Rrëfimi i profesorit prishtinas për kohën kur pagë mujore merrnin ekuivalentin e 20 eurove

Shyqeri Obërtinca, ish-profesor i Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, i ka të freskëta kujtimet për kohën kur kishte dhënë mësim në kuadër të sistemit paralel të organizuar nga populli i Kosovës gjatë viteve të ‘90-ta, pasi nxënësit, studentët e mësimdhënësit ishin dëbuar nga objektet shkollore nga regjimi i dhunshëm serb.

Gjatë asaj kohe kishte edhe shkolla, në të cilat mësimi ndiqej edhe nga nxënësit shqiptarë edhe nga ata serbë, por jo në të njëjtën kohë.

Një prej tyre ishte edhe Gjimnazi “Xhevdet Doda”.

Profesori Obërtinca me mall e kujton atë kohë, kur ndonëse punonin në kushte shumë të vështira e me paga shumë të vogla, vullnetin e kishin të çeliktë për të përhapur dijen.

Ndonëse në ato kushte, profesori thotë se nuk ka pasur festë që nuk e kanë kremtuar.

“T’ju tregojë diçka. Në atë kohë edhe pse kemi qenë nën okupim nuk ka pasur festë kombëtare, por edhe ndërkombëtare, që s’e kemi kremtuar”, rrëfen ai për KALLXO.com.

Ai thotë se programet e organizuara për festat e ndryshme kanë qenë në nivelin më të lartë në aspektin kulturor dhe artistik.

“Kryesisht i kemi angazhuar njerëzit profesionistë, profesorët e muzikës dhe artit, gjuhës shqipe. Programet fillonin me këngë korale, pastaj recitime, ekzekutimet e pikave muzikore dhe pastaj kemi pasur edhe lojëra ritmike, bashkëkohore dhe në fund me një valle përfundonte e gjithë ajo ceremoni”, shton ai më tej.

Nxënësit e shkollës “Xhevdet Doda” mësojnë në shtëpi-shkolla për disa muaj para se mësuesit dhe nxënësit të ‘okuponin’ ndërtesën e rrënuar në qendër të Prishtinës | Foto: Shyqeri Obertinca.

Obërtinca, gjatë regjimit serb ka qenë nënkryetari i Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë ‘Naim Frashëri’ si dhe anëtar i Këshillit Qendror për financim dhe e di mjaft mirë se si u zhvillua mësimi në vitet e 90-‘ta.

Ai thotë se vetëm 35 marka (rreth 17 euro e gjysmë) ishte paga që merrnin mësimdhënësit e asaj kohe, por vullneti për të ndarë dije nuk paguhej me asgjë.

1.16 marka për një ditë mësimdhënie ishte pagesa që e merrnin në vitin 1992. Kjo pagë gradualisht filloi të rritej, por deri në vitin 1998-1999 nuk shkoi më lartë se 170 marka.

Ish-nënkryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë thotë se në listën e pagave të asj kohe ishin rreth 20,200 mësimdhënës shqiptarë. Në vitet e para, Obërtinca thotë se gjithçka ishte në baza vullnetare, vetëm që nxënësit të merrnin dituri.

Obërtinca ishte mësimdhënës i Teknologjisë nga viti 1975 deri në vitin 2018. Për 45 vite si mësimdhënës, ai me entuziazëm rrëfen se arsimi në atë kohë ka qenë një nga vlerat më të mëdha dhe pozita e mësimdhënësit është vlerësuar tej mase.

“Gjeneratave të reja është vështirë t’ua shpjegosh se vërtetë është zhvilluar në një kohë që njerëzit nuk kanë shtruar pyetje as për çështjen e punës, as për standard jetësor”, thotë ai.

Sipas tij, ka qenë një e mirë “për ne se të gjithë njerëzit e kanë përkrahur arsimin, arsimi ka qenë i vlerësuar si nga ana e prindërve si nga ana e nxënësve, si nga komuniteti, ka qenë diçka e papërshkrueshme”.

Sipas tij, gjeneratat e reja e shohin tërësisht ndryshe arsimin dhe edukimin.

“Sa i përket formave dhe metodave të të mësuarit nuk ka ndryshuar asgjë, por natyrisht tash punohet në kushte krejt të tjera, me standard më të lartë të punës, me të ardhura më të larta personale”, shton Obërtinca.

Një nga profesorët e parë që siguruan objekte që nxënësit e kryqyetetit të mbanin mësim rrëfen e se në kohën e regjimit serb, pavarësisht sfidave ua siguronin edhe kabinetet nxënësve për lëndët profesionale.

“Në atë kohë i kemi shndërruar kabinetet e lloj-llojshme dhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë qenë në ambulanta private dhe nuk ju ka munguar as praktika profesionale”, shton ai.

Si mësimdhënës i Teknologjisë thotë se në vitet ’90, të flasësh për kompjuterin ka qenë diçka e padëgjueshme.

“Por mësimdhënësit gjendeshin dhe i sillnin nga Perëndimi por për bazike kanë mësuar dhe kanë pasur shumë kureshtje për mësim”, shton ai.

Ai thekson se në komunën e Prishtinës ishin siguruar gjithsej 377 mësonjëtore, siç i quan ai, apo ‘shtëpi shkolla’.

Arsimi madje ishte një nga pikat ku niveli i tolerancës ishte tepër i lartë.

“Përvec shtëpive që kanë siguruar prindërit e nxënësve, kemi pasur edhe objektet, ambulancat private i kanë dhënë për shkollat e mesme të mjekësisë dhe fakultetit, kemi pasur xhami e kisha”, thotë mësimdhënësi.

Obërtinca po ashtu tregon se Gjimnazi “Xhevdet Doda” në kryeqytet ka punuar më së paku në sistemin ‘shtëpi shkolla’, pasi kishin hyrë ‘dhunshëm’  në objektin e shkollës.

Po ashtu në atë kohë ai tregon se ishin siguruar 11 ‘shtëpi shkolla’ dhe mësimi për herë të parë është mbajtur në shtëpinë e ish-rektorit të UP-së, Ejup Statovci dhe Zijadin Gashit.

Ai thotë se tre gjërat që janë të rëndësishme për zhvillimin e mësimit gjatë regjimit serb është përfshirja e Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë, pasi sipas tij, ajo në atë kohë ka luajtur rolin e Ministrisë së Arsimit dhe dy çështje të tjera.

“Çdo gjë që është bërë këtu ne i kemi dërguar, këshilli qendror për financim sepse ata e kanë mbajtur gjallë arsimin edhe punën e  pronarëve të shtëpive shkolla kanë rrezikuar në shtëpinë e tyre”, thotë ai më tej.

Ndërtesa e shkollës “Xhevdet Doda” para se komuna e Prishtinës vendosi ta shembë për të lejuar ndërtimin e katedrales katolike “Nënë Tereza” | Foto kortezi Shyqeri Obertinca

Shkolla ‘Xhevdet Doda’ në të cilën dha mësim profesori Obërtinca  ishte e vetmja shkollë në qendër të qytetit që shqiptarët mund ta përdornin.

“Ne i thyem dyert e asaj shkolle dhe kemi hyrë dhunshëm në një farë forme”, rrëfen mësimdhënësi.

Mësimdhënësit që punuan në vitet 1990 në sistem paralel arsimor, tek në vitin 2019 u fillua t’i vlerësohej puna e tyre me kompensim.

Ky kompensim u mundësua në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri më 1999.

Përveç mësimdhënësve, sipas Ligjit edhe pronarët e shtëpive që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre që të shfrytëzohen si shkolla, kanë gëzuar beneficione si dhe punëtorët teknikë dhe shërbyesit.