Fëmijë të veshur si 'pionierë' të të rinjve socialistë jugosllavë në Muzeun e Jugosllavisë në Beograd. Foto: Jessica Bateman

'Të gjithë e donin njëri-tjetrin': Ngritja e Jugonostalgjisë

Derisa shumë qytetarëve të ish-Jugosllavisë u mungojnë çmimet më të ulëta dhe njohja globale, të tjerë shprehen kundër romantizimit të tepërt të epokës së Titos.

Gazetarja dhe shkrimtarja e The Guardian, Jesscia Bateman sjell një rrëfim të saj nga vizita në muzeun e Jugosllavisë në Beograd dhe bashkëbisedimin me nacionalitete të ndryshme që i përkisnin ish-federatës.

Në një ditë të zakonshme në Beograd autobusët u ndalën jashtë Muzeut të Jugosllavisë, turmë e vazhdueshme njerëzish, disa mbanin lule, disa duke valëvitur flamurin e vjetër të vendit, kishin ardhur për të vizituar vendin ku ndodhet varri i Josip Broz Titos, themeluesit të Jugosllavisë socialiste.

Shumë nga vizitorët ishin rritur nën sistemin e vjetër dhe kishin ardhur për të shënuar ditëlindjen e diktatorit, e cila ishte një festë e madhe publike para shpërbërjes së Jugosllavisë.

Në shkallët jashtë një ekspozite të posaçme që pasqyronte vitet e Titos përmes posterave, veprave të artit, artefakteve dhe kujtimeve të regjistruara të “njerëzve të thjeshtë”, takova 18-vjeçarin Milos Tomçiq i veshur me kapelën dhe shallin e “pionierëve”, lëvizja rinore e Jugosllavisë socialiste.

Fëmijë të veshur si ‘pionierë’ të të rinjve socialistë jugosllavë në Muzeun e Jugosllavisë në Beograd. Foto: Jessica Bateman/The Guardian

“Doja të shihja një foto të asaj kohe,” tha ai, kur e pyeta pse kishte ardhur. “Ishte një kohë e mrekullueshme. Të gjithë e donin njëri-tjetrin.” A e konsideronte veten serb apo jugosllav?

“Jugosllav,” ishte përgjigjur ai pa hezitim. “Mamaja ime është serbe, babai im malazez, gjyshja ime kroate. Në fakt, familja ime është nga e gjithë Jugosllavia”, ishte shprehur ai.

Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, e përbërë nga gjashtë republika – Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, plus rajoni i atëhershëm autonom i Kosovës – u krijua nga Tito në 1945.

Shteti i Titos synonte të bashkonte grupet e ndryshme etnike dhe fetare të rajonit nën sloganin “bashkim dhe vëllazëri”.

Rritja e nacionalizmit pas vdekjes së tij në 1980 çoi në shpërbërjen e tij në 1992 dhe në luftërat e përgjakshme jugosllave të viteve 1990.

Një rrëfim i zakonshëm gjatë këtyre viteve ishte se Tito, për gati gjysmë shekulli, kishte detyruar popuj të ndryshëm të jetonin së bashku kundër dëshirës së tyre. Por 30 vjet më vonë, shumë njerëz ende mbajnë dashuri të thellë për vendin që nuk ekziston më dhe pendohen për shpërbërjen e tij.

Konceptimi i shpërbërjes së Jugosllavisë

Në Serbi, 81%  e popullit besojnë se shpërbërja ishte e keqe për vendin e tyre. Në Bosnje, e cila ishte gjithmonë republika më multikulturore e republikave, 77% ndajnë këtë ndjenjë. Edhe në Slloveni, e cila ishte vendi i parë ish-jugosllav që u bashkua me BE-në dhe konsiderohet gjerësisht si më “e suksesshme”, 45% ende thonë se shpërbërja ishte e dëmshme. Çuditërisht, sipas Bateman, vetëm 10% në Kosovë, e cila nuk kishte pavarësi të plotë në Jugosllavi, ndihen keq për shpërbërjen.

Dashuria për sistemin e vjetër shpesh quhet “Jugonostalgji”. Megjithatë, Larisa Kurtoviq, antropologe politike nga Sarajeva që studion identitetin post-jugosllav në Bosnje, tregohet e kujdesshme në lidhje me termin.

“Nostalgjia nënkupton një lloj melankolie apo malli”, thotë ajo. Natyrisht që  ekziston, në shumë restorante dhe bujtina në mbarë rajonin, si kafeneja e famshme Tito në Sarajevë, e zbukuruar me relikte të bukura dhe që paraqet një pamje rozë të epokës. Por Kurtoviq thotë se ka edhe një lëvizje të të rinjve që e shikojnë më me kritikë këtë periudhë, duke vlerësuar si pozitive ashtu edhe negative.

“Ka një vlerësim të madh për periudhën socialiste i cili është i lidhur me rritjen ekonomike dhe përmirësime të mëdha në standardet e jetesës,” thotë ajo, duke shtuar se “premtimet e dështuara” të projektit jugosllav zbehen në krahasim me nacionalizmin dhe dhunën që pasuan.

Shumica e shteteve ish-jugosllave kanë parë rënie të madhe ekonomike që nga luftërat dhe ende vuajnë nivele të larta të ikjes së të rinjve.

Në veçanti, Bosnja dhe Serbia janë të rrënuara nga grindjet politike, dhe shtëpitë e tyre dikur utopike brutaliste dhe hekurudhat e ndërtuara nga Jugosllavia janë duke u prishur. Edhe pse Kroacia dhe Sllovenia kanë gjetur stabilitet relativ si anëtare të BE-së, aplikimet e vendeve të tjera kanë ngecur dhe negociatat kanë dështuar të materializohen, duke lënë shumë të dyshimtë nëse ata do t’i bashkohen ndonjëherë bllokut.

Kurtoviq citon lëvizjet për të drejtat e punëtorëve që kanë lindur në Bosnje gjatë dekadës së fundit, bazuar në modelin e vjetër socialist jugosllav të vetëorganizimit të punëtorëve.

“Ky sistem ishte shumë specifik për Jugosllavinë,” thotë ajo, duke shpjeguar divergjencën e tij nga pronësia shtetërore staliniste e industrisë.

Megjithëse Jugosllavia ishte një shtet njëpartiak, kishte dallime të dukshme nga vendet e tjera të perdes së hekurt.

Tito themeloi lëvizjen e jo-angazhimit dhe mbajti marrëdhënie të balancuara midis perëndimit dhe BRSS (Bashkimit Sovjetik), ku qytetarët jugosllavë mund të udhëtonin në secilin rajon. Fuqia e pasaportës së vjetër jugosllave përmendet nga shumë prej atyre që takoj duke vizituar varrin e Titos, të cilët tani kërkojnë viza për të hyrë në shumicën e vendeve.

Një tjetër temë e zakonshme që Kurtoviqi sheh është humbja e statusit dhe perceptimi se njerëzit kanë kaluar nga të jetuarit në një vend relativisht të madh dhe të respektuar në një vend shumë më të vogël dhe më pak të rëndësishëm.

George Peraloq ka lindur në Maqedoninë e Veriut në vitin 1989, por tani jeton në Bangkok.

“Sa herë që më duhet të bëj diçka burokratike si hapja e një llogarie bankare këtu,  kurrë nuk mund ta gjejnë Maqedoninë e Veriut në sistemi, por mund të gjejnë Jugosllavinë,” tha ai.

“Nëse më pyet mua,  ende mund të përfitojmë nga një federatë, edhe nëse nuk është Jugosllavia, sepse ne jemi shumë të vegjël dhe të parëndësishëm në vetvete.”

Ai beson se këto ndjenja  janë të zakonshme mes njerëzve të moshës së tij, të cilët nuk kanë jetuar kurrë në sistemin e vjetër.

“E gjithë infrastruktura jonë është e asaj periudhe, dhe tani ajo po shpërbëhet,” shton ai.

Ka gjithashtu lëvizje në zhvillim që rishqyrtojnë trashëgiminë antifashiste, anti-nacionaliste të rajonit, të cilën luftërat e rishikuan ose u përpoqën ta fshinin. Janë shfaqur kore që këndojnë këngë të vjetra partizane, si në Ballkan ashtu edhe në komunitetet e diasporës.

Në Vjenë, kori i 29 nëntorit, i quajtur sipas datës së themelimit të Jugosllavisë, përbëhet nga anëtarë nga të gjitha vendet ish-Jugosllave. Qëllimi i tij fillestar ishte të sfidonte nacionalizmin që u ngrit në komunitetin e diasporës gjatë dhe pas luftërave. Klubet e punëtorëve jugosllavë, ku njerëzit më parë ishin takuar për të pirë kafe, për të biseduar dhe për të luajtur shah, ishin ndarë sipas përkatësisë etnike.

Anëtarët e korit vishen me xhaketa të kuqe dhe blu me yje, duke iu referuar flamurit të vjetër jugosllav, por  shmangin këndimin e këngëve që lidhen me partinë komuniste ose që festojnë Titon.

Marko Markoviq, i cili ka lindur në Beograd, por është rritur në Vjenë, thotë se familja e tij refuzoi të diskutonte luftërat me të si fëmijë.

“Ishte shumë e ndërlikuar për një shtatëvjeçar për ta kuptuar, ose kështu menduan ata,” kujton ai. “Kështu që gjithmonë kam pasur ndjenjën se historia e vendit nga kam ardhur është një temë tabu”.

Interneti gjithashtu ofron një portë për njerëzit që të rizbulojnë aspekte të anashkaluara të trashëgimisë së tyre. Disa llogari të njohura në Instagram përmbledhin mobiljet, arkitekturën brutaliste dhe dizajnin grafik të asaj periudhe.

“I rritur në Çekosllovaki, Jugosllavia më dukej si parajsë”

Peter Korchnak, i cili u rrit në Çekosllovakinë e atëhershme, lansoi podcastin “Kujtojmë Jugosllavinë” në vitin 2020.

“Duke u rritur, Jugosllavia më dukej si parajsë,” thotë ai, duke shpjeguar se shumë njerëz që iknin nga regjimi çekosllovak do të iknin në Jugosllavi. Disidentët nga vendet e tjera komuniste, si Rumania e kohës së Çausheskut, shpesh bënin të njëjtën gjë.

“Ne pamë shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë ndërsa unë isha dëshmitar i shpërbërjes paqësore të vendit tim,” thotë ai.

Korchnak e sheh të habitshme dashurinë që shumë ish-jugosllavë kanë për sistemin e tyre të vjetër. “Mund të dëgjoni të moshuarit [në Sllovaki] duke thënë: “Oh, gjërat ishin më të lira atëherë”, por kryesisht të gjithë kanë vazhduar tutje”, thotë ai. “Por [në ish-Jugosllavi] është transformuar në diçka tjetër.”

Megjithatë, disa janë më kritikë ndaj asaj që ata e shohin si një romantizëm të tepërt të periudhës.

Familja e Arnela Isheriq është nga Bosnja dhe ka ikur në SHBA, ku ajo u rrit gjatë luftës.

“Përshtypja ime si fëmijë ishte se [Jugosllavia] ishte koha më e mrekullueshme dhe gjithçka ishte harmonike,” thotë ajo. “Por kur u rrita, kuptova se kishte gjëra në lidhje me të që nuk më pëlqenin.”

Ajo përmend mungesën e të drejtave të komunitetit LGBT dhe shtypjen e mospajtimeve politike. Megjithatë, potencon se ende mund të identifikohet me “shpirtin” e Jugosllavisë.

“Kur udhëtoj në pjesë të tjera të rajonit, si Mali i Zi apo Kroacia, gjithmonë ndihem sikur lidhem me njerëzit. Mund të flas gjuhën e tyre dhe ne kemi  kulturë të ngjashme.”

Në fund të rrëfimit, autorja Jessica Bateman thekson se, derisa koha kalon dhe të rinjtë janë më pak të prekur drejtpërdrejt nga trauma e luftës, disa mendojnë se po bëhet më e lehtë për të analizuar periudhën e kaluar të ish federatës.