Kujdes: Policia nisë sot formën e re të gjobitjes për parkingje

Policia e Kosovës ka filluar sot formë të re të gjobitjes së kundërvajtësve të cilët parkojnë veturat e tyre në vende të ndaluara për parking.

Policia në rajonin e Prishtinës ka njoftuar se këtë metodë të re e ka ndërmarrë duke parë se ka një numër të konsiderueshëm të kundërvajtësve, të cilët nuk respektojnë shenjat e trafikut për ndalim parkim, si dhe bazuar në ankesat e qytetarëve për bllokim të trotuareve.

Gjatë javës së kaluar, policia kishte paralajmëruar se plani për pastrimin e trotuareve nga parkimet e ndaluara, do të filloj me 10 qershor.

“Të gjitha veturat që do të hasen të parkuara në mënyrë të parregullt dhe në vendet e ndaluara për parkim, do të kenë njoftimin zyrtar për paraqitje të obligueshme në stacion policor, ku palës do t’i shqiptohet gjobë për kundërvajtje. (formën zyrtare, të nxjerrë nga Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia duke rikujtuar qytetarët se qëllimi i tyre nuk është ndëshkimi, kanë apeluar tek të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të zbatojnë me përpikëri normat dhe rregullat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

“Plani do të ketë shtrirje në të gjithë hapësirën rrugore të kryeqytetit dhe toleranca për kundërvajtësit do të jetë zero”, njofton policia.