Prokurorja Vahide Badivuku Nesër Del Para Gjykatës

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Vahide Badivuku, do të dalë nesër para gjykatës jo për ta mbrojtur ndonjë aktakuzë të ngritur nga ajo ndaj ndonjë të dyshuari, por për ta mbrojtur veten.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj Badivukut dhe tre të dyshuarve të tjerë nesër do të mbahet seanca fillestare.

Në këtë seancë, të akuzuarit pritet të njihen me aktakuzën nga ana e prokurorit dhe do të pyeten nëse ndihen apo jo fajtorë në akuzat për të cilat ngarkohen.

Badivuku qe arrestuar më 23 gusht të këtij viti nën dyshimin për marrje të ryshfetit.

Më 17 nëntor, ndaj saj dhe dy personave të tjerë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për marrje ryshfeti, keqpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi.