“Range Rover”-i i Bashotës Pret Fatin e Tij dhe Kryetarin

Klinë – Vetura zyrtare “Range Rover”e Kryetarit të Klinës, Sokol Bashota, ende nuk është riparuar, pas defektit që kishte pasur në motor.

Makina luksoze tash e disa javë po qëndron tek kompania kontraktuese me Komunën. Ajo ende nuk është riparuar për shkak së kreu Komunal i Klinës ende nuk ka marr vendim për fatin e saj.

Kallxo.com ka qenë në vendin e ngjarjes ku është e vendosur makina tek kompania kontraktuese për mirëmbajtjen e automjeteve me Komunës së Klinës , Auto Servis “Besimi”.

Aziz Avdiu pronar i kompanisë tha për Kallxo.com se ende nuk ka filluar të punojë në makinën e bllokuar për shkak se nuk ka marr instruksione nga autoritet komunale për fati e makinës.

“Nuk e kemi riparu ende për shkak se po presim çfarë vendim kanë me marrë zyrtaret e komunës, a do ta riparojnë motorin apo ta blejnë një motor të ri”, tha Avdiu.

Sipas tij, riparimi i motorit të veturës mund të kushtojë me shumë se sa blerja e një motori të ri, po ai nuk ka dashur të flasë rreth çmimit të kostos.

Pronari i autoservisit “Besimi” tha se bllokimi i motorit ka ardhur si pasojë e një defekt të veturës dhe jo për shkaqe tjera.

“Servisimi gjithmonë i është bërë me rregull. Nuk ka të bëjë bllokimi për shkak të cilësisë së derivateve apo diçka të ngjashme. Range Rover-at e kanë pikë të dobët një defekt brenda motorit që shpesh ndodhin raste të tilla”, theksoi Avdiu.

Kallxo.com ka provuar të marrë prononcim për fatin e veturës luksoze edhe nga kryetari i Komunës, Sokol Bashota, por ky i fundit gjendej sërish në vizitë zyrtare jashtë vendit.

Ndërkaq, zyrtari përgjegjës për mirëmbajtje të automjeteve në Komunën e Klinës, Mehmet Morina, tha së është kryetari ai që vendos për këtë çështje.

“Ende nuk ka kurrfarë vendimi për veturën e kryetarit. Kur vjen kryetari vendosë së çka duhet me vepru, a të riparohet motori apo të blihet një i ri”, shpjegoi Morina.

Kallxo.com kishte raportuar javë me parë për bllokimin e veturës zyrtare të Kryetarit Bashota, ku është thënë së vlera për riparimin e saj mund të kap shumën rreth 10 mijë euro.

Ndërkaq, kjo veturë luksoze ishte blerë në vlerë prej 67 mijë euro disa vite me parë.