Pamje kur Policia e Prishtinës dënon shoferët në formën e re

Njësiti  Rajonal i Trafikut Rrugor në Prishtinë ka filluar të zbatoj një plan operativ për kundërvajtësit të cilët parkojnë veturat e tyre në vende të ndaluara për parking.

Sipas policisë, kjo metodë është ndërmarrë duke pasur parasysh numrin e konsiderueshëm të kundërvajtësve të cilët parkojnë veturat e tyre në mënyrë ilegale.

KALLXO.com ka qëndruar gjatë ditës së sotme me njësitin e trafikut gjatë shqiptimit të gjobave për veturat të cilat ishin parkuar në mënyrë ilegale në trotuare.

Rreshteri Arsim Gollubovci, ka treguar për KALLXO.com se plani operativ i cili ka filluar dje, ka për cak automjetet të cilat parkohen në mënyrë të parregullt dhe bllokojnë kalimin e lirë të këmbësoreve.

Gollubovci ka sqaruar edhe metodën e shqiptimit të gjobës për këtë plan operativ.

“Mënyra e re e këtij plani është zyrtarët policor fillojnë të lënë lajmërime nëpër automjete, ato lajmërime një kopje qëndron në automjetin e pronarit, ndërsa një kopje tjetër tek zyrtari policor. Në fund të ndërrimit  bëhet verifikimi i automjetit, dhe  në qoftë se pala nuk vjen brenda ndërrimit bëhet verifikimi i automjetit dhe i shqiptohet gjoba pronarit të automjetit”, ka sqaruar Gollubovci.

Ai tutje ka treguar se çfarë ndodhë me rastet kur qytetarët nuk lajmërohen në stacionin policor.

“Momentin që ne e japim lajmërimin në automjet atij i shqiptohet gjoba por në qoftë se nuk është automjeti pronë e tij i shqiptohet shoferit, por në rastet kur nuk lajmërohet i shqiptohet pronarit të automjetit”, ka thënë Gollubovci.

Rreshteri ka treguar se plani i cili ka filluar para dy ditëve, do të vazhdoj varësisht nga situata.

“Në qoftë se e shohim se plani ka sukses do të vazhdojmë këtë plan në bashkëpunim më stacionet e rendit”, ka thënë rreshteri.

Rreshteri ka bërë të ditur se vetëm gjatë ditës së djeshme janë shqiptua rreth 140 gjoba për veturat të cilat kanë qenë të parkuara në mënyrë ilegale.

KALLXO.com ka raportuar dje për fillimin e zbatimit të këtij plani operativ.