Foto: Facebook
Botohet studimi ‘Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit’ i Jusuf Osmanit
Studiuesi Jusuf Osmani ka botuar studimin historiografik, shtatë vëllimësh, “Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit”.
Ky studim jep të dhëna rreth shqiptarët të Sanxhakut të Nishit, dëbimit të tyre të dhunshëm nga Sanxhaku i Nishit nga ushtria serbe dhe migrimi duke u nisur nga Kosova e deri në Siri.
Redaktori i këtij studimi, Ibrahim Berisha ka shkruar në Facebook, se studimi “Shqiptarët në Sanxhakut e Nishit” është rezultat i 50 viteve punë të autorit.
“Studiuesi Osmani ka shfrytëzuar burime primare dhe sekondare arkivistike dhe bibliografike. Punë në terren. Është hulumtim mbi 50 vjet i autorit që ka vjelë burime nga fondet e koleksioneve në 12 arkiva të njohura vendore dhe ndërkombëtare, që nga Londra, Ankaraja, Podgorica, Shkupi e deri te ai i Tiranës”, ka shkruar Berisha.
Ndërkaq, historiani anglez Noel Malcolm, recensent i studimit, ka potencuar se përgjatë shumë dekadave, Jusuf Osmani ka mbledhur informacione në lidhje me popullatën shqiptare, e cila dikur jetonte në Sanxhakun e Nishit – tani një zonë e gjerë e Serbisë së Jugut.
“Dëbimi i këtyre njerëzve në fund të shekullit të 19-të, që shkaktoi vdekjen e shumë njerëzve dhe zhvendosjen e të mbijetuarve, është një episod tragjik në historinë moderne të Ballkanit dhe fakti që është lënë pas dore nga vetë studimet historike është një padrejtësi historiografike. Informacionet e shumta të mbledhura këtu do të ndihmojnë për të korrigjuar atë padrejtësi”, ka pohuar Malcolm.
Ai shton se ky studim do të zgjerojë njohuritë për disa nga episodet më të errëta në historinë e marrëdhënieve serbo-shqiptare.
Libri ‘Shqiptarët në Sanxhakut e Nishit” përbëhet nga shtatë vëllime:
“Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët”
“Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Vendbanimet në Kazatë: Kurshumli dhe Prokuple”.
“Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Vendbanimet në Kazatë: Vranjë, Nish, Pirot dhe Tërn”.
“Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Vendbanimet në Kazanë e Leskovcit”.
“Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët, Shpërngulja dhe vendosja në Kosovë”.
“Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët, Shpërngulja në Turqi dhe në vende arabe”.
“Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit,-Shpërngulja dhe vendosja në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Shqipëri”.
Foto: Facebook