Përfundon Manifestimi- Opozitarët Duan Lirim të Deputetëve

Në manifestimin e sotëm në Gjakovë opozita kërkoi lirim të deputetëve dhe u shfaq e vendosur për kundërshtim të marrëveshjeve.

Kreu u Nismës Fatmir Limaj tha se opozitën nuk do ta ndalë asgjë derisa të anulohen marrëveshjet.

“Kosova më nuk është e përgjumur. Nga një Kosovë e përgjumur që keni bërë po e kthejmë në një Kosovë aktive që po i thotë jo ‘zajednicës’ dhe jo demarkacionit. As burgosjet politike, as shantazhet, as thyerjet e shtëpive e as bastisjet e zyrave të partive politike dhe asgjë nuk do të na ndalë, nuk do të na e mbyllë gojën derisa të anulohen ato dy marrëveshje të dëmshme për Kosovën,” tha Limaj,

Kundërshtimet e marrëveshjeve i përmendi edhe kryetari i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri.

“Ne nuk heshtim e as qytetari nuk frikësohet. Opozita e bashkuar e ka bërë të qartë: republika nuk e pranon e as nuk e duron ‘zajednicën’ e Serbisë. Kosova as nuk e pranon e as nuk e duron që t’i falen tokat e saj Malit të Zi,” tha Ymeri.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj përnmendi vargun e poetit gjakovar Ali Podrimja “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”.

Haradinaj foli për traditat dhe vlerat shqiptare, ndërsa kërkoi lirim të deputetëve opozitarë që i quajti të burgosur politikë.

“Kur kemi folë për veten sa popull i mirë jemi, sa njerëz punëtorë, sa të vyeshëm, atëherë kemi mendue kush janë këta që na udhëheqin. Po janë të këqijtë e të ligjtë. I keqi e i ligu janë ba bashkë, ata po e marrin në qafë Kosovën. E ne kemi ardhë sot këtu prej Gjakove me u thanë jo marrëveshjev, jo zajednicës, jo demarkcionit, por edhe ni porosi: lironi sa ma shpejt të burgosutrit politikë,” tha Haradinaj.

Gjatë manifestimit në Gjakovë folën edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj dhe Ardian Gjini po nga kjo parti si dhe nënkryetari i “Vetëvendosjes” Driton Çaushi dhe kreu i Nismës për Gjakovë Fazli Hoxha.

12:58

Arrijnë Liderët-Nis Manifestimi Opozitar

Ndër të parët në tubimin e opozitës në Gjakovë ka ardhur kreu i AAK-së Ramush Haradinaj.

Kanë nisur të grumbullohen për manifetimin e sotëm në Gjakovë përkrahës të opozitës. Aty ka ardhur edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, ndërsa është parë edhe vëllai i tij Dauti dhe deputetë të tjerë e qytetarë që mbështesin opozitarët.

Edhe Visar Ymeri e Fatmir Limaj janë në manifestim.

Opozitarët kanë zhvendosur protestat nëpër komuna duke nisur prej sot në Gjakovë.

Partitë opozitare janë duke kërkuar tërheqjen e nënshkrimeve të qeverisë nga marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit për Asociacionin e Komunave Serbe dhe përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi të nënshkruara më 25 dhe 26 gusht në Bruksel e Vjenë.

Për këtë arsye deputetët e këtyre subjekteve po mundohen të pengojnë çdo seancë të sesionit vjeshtor të Kuvendit, duke përdorur në sallën e mbledhjeve gazin lotsjellës.

Deri tash pesë deputetë opozitarë janë arrestuar, dy prej tyre ndodhen në paraburgim e tre në arrest shtëpiak nën dyshimet për aktivizim ose posedim të lotsjellësit në Kuvend.