Greva e Arsimtareve - Shkolla -Elena Gjika - SBAShK - 15.01.2019

SBAShK: Greva e mësimdhënësve do të vazhdojë

 

Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë ka vizituar grevistët në shkollën fillore e të mesme të ulët “Elena Gjika” në Prishtinë.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se janë të lumtur që grevës i është bashkuar edhe shkolla “Elena Gjika” në kryeqytet dhe se greva ka rezultuar e suksesshme 100 për qind.

“Lajmi më i mire dje ishte nga shkolla juaj me një emër të madh. Ju e dëshmuat që jemi bashkë në SBAShK. Dikush deshi të ju nxjerr jashtë përpjekjeve të përbashkëta. Nga maji e këndej nuk kemi lënë derë pa trokitur. Kërkesat tona janë legjitime dhe të drejta, edhe ata po e pranojnë këtë. Na keni dhënë një forcë të veçantë ju shkolla Elena Gjika”, tha ai.

Jasharaj shtoi se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të mësimdhënësve.

“Arsimi është i diskriminuar. Dikush deshi me qëllim ta degradojë sistemin arsimor duke e vene në pozitë nënçmuese në ligjin e pagave. Nuk kemi kërkuar as më pak dhe as më shumë nga ta tjerët. Po ju betohem se greva do të vazhdojë deri në përfilljen e kërkesave tona. Zërin tuaj do ta mbrojmë dhe nuk do të ketë kthim prapa. Sa do të zgjasë greva nuk varet nga ne, por nga institucionet pasi duhet vullneti i tyre korrekt”, theksoi ai.

Ndërkaq, nënkryetarja e BSPK-së, Arjeta Lokaj tha se do të qëndrojnë prapa kërkesave të SBAShK-ut.

“Më  vjen mirë që i jeni bashkëngjitur rrugës së  kërkesave të punëtorëve të arsimit. Të drejtat tuaja duhet të avancohen dhe të eliminohet hendeku mes balancimit të pagave qe është krijuar. Këto përpjekje nuk kanë nisur sot. Është e drejtë vitale e juaja. Tash është koha kur si qytetarë të bëjmë përpjekje më të mëdha për ju dhe sakrificën tuaj. BSPK qëndron prapa kërkesave dhe qëndrimeve të SBAShK-ut”, tha ajo.

 

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me grevën në arsim mund t`i lexoni duke klikuar në LINK