Gjykimi ndaj ish- zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për keqpërdorim detyre FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com
Ish-zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës dëshmon në gjykimin e ish-kolegëve
Z.A. ish zyrtar i lartë ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Prishtinës nё rastin ndaj tё akuzuarve Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, qё po akuzohen pёr keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare.
Z.A. deklaroi se nuk ka pasur qasje në arkivën e Ministrisë së Infrastrukturës.
“Nuk kam pasur qasje në arkivën e Ministrisë së Infrastrukturës, si zyrtar i lartë ligjor”, tha Z.A.
Tutje shtoi se nuk ka njohuri sa i përket zhvillimit të ndonjë procedure tenderuese, gjatë periudhës maj-qershor 2016.
Po ashtu, ai tha se nuk ka ka këshilluar zyrtaren V.R., në lidhje me protokolimin e ndonjë shkrese.
“Nuk ka kuptim ligjor as analogjik, as juridik, e as normativ që unë ta këshilloj dhe sugjeroj V.R. në lidhje me protokollimin e ndonjë shkrese. Kjo me arsyetimin se Ministria e Infrastrukturës, e ka organogramin, rregulloren e brendshme, aktet ligjore, e nënligjore që përcaktojnë, hierarkinë e eprorëve dhe vartësve. Në rastin konkret, arkiva është instanca e parë ku dorëzohen shkresat, parashtresat dhe për këtë që thoni duhet me kalu në disa zingjirë, në divizionë, departamente e tutje. Pra as nuk e kam këshilluar lidhur me protokollimin e ndonjë shkrese”, tha Z.A.
Ndërsa për dëshmitarin tjetër që ishte prezent H.M., prokurori i rastit, Ibrahim Berisha ishte kundër që ai të dëshmonte, me arsyen se ky person është në konflikt interesi me të akuzuarit.
“Unë si prokuror i shtetit konsideroj se ky person është në konflikt interesi, drejtëperdrejtë me Xhelil Bekteshin, pasi të njëjtin me vendim të protokoluar të datës 23 maj 2016, e ka caktuar anëtar të komisionit Xhelil Bekteshi sekretari i përgjithshëm”, theksoi prokurori Berisha.
“Propozoj që në seancën e radhës të ftohet avokati shtetëror pranë Ministrisë së Infrastrukturës”, shtoi prokurori Berisha
Trupi gjykues pas konsultimit, mori aktvendim dhe aprovoi kërkesën e prokurorit duke konstatuar se ka të bëjë bëjmë me konflikt interesi dhe vendosi që në cilësinë e përfaqësuesit të Ministrisë së Infrastrukturës, do ftohet avokati shtetëror nga Ministria e Drejtësisë.
Seanca e radhës u caktua për datën, 12 maj në ora 13:15.
Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin, ka qenë i akuzuar edhe Naim Sallahu, por i njëjti kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim që i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.
Prokuroria pretendon se i akuzuari Xhelil Bekteshi, gjatë vitit 2016 deri sa ishte sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, kishte tejkaluar kompetencat duke e obliguar zyrtaren Valentina Rexhepi që është në librin e protokollit të regjistrojë një vendim, me të cilin është ndërruar kryetarja e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale Gjurgjicë- Kijevë”, pjesë e magjistrales Prishtinë – Pejë.
Ky vendim, i cili mban datën 26 qershor 2016, regjistrohet me datën 23 maj 2016, me qëllim që tenderi t’i jepet kompanisë “Sallahu”, i cili ishte me çmim prej 991,418.19 euro, përderisa kompania “Famis CO” kishte ofruar me 30 mijë euro më pak (961,590.16 euro).
Aktakuza thotë se me këto veprime, kompanisë “Famis”, i është pamundësuar që ta fitojë tenderi.Ndërsa për të akuzuarin Besim Tahiri, aktakuza thotë se në cilësinë e personit zyrtar, si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat për të ushtruar ndikim te kryetarja e Komisionit, Erëza Arifi.
Në aktakuzë thuhet që ndikimi ishte ushtruar në mënyrë që Arifi ta ndërrojë raportin e vlerësimit të tenderit të datës 2 maj 2016, duke e obliguar atë të paraqes kërkesë me shkrim që të tërhiqet nga Komisioni dhe të bëhet ndryshimi i vendimit të datës 24 prill 2016, me qëllim që tenderi t’i jepet kompanisë “Sallahu” edhe pse për nga çmimi ishte më i shtrenjtë.
Kurse aktakuza, të akuzuarin Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, e ngarkon me veprën penale “falsifikim të dokumentit”.
I njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në Ministrinë e Infrystrukturës lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Sallahu edhe pse e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë.Sallahu sipas aktakuzës thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.
Ish-zyrtarja e Ministrisë së Infrastrukturës dëshmon në gjykimin e kolegëve