Foto: KALLXO.coom

Arban Abrashi ende shpreson në 'marrjen' e Prishtinës

Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale u është kthyer përsëri temave të kryeqytetit.

Arban Abrashi, që sot është deputet i Kuvendit të Kosovës, përmes një konferencë për media ka kritikuar Komunën e Prishtinës që po udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Abrashi që në zgjedhjet e fundit kishte afër 300 vota më pak se kryetari aktual Shpend Ahmeti, i kishte shteruar të gjitha të drejtat ligjore të ankesës, madje ka bërë ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ai sot në konferencë tha se pret një vendim të drejtë të kësaj instance.

“E kemi ankesën në Gjykatës Kushtetuese, ne presim një vendim të drejtë, sepse mendojmë që të drejtat tona kushtetuese janë shkelur, nuk bëjmë fare presion, vetëm shpresojmë që Kushtetuesja do të vërtetojë këtë dhe të kemi një vendim meritor”, tha në mes tjerash Abrashi.

Në anën tjetër ai ka folur edhe për qeverisjen e Shpend Ahmetit. Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka dështuar kur në tremujorin e parë të këtij viti ka realizuar vetëm 2.6% të planit për investime kapitale për vitin 2018.

“Shuma e shpenzuar në investimet kapitale në tremujorin e parë është vetëm 2.6%  e planit të vitit 2018, pra po flasim për një dështim total të të gjitha të hyrave apo projekteve kapitale në Prishtinë”, tha Abrashi në konferencën e organizuar nga LDK.

Abrashi tutje ka pasur kritika ndaj kryetarit Shpend Ahmeti edhe rreth raportit të buxhetit që sipas tij në raport nuk figurojnë mjetet që janë bartur nga viti i kaluar.

“Ne i kërkojmë Kryetarit të Komunës të mos bëjë mashtrime sepse në raportin që u është paraqitur kuvendarëve flasim për një buxhet prej 72 milionë eurove, ku me qëllim nuk janë paraqitur edhe bartjet, ato janë pjesë e buxhetit të Prishtinës sepse buxheti total kalon shumën 86 milionë euro, ndërsa raporti i trajton të gjitha shpenzimet me këtë buxhet të 72 milionë eurove”, tha Arban Abrashi gjatë konferencës për media.