Prokuroria flet për vrasjen në Surkish të Podujevës

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha sot se është në kërkim të dy personave si të dyshuar për incidentin me armë zjarri në Surkish të Podujevës në të cilin mbrëmë mbeti një i vrarë dhe një i plagosur.

Këtë e konfirmoi për KALLXO.com, Prokurori përgjegjës për komunikim me media, Ibrahim Berisha.

“Kanë filluar hetimet, dy persona janë të dyshuar për vrasjën në Podujevë. Policia po punon në gjetjen e tyre”, tha Berisha.

Ai tha se sipas prokurorit kujdestar motivet e vrasjes nuk dihen ende.

Një person ka mbetur i vrarë mbrëmë në fshatin Surkish të Podujevës, njoftoi më herët Policia e Kosovës.

https://kallxo.com/vritet-nje-person-ne-fshatin-surkish-te-podujeves/

Policia tha se të enjten në mbrëmje, rreth orës 22:00, ka marrë informacionin se në fshatin Surkish të Podujevës, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me plagosje ku nga arma e zjarrit, janë plagosur viktimat A.S. (30 vjeç) dhe E.S. (23 vjeç).

Ata janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, mirëpo njëri nga viktimat (A.S.) nuk ka mundur t’i përballojë plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe rreth orës 01:00 Policia është njoftuar nga QKUK- se viktima ka vdekur.

“Aktualisht hetuesit policorë janë duke ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për  të identifikuar personat e dyshuar si dhe për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si vrasje e rëndë”, thuhet në komunikatën e Policisë.