Një nga seancat e gjykimit ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, Foto: KALLXO.com
Gjykata lëshon urdhër-arrest për dëshmitaren, në gjykimin ndaj ish–zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës
Në Gjykatën e Prishtinës, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për dallavere në një tender për zgjerim të rrugës, ndaj dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi, i cili tash mban pozitën e zv/drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Prokurimit në këtë ministri, Besim Tahiri, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku, theksoi se mungesa e dëshmitares Erza Arifi, e pamundëson mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Gjyqtarja Dërmaku, më pas deklaroi se Gjykata do të lëshojë urdhër-arrest për dëshmitaren Arifi.
“Gjykata do të lëshojë urdhër arrest dhe do të kërkojë ndihmë juridike në shtetin e Gjermanisë meqenëse kemi informatë se e njëjta ndodhet në Kosovë nga shteti i Gjermanisë”, tha gjyqtarja Dërmaku.
Më pas shtoi se në adresën të cilën gjykata e ka siguruar për Erza Arifin, tha se aty ishte paraqitur babai i saj, i cili i kishte thënë Policisë së vajza e saj gjendet jashtë Kosovës.
Mirëpo, gjyqtarja Dërmaku bëri të ditur se sipas njoftimit nga sistemi i menaxhimit të kufijve, Gjykata ka informacione se dëshmitarja Arifi ka hyrë në Kosovë me datë 10 janar 2021.
Kujtojmë se ky shqyrtim gjyqësor ka filluar rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues.
Kurse prokurori Ibrahim Berisha, Gjykatës, i ka propozuar që të gjitha veprimet që janë marrë në shqyrtimet e kaluara dhe të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara.
Sipas tij nuk ka asnjë ndryshim dhe asnjë interes të dëgjohen përsëri të njëjtit.
Prokurori Berisha shtoi se vetëm dëshmitarja Erza Arifi ka mbetur të dëgjohet në këtë çështje penale.
Me propozimin e prokurorit Berisha, u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokati Betim Shala dhe Adem Vokshi.
Më pas trupi gjykues mori vendim që të konsiderohen të lexuara të gjitha provat e administruara në këtë proces gjyqësor.
Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin, ka qenë i akuzuar edhe Naim Sallahu, por i njëjti kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.
Prokuroria pretendon se i akuzuari Xhelil Bekteshi, gjatë vitit 2016 deri sa ishte sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, kishte tejkaluar kompetencat duke e obliguar zyrtaren Valentina Rexhepi që është në librin e protokollit të regjistrojë një vendim, me të cilin është ndërruar kryetarja e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “ Zgjerimi i Rrugës Nacionale Gjurgjicë- Kijevë”, pjesë e magjistrales Prishtinë – Pejë.
Ky vendim, i cili mban datën 26 qershor 2016, regjistrohet me datën 23 maj 2016, me qëllim që tenderi t’i jepet kompanisë “Sallahu”, i cili ishte me çmim prej 991,418.19 euro, përderisa kompania “Famis CO” kishte ofruar me 30 mijë euro më pak (961,590.16 euro).
Aktakuza thotë se me këto veprime, kompanisë “Famis”, i është pamundësuar që ta fitojë tenderi.
Ndërsa për të akuzuarin Besim Tahiri, aktakuza thotë se në cilësinë e personit zyrtar, si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat për të ushtruar ndikim te kryetarja e Komisionit, Erëza Arifi.
Në aktakuzë thuhet që ndikimi ishte ushtruar në mënyrë që Arifi ta ndërrojë raportin e vlerësimit të tenderit të datës 2 maj 2016, duke e obliguar atë të paraqes kërkesë me shkrim që të tërhiqet nga Komisioni dhe të bëhet ndryshimi i vendimit të datës 24 prill 2016, me qëllim që tenderi t’i jepet kompanisë “Sallahu” edhe pse për nga çmimi ishte më i shtrenjtë.
Kurse aktakuza, të akuzuarin Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, e ngarkon me veprën penale “falsifikim të dokumentit”. I njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në Ministrinë e Infrystrukturës lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Sallahu edhe pse e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë.
Sallahu sipas aktakuzës thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.