Libri "BIRI" nga shkrimtarja Flutura Açka

'Biri', një rrëfim përtej dhimbjes

Në rreshtat e librit “Biri” mund të lexosh e përjetosh dhimbjen e një nëne për vdekjen e të birit.

Flutura Açka, shkrimtarja dhe nëna e “Birit” këtë roman e ka shkruar e shoqëruar nga silueta e djalit që e humbi në moshë të re, kujtimet dhe pasuria që i la ai, të përcjellura me rrisqe të sulmeve kardiake.

Açka në një intervistë për KALLXO.com rrëfeu sfidat e të shkruarit një libër që asnjëherë nuk do të donte ta shkruante.

“Ky libër më kërkoi mbi dy vite e gjysmë për ta shkruar dhe disa rrisqe për sulme kardiake. I kam lënë shumë fraza e paragrafë me dhjetëra herë dhe i jam kthyer një kohë më të sigurtë për të vazhduar”, rrëfen Açka.

Ajo tha se si nënë nuk do t’ia kishte dalë ta shkruaj librin, por shkrimtarja brenda unit të saj nuk e kishte lënë vet dhe e kishte ndihmuar ta kapërcej figurën e nënës.

Sipas saj, libri do të ishte mbase një ditar personal, një rrëfim autobiografik i ngarkuar me dhimbjen e saj dhe ankimin për ta ndarë atë me botën.

“Mbase, vetëm si nënë, unë mund ta kisha shkruar, por nuk do të kisha guxuar ta publikoja dhe kjo është një ndjesi e njëjtë me mijëra e mijëra nënë apo prindër që shkojnë përmes kësaj humbjeje”, tha Açka.

Ajo tha se në subkoshiencën saj, shkrimtarja e kishte “vrarë” nënën brenda vetes që të mund të kapërcej personalen tek rrëfimi i saj.

Këtë luftë disa mujore me vetveten, për të kaluar pragun e personales dhe ta publikoj këtë vepër ajo e togfjalëzoj si “torturë kineze”.

“Por a mund të vazhdoja pa e rrëfyer këtë histori, a mund të bëja sikur nuk kishte ndodhur asgjë në jetën time – në jetën e shkrimtares – dhe të vazhdoja të botoja ndonjë roman të ri? A thuaj e kisha harruar dhe lënë në hije dramën time?”, u shpreh ajo.

Autorja e “Kryqit të Harresës”, tha se shkrimi këtij libri përpos që e ka shëruar atë, ka bërë më të përgjegjshëm shumë prindër. Ajo tha se shumë të tillë i kanë shënuar, dhe i kanë thënë se libri i saj e ka shtuar dashurinë dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

“Pas humbjes, befas kisha ndërtuar një “telefon ere”, si ai në Otsuki të Japonisë për të komunikuar mijëra njerëz me ata që u mungonin”, tregon ajo.

Açka tha se gjatë shkrimit ka ridimensionuar kuptimin e ditëve të tyre dhe zbrazëtinë e qenieve pa dhimbje, pa empati, pa ndjenja.

“Jam po i njëjti njeri, por kam një filtër tjetër për botën tani”.

Duke cituar nobelistin irlandez Samuel Beckett, Flutura portretizoi gjendjen me fjalitë: “Fjalët e mia ishin lotët e fjalëve të mia, pra fjalët ishin lotët e mi. Dhe janë ende, dhe do të jenë derisa të kem frymë”.

 

Intervista e plotë me shkrimtaren Flutura Açka:

 Sa është e vështirë të shkruash një libër për një çështje që e ke ndjerë në shpirtin tënd?

Nuk është, në të vërtetë, e lehtë. Jam e bindur se si nënë unë nuk do t’ia kisha dalë ta shkruaja librin në formën e tillë siç është botuar, ai do të ishte mbase një ditar personal, një rrëfim autobiografik i ngarkuar me dhimbjen time dhe ankimin për ta ndarë atë me botën. Mbase, vetëm si nënë, unë mund ta kisha shkruar, por nuk do të kisha guxuar ta publikoja dhe kjo është një ndjesi e njëjtë me mijëra e mijëra nënë apo prindër që shkojnë përmes kësaj humbjeje. Tani, ditë më pas, tek e shqyrtoj të gjithë çfarë ka ndodhur deri në publikimin e veprës, e kuptoj se atë rrëfim e kam shkruar bashkë me tim bir, me pasurinë e kujtimeve që më la, me pasurinë e personit që ishte, me pasurinë e jetës që bëri. Unë kisha për çfarë të flisja, pasi kisha vendosur të flisja për jetën. Jetën time, me të.

 

Në librin “Biri”  a jeni nënë, apo autorja e “Kryqit të Harresës”? A keni mundur të dilni nga petku i një nëne që ka përjetuar një humbje jetësore dhe të shihni dhimbjen e juaj nga një këndvështrim tjetër?

Shkrimtarja te një nënë si unë, e ka kurajën ta mbajë nënën drejt dhe të rrëfejë, edhe përmes lotëve dhe dramës, historinë e saj. Në subkoshiencën e saj, shkrimtarja “e vret” nënën që të mund ta kapërcejë personalen te rrëfimi i saj. U mata shumë para se ta publikoja veprën, pyetja nëse duhej ta kapërceja pragun e personales, ka qenë një “torturë kineze” për mua për muaj të tërë. Por a mund të vazhdoja pa e rrëfyer këtë histori, a mund të bëja sikur nuk kishte ndodhur asgjë në jetën time – në jetën e shkrimtares – dhe të vazhdoja të botoja ndonjë roman të ri? A thuaj e kisha harruar dhe lënë në hije dramën time? A ishte e këshillueshme për mua dhe e pranueshme për lexuesin kjo? Besoj se jo, lexuesi më do mua edhe për këtë pjesë të rëndë dhe të errët dhe fatale të jetës sime, që të gjej forcën mentale për ta shpjeguar për veten, por edhe për të transformimin dhe thyerjen që i ndodh jetës së njeriut në ngjarje të tilla që shkojnë në ku ndërkohë. Të heshtja para kësaj humbjeje më ngjau si një pabesi ndaj lexuesit.

 

A mendoni që “Biri” ka sjell një frymë tjetër në letërsinë shqiptare dhe një version të ri të Fluturës?

 Një miku im i letrave që e ka lexuar librin më shkruan e i kam sjellë letërsisë shqipe personazhin e munguar, Birin. Janë shkruar libra të tillë edhe më parë, por nuk kishte qenë rasti që një “nënë e letrave” të fliste për frakturën më të madhe të jetës së saj, humbjen e fëmijës. Unë besoj se raporti mëmë-bir (e shpjegoj edhe në libër, madje), është ndoshta më thelbësore në jetën njerëzore, sepse përpos të gjitha të përbashkëtave që kanë raportet prind- fëmijë, ka dy shenja të forta: biri është mish i mishit të nënës dhe e lidh me të kureshtja që vjen nga gjinia e ndryshme që kanë mes vete. Unë e shpjegoj këtë raport në librin “Biri” dhe merrem me të gjitha shtresimet, edhe ato psikike e psiko-analitike, që të shtyn të përjetosh një e humbje të tillë. Merrem me konceptet e mëmësisë, të përjetimit të humbjes, të përmasës së pranimit, të fuqisë së zisë, të peshës së prindërimit dhe të gjithëçkaje që shoqëron humbje si këto. Po ky libër është një version im i ri, një formë auto-fiksioni që nuk kam pasur ndonjë tërheqje ta shkruaja ndonjëherë, por fati më shtyu ta bëj dhe shkrimëria më dha përgjegjësinë ta shpall.

 

Vepër letrare brenda dhimbjes jetësore, apo dhimbje jetësore brenda një vepre letrare?

Nuk e ndaj dot qartë këtë. Është vepër letrare, padyshim, që frymëzohet nga dhimbja njerëzore. Është vepër letrare autobiografike, personazhet shpesh (madje edhe personazhi themelor Biri, nuk ka emër të tij) janë parë të largët, në mënyrë që historia të merrte të gjitha ngjyrimet e artit tim të të shkruarit, dhe jo të mbetej besnik i përditshmërisë sime përçarëse të dramës. Nuk ka thyerjet njohura dhe as stilin drejt së përkryerës që shpesh e ka proza ime, por mbetet vepër artistike, jo ditar. Ka rrëfim më të qetë e të sforcuar nga nevoja për të ndjekur kurbën e prozës sime. Ka marrë me dhjetëra mesazhe lexuesish, të gjithë më shkruajnë se e kanë lexuar me një frymë, dhe nuk janë ngulfatur nga dhimbja, pasi humbja ka baraspeshën e jetës.

 

A ju ka shëruar shkrimi i këtij libri? A e ndjeni sikurse botimi i këtij libri ju  ka ndeshur me lexues të rinj?

Po, pas botimit të këtij libri jam shumë më e qetë. Në ditët që sapo e kisha botuar pata ndjesinë e tmerrshme se po e humbja tim bir për së dyti, por tani ditë më pas mendoj se ka qenë vendimi më i mirë i imi. Pas humbjes, befas kisha ndërtuar një “telefon ere”, si ai në Otsuki të Japonisë për të komunikuar mijëra njerëz me ata që u mungonin. Por jo vetëm aq, me dhjetëra prindër të tjerë më kanë shkruar se tani ndjehen më të përgjegjshëm, se kanë ndryshuar sjellje me fëmijët e tyre, se tani i puthin edhe më shpesh dhe i duan edhe më fort. Nuk ka qenë ky qëllimi i librit, por nëse kjo ka ndodhur, jam e qetë: fjalët dhe rrëfimi im e paskan vlejtur. Me sa shoh unë, e kanë lexuar edhe lexues të rinj, në moshë, por edhe të rinj në njohjen e veprës sime. Një vajzë më shkroi një ditë në inbox se e kishte lexuar librin “Biri”e ndikuar nga mesazhet e “thashethemet” e bukura letrare që kishin qarkulluar nëpër internet, dhe se tani kishte vendosur se nëse ndonjëherë do të vendoste të martohej dhe të kishte fëmijë, ajo do të sillej si unë dhe do ta kishte “Birin” si Bibël të dashurisë për fëmijën. Kjo më bëri të qaj, por edhe më ngrohu me ndjesinë se sa shumë e kisha dashur unë tim bir dhe se sa mirë e kisha përcjellë këtë dashuri prej nëne, prej prindi.

 

Si është të shkruash një libër të kësaj natyre? Një libër që asnjëherë nuk kishe dashur ta shënosh.

Më është dashur shumë kohë. Unë jam një shkrimtare e angazhuar çdo ditë me tekstin, dhe që kam një koherencë tashmë tridhjetëvjeçare me lexuesin. Kam shkruar libra të gjatë në kufijtë e sagave, faqet e të cilave mund të duken të shumtë në kohën tonë, por që lexuesit i përpijnë. Nuk janë tekste të bestseller-ave të çastit, por në fakt bestseller-ave në long-terms, pra vepra që janë çdo ditë në vitrinë dhe që nuk kanë dalë nga moda qysh kur janë botuar. Uroj të ndodhë kjo edhe pas vdekjes sime. Por ky libër më kërkoi mbi dy vite e gjysmë për ta shkruar dhe disa rrisqe për sulme kardiake. I kam lënë shumë fraza e paragrafë me dhjetëra herë dhe i jam kthyer një kohë më të sigurtë për të vazhduar.

 

A mundeni në pak rreshta ta përshkruani ndjenjën gjatë shkrimit të këtij libri?

Mund të bëj vizatimin e tij: Sytë gati të ujët e tim biri, me atë trishtim të lindur për shkak të një bukurie fatale që kishin, me qerpikë shumë të gjatë dhe thellësi dhe errësi të mrekullueshme, me shtjekë të gjatë. Heshtjen e tij me vështrim të përqendruar tek unë. Fjalët e tij me zërin e qetë, të matur, të dashur, tej njerëzor, me një maturi tronditëse. Ndjeja dorën e tij që më mbante kur shkruaja, dhe zërin tek thoshte: “Mam, be normal!”. Ai zë më “urdhëron” ende.

 

A ka pasur moment kur keni menduar të hiqni dorë nga shkrimi i librit për shkak të temës që trajton?

Ishte një proces i gjatë, veçmas gjatë redaktimit, kur e kuptova se çfarë kisha shkruar, kur plaga po ftohej dhe kur jermi i shkrimit kishte kaluar. Por shkrimtarja nuk më la vetëm, dhe më ndihmoi që si nënë ta kapërcej nënën. Unë e pranova, siç thotë Beckett diku, se fjalët e mia ishin lotët e fjalëve të mia, pra fjalët ishin lotët e mi. Dhe janë ende, dhe do të jenë derisa të kem frymë.

 

Shkrimi i këtij libri a ju ka ngjallur diç jashtë personales? A keni arritur ta shihni veten nga një horizont tjetër i letërsisë?

 Po, tani e kuptoj se sa afër është dhimbja, se sa të shkujdesur jemi ne qeniet njerëzore në përditën tonë, se sa të vegjël janë të panginjurit. Tani e keqja më ngjan edhe më e keqe dhe e mira më ngjan edhe më e mirë, kam ri dimensionuar kuptimin e ditëve tona dhe zbrazëtinë e qenieve pa dhimbje, pa empati, pa ndjenja. Jam po i njëjti njeri, por kam një filtër tjetër për botën tani.