Adem Hodza dhe Goran Rakiq - Foto: Facebook/AdemHodza (Arkiv)

Në gjykimin e deputetit të Listës Serbe, i dëmtuari kërkon përjashtimin e Gjykatës së Dragashit

Në gjykimin e deputetit të Kuvendi të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Adem Hodza, i akuzuar për kanosje, Fatir Berzati, i cili në këtë rast është palë e dëmtuar, ka kërkuar përjashtimin e degës së Gjykatës së Prizrenit në Dragash nga gjykimi i këtij rasti.

I dëmtuari me të filluar seanca gjyqësore paraqiti vërejtje lidhur me gjyqtaren e rastit, Sabaheta Kurteshi.

I njëjti kërkoi që gjykimi të vazhdojë në Gjykatën Themelore në Prizren apo edhe ndonjë gjykatë tjetër, po gjithsesi të jetë jashtë territorit të Dragashit.

Fatir Berzati e arsyetoi kërkesën e tij për përjashtim të degës së Gjykatës në Dragash me pretendimin se bashkëshorti i gjyqtares shoqërohet me të akuzuarin. Arsye tjetër, sipas tij, është edhe fakti se i akuzuari Adem Hodza është nga Dragashi dhe ka ndikim politik atje.

https://kallxo.com/deputeti-i-listes-serbe-me-aktakuze-per-kanosje-ndaj-ish-zevendesministrit/?fbclid=IwAR0-qwXirj0sLIF4SZ9aeCJe2qUQbmd1CxvfmzWM7NOOTL4K8a3ZAaQtTBQ

Por, kërkesën e tij e kundërshtoi avokati Hajrip Krasniqi, i cili deklaroi se Gjykata deri më tani  ka vepruar konform dispozitave të procedurës penale.

“Madje në këtë çështje gjyqtari i parë që e kishte çështjen  është tërhequr nga gjykimi i kësaj çështje pikërisht për të mos lënë dyshim te palët për anshmëri eventuale”, shtoi avokati.

Gjithashtu, Hajrip Krasniqi theksoi faktin se i dëmtuari me deklarimin e tij dëshiron të komprometojë të mbrojturin e tij si dhe sistemin gjyqësor, sepse, sipas tij, Gjykata vendos sipas dispozitave ligjore, e “kjo gjykatë nuk mund t’i plotësojë dëshirat  e personave se kinse i mbrojturi im shoqërohet me dikënd”.

Më tutje avokati Krasniqi shtoi se duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me një qytezë të vogël, është e kuptueshme që njerëzit mund të njihen apo të qëllojnë në vende ku mund të takohen, por pa pasur involvim në çështjen e caktuar.

Andaj mbrojtësi theksoi faktin se kjo aktakuzë sipas tij është ngritur pa pasur hetim paraprak nga ana e Prokurorisë dhe nuk ka qenë e bazuar dhe ka përshkrime për sulm e kanosje të inskenuara nga të dëmtuari.

Në këto rrethana, gjyqtarja e rastit Sabaheta Kurteshi ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, dhe  i kërkoi palës së dëmtuar Fatir Bërzati që kërkesën e tij për përjashtimin e gjyqtares dhe të Gjykatës Themelore Dega Dragash ta paraqesë edhe me shkrim, si dhe nuk u caktua datë tjetër për shqyrtimin e ardhshëm, përderisa të vendoset lidhur me kërkesën e të dëmtuarit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, Adem Hodza akuzohet se në nëntor të vitit 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane, në Dragash, ka përdorur forcë ndaj personit tjetër, këtu të dëmtuarit Fatir Berzati.

Sipas aktakuzës derisa të dëmtuarit Fatir Berzati dhe vëllai i tij Berzat Berzati, kur kishin shkuar në selinë e partisë pasi që e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, të akuzuarin Adem Hodza, i njëjti u është drejtuar me fjalët: ”Ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.

Më tutje në aktakuzë sqarohen veprimet e të akuzuarit Adem Hodza, i cili gjatë bisedës është ngritur dhe i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët: “Ti dil në rrugë, sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejtë të qëndrosh aty”.

Ndërsa sipas aktakuzës, përderisa i dëmtuari  Berzat Berzati ishte duke dalë jashtë, është goditur me shkelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas edhe me grushte dhe shuplaka në fytyrë të dëmtuarin Fatir Berzati.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Adem Hodza i ka kanosur të dëmtuarit  me fjalët “ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar me tutje me fjalët “ti dhe vëllai yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha”, sqarohet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren.