E-prokurimi

Monitorimi i tenderëve në e-prokurim nga asamblistët për rritje të transparencës

Institucionet ndërkombëtare tash e disa vite kanë investuar në avancimin e transparencës në prokurim, digjitalizimin e saj, por edhe në rritjen e monitorimit të tenderëve që shpallen nga institucionet e Kosovës. Përmes projektit të USAID – Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM), punës së bërë nga shoqëria civile dhe gatishmërisë së krerëve të institucioneve është mundësuar hapja e kontratave publike.

Në platformën elektronike të prokurimit publik, e-prokurimi, por edhe faqet e komunave, mund të gjenden shumë dokumente e informacione të rëndësishme për tenderët e institucioneve publike. Çdokush mund  të ketë qasje në dokumentet e projekteve kapitale që realizohen nëpër lagjet apo komunat e tyre.

Monitorimi i procedurave të prokurimit krijon një mekanizëm të jashtëm të kontrollit të veprimtarisë së institucioneve. Duke pasur monitorim të jashtëm, institucionet janë më të kujdesshme në zbatimin e rregullave të prokurimit publik dhe në sigurimin e transparencës së plotë gjatë gjithë procesit.

Derisa, monitorimi i procedurave të prokurimit ka një ndikim të rëndësishëm në transparencë dhe llogaridhënie të institucioneve, asamblistët mund të kontribuojnë në këtë aspekt.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, ka thënë se përdorimi i e-prokurimit nga ana e asamblistëve do të rriste shumë më shumë transparencën e drejtuesve të komunave.

“Pa diskutim që kjo do të rriste transparencën dhe do të lehtësonte edhe më shumë punën nëpër komuna” – deklaroi Vishaj.

Përdorimi i e-prokurimit nga asamblistët për monitorim të projekteve

Një ndër detyrat e asamblistëve është edhe që të jenë në dijeni për projektet që realizohen nëpër komunat e tyre, për qytetarët të cilët ia kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar në Kuvendin komunal.

Diell Haxhimusa nga organizata “Demokracia Plus”, që bën monitorimin e aktiviteteve të prokurimit publik, ka thënë se është e nevojshme që secili asamblist të ketë njohuri bazike për përdorimin e platformës së e-prokurimit.

“E-prokurimi si platformë ofron të dhëna shumë konkrete, si kontrata, ofron të dhëna të llojit se deri ku kanë shkuar punimet për një projekt të caktuar. Për punën e asamblistit kjo është shumë e nevojshme me i ditë” – theksoi Haxhimusa.

Asamblistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Fiknete Bejta, ka thënë se e përdor e-prokurimin për t’i përcjellë tenderët e Kryeqytetit dhe ndërmarrjeve publike komunale.

“Po, e përdor këtë platformë pasi e konsideroj që është një mundësi e mirë me i përcjellë procedurat e prokurimit publik dhe të përditësohemi me informata që kanë të bëjnë me realizimin e projekteve buxhetore” – ka thënë Bejta.

Nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Ferizajt gjithashtu kanë thënë se e përdorin e-prokurimin për të përcjellë tenderët në komunën e tyre.

“Ne si parti e përdorim e-prokurimin për të monitoruar çdo kontratë që ka të bëj me Komunën e Ferizajt” – ka thënë asamblisti i LVV-së në Ferizaj, Brahim Osmani.

Derisa nga PDK në Ferizaj kanë deklaruar se e përdorin e-prokurimin për të monitoruar projektet të cilat u interesojnë në veçanti.

“E kam përdorur vetëm për disa projekte të cilat më kanë interesuar në veçanti, nuk e përdori gjithmonë ndonëse është e thjesht përdorimi i kësaj platforme” – tha Arian Imeri, asamblist në Kuvendin Komunal të Ferizajt nga radhët e PDK-së.

Ofrimi i trajnimeve në fushën e prokurimit nga KRPP

Asamblistja e LDK-së në Prishtinë, Fiknete Bejta dhe ai i PDK-së në Ferizaj, Arian Imeri, kanë thënë se nuk kanë ndjekur trajnime në fushën e prokurimit apo për përdorimin e platformës së e-prokurimit. Trajnime në fushën e prokurimit për asamblistët dhe të interesuarit e tjerë ofron vazhdimisht Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Diell Haxhimusa nga organizata “Demokracia Plus” ka shtuar se asamblistët duhet të jenë të interesuar që të ndjekin trajnime nga KRPP-ja për përdorimin e e-prokurimit.

“Unë e di që ka profile të ndryshme apo profesionale të asamblistëve, mirëpo një trajnim ndoshta bazik kish me qenë më se i nevojshëm për ta. Pse mos me qenë kjo pjesë barrë ndaj shtetit ose nga ana e autoritetit kontraktues apo edhe nga vet asamblisti që me e marrë detyrën me profesionalizëm, me marrë një trajnim prej KRPP-së, e cila vazhdimisht organizon trajnime e që ka të drejtë çdo kush të marrë pjesë në to” – ka përfunduar Haxhimusa.

Kryetari i KRPP-së, Osman Vishaj, ka thënë se kurdo që ka dëshirë dhe interes prej asamblistëve, ata mund të marrin pjesë në trajnimet që organizohen nga KRPP në fushën e prokurimit.

“Kurdo që dëshirojnë ata mund të trajnohen por që nuk ka pasur interesim prej anës së tyre. Ne nuk i kemi ftuar sepse s’kemi politika të tilla” – deklaroi Vishaj.

Modulet e trajnimeve për e-prokurim që ofrohen nga KRPP

Prokurimi publik është një proces që përfshin blerjen e produkteve, shërbimeve dhe punëve nga institucionet publike përmes buxhetit të shtetit, i cili mbushet nga qytetarët si taksapagues. Sa i vështirë për t’u kuptuar është prokurimi publik mund të varet nga perspektiva dhe përvoja e individit. Procesi i prokurimit publik përfshin rregulla dhe procedura komplekse që janë vendosur nga ligjet dhe udhëzimet e prokurimit publik.

Për të qenë sa më të informuar dhe për të kuptuar prokurimit publik, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ofron një program të trajnimeve që përfshijnë 15 module të ndryshme.

Modulet e trajnimeve fillojnë nga Ligji i Prokurimit Publik, procedurat e prokurimit, dosjet e tenderit, llojet e kontratave, menaxhimi i kontratave, ankesat në procedurat e prokurimit dhe e-prokurimin.

Për platformën elektronike të prokurimit publik, e-prokurimi, ofrohen trajnime në dy module për përdorimin e e-prokurimit. Në faqen zyrtare të KRPP-së janë të qasshme agjendat për këto dy module dhe po ashtu edhe materiale për trajnim, në formën e prezantimeve në power point. Pra, edhe nëse të interesuarit nuk kanë kohë të lirë të shkojnë fizikisht të marrin pjesë në trajnime, ata mund ta mësojnë vet përdorimin e e-prokurimit përmes materialeve që i kanë në dispozicion.

Në faqen e KRPP-së, është e qasshme online edhe lista me 39 trajnerët e certifikuar në prokurim publik, me emrat, institucionet, pozitat dhe emailet e tyre.

Përveç kësaj, në maj të vitit 2019, KRPP me mbështetje nga USAID, lansoi video me udhëzime për përdorimin e platformës së prokurimit elektronik. Videot me udhëzime zëvendësojnë sesionet e trajnimit klasik. Ato mund të shikohen nga përdoruesit atëherë kur iu përshtatet atyre. Përveç zyrtarëve të ngarkuar me punën e procedurave të prokurimit, bizneseve të cilët dorëzojnë oferta nëpër tenderë, këto video me udhëzime mund të shfrytëzohen nga çdokush për të mësuar përdorimin e e-prokurimit, duke përfshirë asamblistët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët.

Në vitin 2022 janë nënshkruar mbi 10,200 kontrata publike të udhëhequra sipas Ligjit për Prokurim Publik derisa vlera e tyre është rreth 559 milionë euro. Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, kontratat e nënshkruara që kapin vlerën e mbi gjysmë-miliardi euro janë sa 6.5% e Bruto Produktit Vendor.

Prokurimi publik mbetet i prirur ndaj parregullsive dhe i cenueshëm ndaj korrupsionit gjatë procesit të prokurimit dhe zbatimit të kontratave bazuar në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën në vitin 2022.

Ndërsa, organizata Transparency International ka vlerësuar se në vitin 2022 Kosova ka shënuar përmirësim në perceptimin të korrupsionit, duke u renditur e 84-ta, me 41 pikë në ranglistën ë 180 shteteve, ndërsa në krahasim më vendet e Ballkanit Perëndimor renditet në vendin e dytë pas Malit të Zi, i cili ka 45 pikë, kurse pas saj është Maqedonia e Veriut me 40 pikë, Shqipëria me 36 pikë, aq sa ka edhe Serbia.

Ky artikull është përgatitur nga BIRN-i përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.