Berisha jep edhe një arsye pse LDK-ja doli e treta në zgjedhjet e 14 shkurtit

Profesori universitar dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ibrahim Berisha, ka treguar edhe një arsye se përse LDK-ja, doli partia e tretë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Berisha përmes një postimi në ‘Facebook’ ka shkruar se një nga arsyet është se liderët e LDK-së, kanë punuar kutur për t’i mbajtur anëtarët e saj, ku ishin para 20 vjetëve.

“Një nga arsyet kryesore të humbjes së LDK-së është se liderët e saj punuan t’i mbajnë kutur anëtarësinë atje ku ishin para 20 vjete. Ndërsa, nga atëherë në tregun elektoral kanë hyrë 20 gjenerata të reja që nuk duan të koten nën hijen e liderëve pa të ardhme”, ka shkruar Berisha.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e 14 shkurtit, partia e parë doli Lëvizja Vetëvendosje, e dyta doli Partia Demokratike e Kosovës dhe e treta Lidhja Demokratike e Kosovës 13.08 për qind.

Pas rezultateve të këtyre zgjedhjeve, nga LDK dha dorëheqje lideri i saj, Isa Mustafa dhe janë duke u përgatitur për të zgjedhur kryetarin e ri së shpejti.