Ekzamineri i akuzuar se i ndihmoi kandidates: Ishte hera e shtatë për të në test

Në Gjykatën e Prishtinës ka dhënë mbrojtjen ekzamineri i Qendrës për Leje të Vozitjes në Prishtinë, Gëzim Kryeziu, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast për veprën penale -pranim i ryshfetit në sektorin privat, akuzohej edhe zyrtari i një dyqani , Ekrem Zhegrova, i cili pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me një vit burg efektiv dhe 1,000 euro gjobë.

Në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Haxhi Millaku, ekzamineri Kryeziu ka deklaruar se i kishte ndihmuar kandidates Sh.H., gjatë provimit me shkrim për marrjen e lejes së vozitjes, për arsye se e njëjta sipas tij kishte qenë e stresuar dhe po ashtu kishte kuptuar se për të ishte hera e shtatë që kishte hyrë në atë provim.

“Kam dhënë sqarime dhe e kam ndihmuar, pasi ai person ka qenë për të shtatën herë aty dhe unë ndoshta e kam tepruar me sqarime”, tha i akuzuari Kryeziu.

Tutje i njëjti ka shtuar se kandidaten Sh.H., nuk e kishte njohur atëherë por as sot nuk e njeh dhe këtë ndihmë nuk e kishte bërë për përftime materiale.

Kurse sa i përket shumës prej 1 mijë e 500 euro të cilit iu kishin gjetur Kryeziut në xhep ditën për të cilën po akuzohet, i njëjti ka thënë se ato para kishin qenë të djalit të tij.

“Djali ime e ka një mobil shop në Suharekë, pasi që unë punoja në Prishtinë sa herë që ka pas nevojë për mall ai e ka bo porosinë përmes telefonit unë e kom marrë, dhe nga ajo shumë e parave 50-60 kanë qenë të miat të paluara veç dhe tjerat teëdjalit. Këto para i kanë verifikuar dhe nuk janë dalë nga parat e simuluar nga rasti dhe ato mjete nuk mu kanë kthyer asnjëherë”, tha Kryeziu.

Në fund të deklarimit të tij i akuzuari Gëzim Kryeziu tha se i pranon veprimet e tij, por nuk kishte pasur dijeni se ato veprime përbënin vepër penale.

Pas përfundimit të mbrojtjes së të akuzuarit, avokati Haxhi Millaku, kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet në mënyrë që fjalën përfundimtare ta përgatisë me shkrim.

Kurse gjyqtari i kësaj çështje, Isuf Makolli, ndërpreu gjykimin e sotëm dhe seancën e radhës e caktoi më 3 mars 2021.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, Gëzim Kryeziu më 18.9.2019  në cilësinë e personit zyrtar, ekzaminer në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë, shfrytëzon detyrën zyrtare dhe tejkalon kompetencat, merr instruksione  nga i pandehuri Ekrem Zhegrova që t’i ndihmojë kandidates Sh.H., në dhënien e provimit teorik për patentë shofer.

Sipas Prokurorisë, ai fillimisht i afrohet ku ishte ulur tani e dëmtuara, i prek me gisht përgjigjet e sakta me qëllim që kandidatja ta kalojë provimin në mënyrë të kundërligjshme pa pasur njohuri të mjaftueshme.

Me këtë, sipas Prokurorisë,  Gëzim Kryeziu, ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq i pandehuri Ekrem Zhegrova, më 18.9.2019 rreth orës 10:00 deri sa ishte duke punuar ne sektorin privat “Money Gram”, arkëtar, në afërsi të Qendrës së Patentë Shoferëve në Prishtinë është takuar me të dëmtuarën Sh.H., kandidate për t’iu nënshtruar provimit teorik për patentë shofer, në mënyrë të drejtpërdrejt kërkon nga ajo shumën e parave në vlerë prej pesëqind euro.

Sipas aktakuzës ai i kishtemarrë ato me qëllim që t’i ndihmojë që e njëjta ta kalojë provimin duke i dhënë instruksione si të veprojë e duke i thënë përderisa të mos afrohet ekzaminuesi për të ndihmuar mos ta prekë asnjë përgjigje, ku nga masat e fshehta të aplikuara shihet se fjala ishte për ekzaminuesin Gëzim Kryeziu, i cili shihet duke i ndihmuar në mbushjen e testit kandidates Sh.H.

Gjykimi i ekzaminuesit të Patentë Shoferëve, publikohen video-incizimet që sipas Prokurorisë tregojnë momentin inkriminues