Ferid Agani gjatë një takimi elektoral | Foto: Facebook

Lirimi nga Detyra i Ferid Aganit, Moral Politik apo Fetar

Përkundër që kërkesa e Ministrit Ferid Agani për t’u liruar nga detyra mund të konsiderohet si një hap para në politikën kosovare, ai është dashur që të japë dorëheqje nga pozita e ministrit, apo të shkarkohej menjëherë nga ana e Kryeministrit Mustafa, vlerësojnë disa analistë dhe politologë.

Ndërkaq, duke qenë se Agani është kryetar i një partie e cila ka bazë fetare, morali përbën njërën ndër premisat kryesore të aktivitetit të tij politik.

Sociologu Artan Muhaxhiri, ka vlerësuar për Gazetën Jeta në Kosovë, se në politikë s’duhet kërkuar puritanizëm dhe moralitet absolut, por sipas tij nuk është aspak normale që politikanët ta zhveshin veten nga çdo lloj morali dhe të mos e kenë asnjë ndjenjë të përgjegjësisë publike.

Muhaxhiri tha se spektri politik kosovar ka probleme themelore për t’u vetëdijesuar mbi domosdoshmërinë e akteve të moralshme.

“Në Parlament, në qeveri, në komuna – pothuajse gjithkund në pozitat vendimmarrëse – hasim në individë të pamoralshëm profesionalisht, të cilët nuk veprojnë në përputhje me obligimet dhe s’kanë respekt për taksapaguesit prej të cilëve i marrin rrogat. Sjellja e tillë është shndërruar në standard, prandaj do të duhen investime të jashtëzakonshme kadrovike në të ardhmen për të ndryshuar në të mirë”, tha Muhaxhiri.

Sipas tij, veçantia e akuzës ndaj Ferid Aganit ka të bëjë me faktin se ai është kryetar i një partie e cila ka bazë fetare, prandaj morali përbën njërën ndër premisat kryesore të aktivitetit të tij politik.

“Për këtë arsye, ai është dashur të ishte shumë i zëshëm ndaj secilës situatë që do të kishte më shumë probabilitet për t’u konsideruar potencialisht e paligjshme”, tha Muhaxhiri.

Ai theksoi se gjatë kohës sa ka qenë ministër i Shëndetësisë, Agani e ka pasur detyrim ta monitoronte maksimalisht procesin e dërgimit të pacientëve nga spitalet publike në ato private.

“Ka qenë e pritshme të krijohej hapësirë për keqpërdorime duke e ditur se bëhej fjalë për miliona euro”, shpjegoi Muhaxhiri.

Sipas tij, në bazë të përvojave të kaluara me aktakuzat ndaj politikanëve të profilit të lartë, është tejet e mundshme që edhe kësaj radhe të rezultojë se procesi gjyqësor nuk ka qenë i bazuar në dëshmi të besueshme. Gjë që sipas Muhaxhirit sërish do të nxiste pyetje të shumta për profesionalizmin dhe moralin e gjyqësorit.

Kurse, Valmir Ismaili, hulumtues në ‘Democracy Plus’, tha për Gazetën JNK, se taktika të tilla politike nuk i shërbejnë ndërtimit të kulturës llogaridhënëse dhe qeverisjes me duar të pastra.

“Përkundër asaj që kërkesa e ministrit Agani për t’u liruar nga detyra mund të konsiderohet si një hap para në politikën kosovare, ai është dashur që të japë dorëheqje nga pozita e ministrit, apo të shkarkohej menjëherë nga ana e Kryeministrit Mustafa”, tha Ismaili.

“Taktikat e tilla politike nuk i shërbejnë ndërtimit të kulturës llogaridhënëse dhe qeverisjes me duar të pastra. Kjo, gjithashtu tregon se motoja ‘qeverisja me duar të pastra’ është vetëm slogan në letër, por në praktikë ka hezitime për të kontribuar në drejtim të përmbushjes së këtij qëllimi”, theksoi ai.

KALLXO.com, ka shkruar se Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj 64 personave, të cilët akuzohen në rastin e njohur si “Rasti i Stentave”.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka ngritur aktakuzë kundër 64 të pandehurve, në mes tyre edhe ndaj Ferid Aganit, ish-ministër i Shëndetësisë dhe Gani Shabanit, sekretar i kësaj Ministrie.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-ferid-aganit-dhe-63-personave-te-tjere/

Pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij në Rastin “Stenta”, Ferid Agani i kërkoi Isa Mustafës lirim nga detyra.

Ndryshe, në Kosovë politikanët vazhdojnë të qëndrojnë në qeverisje duke udhëhequr nga burgu dhe gjithashtu edhe pse janë të dënuar qëndrojnë edhe me tej në detyrë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja u gjet fajtor për veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në mars të vitit 2014, dhe u dënua 2 vite burgim me kusht, dhe mori edhe dënimin plotësues për mosushtrim të funksioneve publike, ai vazhdon të mbajë pozitën e kryetarit të Prizrenit. Çështja e tij është në apel.

Gjithashtu, Sami Lushtaku, kryetar i Skenderajt në maj të vitit 2015 u dënua me 12 vjet burg për vrasje të kryer gjatë vitit 1998 nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, por kjo nuk e ka penguar Lushtakun të vazhdojë të jetë kryetar edhe në burg.

Lidhur me këtë Muhaxhiri, shtoi se farsa me kryetarët e komunave që udhëheqin nga burgu, apo me ata që qëndrojnë edhe më tej në zyrë edhe pse janë të dënuar, është “tallje monumentale me sistemin politik dhe qytetarët kosovarë”.

Sipas tij, mungesa e frikës nga konkurrenca politike i ka ofruar komoditet PDK-së që të jetë indiferente ndaj domosdoshmërisë së largimit me automatizëm prej radhëve të saj të të gjithë anëtarëve për të cilët gjykata vërteton se e kanë shkelur ligjin.

“Përderisa partia të cilës i takojnë shumica e kryetarëve me dosje gjyqësore – PDK, beson se për të është politikisht më e dobishme që ta ruajë klientelizmin e ndërlidhur me këta individë dhe nuk i frikësohet pasojave negative në vota të akteve të tyre – ajo s’do ta ketë me nguti reformën brenda-partiake”, theksoi Muhaxhiri.

Ndërkaq, Ismaili, vlerëson se qeverisja nga burgu ose nën aktakuzë nga kryetarë të komunave tregon për një papërgjegjësi totale të këtyre politikanëve, së pari ndaj qytetarëve që u kanë dhënë votat atyre por edhe ndaj vetë institucionit që ata drejtojnë.

“Në mungesë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies nga këta kryetarë, do të ishte e rrugës që vetë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme të mos votojnë njerëz që nuk qëndrojnë mirë me ligjin”, tha Ismaili.

Emisioni Jeta në Kosovë, më 3 mars 2016 kishte debatuar për kryetarët, ish kryetarët dhe zyrtarët komunalë të Kosovës të cilët gjatë viteve kanë pasur punë me drejtësinë.

Në emision ishin përmbledhur emrat e tyre: