos shtim peshe, vështirësi në humbje të peshës, me rritje të qimeve në vendet e padëshiruara si fytyrë dhe trup dhe me akne.

Të gjitha këto mund të menaxhohen nëse ka bashkëpunim të sinqertë në mes të mjekut endokrinlog dhe pacientes, sepse mjeku nuk është vetëm për të shpjeguar shenjat e gjendjes dhe përshkrimit të terapisë por edhe këshillimit dhe motivimit të vazhdueshëm të pacientes sepse kjo është një rrugë e gjatë.