Gjykimi i Adem Hodzes - Foto: KALLXO.com

Tensione në seancën e gjykimit të deputetit të Listës Serbe

Pas një orë e gjysmë debat e tensione, është ndërprerë seanca gjyqësore ndaj deputetit të Listës Serbe, Adem Hodza.

Deputeti Hodza akuzohet nga Prokuroria e Prizrenit se më 26 nëntor 2017 ka sulmuar fizikisht Fatir Berzatin, i cili në atë kohë ishte zëvendësministër i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Hodza po akuzohet për dy vepra penale, sulm dhe kanosje.

Fatir Berzati ka qenë zëvendësministër i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nga data 27 shtator 2017 deri më 6 dhjetor të të njëjtit vit.

Seanca e sotme u përshkua me tensione dhe debate ndërmjet prokurorit të shtetit, Fatos Ajvazit, dhe avokatit Hajrip Krasniqi, i cili mbron të akuzuarin.

Gjithashtu kishte edhe momente tensioni ndërmjet të dëmtuarit Berzat Berzati dhe avokatit Krasniqi, të cilët kundërshtonin njëri-tjetrin në propozimet e tyre.

Në sallë ishte prezent edhe zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Hamza Balje, për të cilin i dëmtuari Berzat Berzati kërkoi që të përjashtoeht nga salla.

Në një moment gjatë debatit prokurori Ajvazi pyeti se pse zëvendësministri qenka në sallë të gjykimit, e jo në punë?

Për shkak të kundërshtimeve të shumta dhe paqartësive të paraqitura nga prokurori Ajvazi dhe nga avokati Krasniqi seanca është ndërprerë një orë e gjysmë pas fillimit.

Me të filluar shqyrtimi, kur gjyqtari i rastit Luan Berisha pyeti të pranishmit në sallë se a kanë vërejtje dhe a mund të fillohet me gjykimin, i dëmtuari Berzat Berzati tha që kjo seanncë nuk mund të vazhdojë për shkak  të disa personave të pranishëm në sallë.

Në sallë pos të akuzuarit Adem Hodza ishin edhe 3 dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria.

Pos dëshmitarëve i dëmtuari Berzat Berzati tha që nuk mund të vazhdojë me gjykimin ngase në sallë gjendeshin dy persona të cilët i kishin kanosur të dëmtuarit Berzat dhe Fatir Berzati.

Në sallë doli të jetë zëvendësministri Hamza Balje, i cili është i angazhuar pranë Ministrisës së Zhvillimit Ekonomik, gjithashtu edhe shoferi Enes Gorani.

I dëmtuari Berzat Berzati kërkoi që të njëjtit të largohen nga salla, e kjo krijoi edhe debat dhe paqartësui për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

Gjyqtari Luan Berisha kërkoi sqarime shtesë dhe arsye shtesë për përjashtimin nga seanca i personave të lartcekur.

Prokurori Fatos Ajvazi gjithashtu kërkoi përjashtimin nga salla e gjykimit të atyre dy personave, sepse sipas njoftimit nga të dëmtuarit Hamza Balje dhe Enes Gorani i kishin kërcënuar të dëmtuarit, që të tërhiqeshin nga ndjekja penale ndaj deputetit të Listës Serbe Adem Hodza për veprat penale sulm dhe kanosje.

Por avokati Hajrip Krasnqi i pakënaqur me këto pretendime të të dëmtuarve dhe të prokurorit ashpër e kundërshtoi përjashtimin e kujtdo që gjendej në sallë të gjykimit, përderisa këto pretendime për kërcënim apo kanosje të të dëmtuarve nuk do të argumentoheshin dhe të vërtetoheshin me fakte konkrete.

“Kemi të bëjmë vetëm me supozime, e me asnjë provë. Prokurori nuk e dëshmoi se ka ndonjë rast të hapur ndaj dy personave të cekur për kanosjen e të dëmtuarve Berzat dhe Fatir Berzati”, tha ai.

Avokati Hajrip Krasniqi gjithashtu shtoi se të dëmtuarit po tentojnë ta zhagisin procedurën, sepse edhe më parë me kërkesa të tyre janë shtyrë disa seanca, janë përjashtuar nga ky rast dy gjyqtarë të Gjykatës së Dragashit. “Qëllimi i të dëmtuarve është për të diskredituar personalitetin e Hamza Baljes, si dhe të të mbrojturit tim Adem Hodza, e po ashtu kanë paraqitur edhe raste të ndryshme në Polici, për njollosjen e personalitetit të Adem Hodza, por edhe të personave për të cilët po kërkojnë përjashtim nga salla e gjykimit”, shtoi avokati.

Këtë rast fillimisht e kishte pasur gjyqtari Bekri Vehapi, i cili vetë kishte kërkuar të përjashtohet nga ky rast, dhe rasti i është kaluar gjyqtares tjetër nga Dragashi Sabaheta Kurteshi,  për të cilën i dëmtuari Fatir Berzati kishte paraqitur kërkesë për përjashtimin e saj, nën dyshimin për paanshmëri.

Kur kishin kaluar gati 3 muaj nga kërkesa e të dëmtuarit, është vendosur që rasti t’i kalojë një gjyqtari tjetër, por i cili vjen nga Gjykata e Prizrenit  dhe jo nga dega në Dragash.

Në këtë situatë prokurori Fatos Ajvazi kërkoi një kohë të shkurtët për të verifikuar në Prokurori për të shikuar se a kishte rast të hapur ndaj personave për të cilët kërkoi të përjashtoheshin nga salla, me arsyetimin se kanë kanosur të dëmtuarit për t’u tërhequr nga rasti i ndjekjes penale ndaj të akuzuarit Adem Hodza.

Me t’u kthyer në sallë prokurori Ajvazi tha që qëndron pranë propozimit për përjashtimin e personave në sallë, sepse sipas verifikimit, del se në Prokurorinë e Prizrenit është një rast i kanosjes i hapur ndaj Enes Goranit, por nuk ka detaje të tjera për rastin, ndërsa për zëvendësministrin Hamza Balja, prokurori Ajvazi tha që mund të ketë rast të hapur, por që mund të jetë në punë te prokurorë të tjerë.

Ndaj këtij deklarimi të prokurorit dëshmitarët e pranishëm dhe i akuzuari Adem Hodza reaguan dhe qeshën.

Ky veprim i tyre i pengoi prokurorit Fatos Ajvazi, i cili iu drejtua avokatit Krasniqi dhe të akuzuarit se “si shumë me hajgare e keni marrë këtë punë, mos qeshni se shumë serioze është”.

Edhe avoakti Hajrip Krasniqi i kërkoi gjyqtarit Luan Berisha t’i tërheq vërejtjen të dëmtuarit Berzat Berzati në sjelljen e tij dhe për fjalët dhe mënyrën se si i dëmtuari Berzati po i drejtohet avokatit Hajrip Krasniqi.

U desh ndërhyrja dhe reagimi me zë të lartë i gjyqtarit që të qetësoheshin palët, duke iu tërhequr vërejtjen palëve dhe duke iu kërkuar seriozitet.

Prokurori Fatos Ajvazi nguli këmbë për përjashtimin e zëvendësministrit Hamza Balje dhe shoferit Enes Gorani.

“Nëse ky është zëvendësministër pse sot nuk është në vendin e punës, por ka ardhur në Gjykatë”, pyeti prokurori Ajvazi për arsyet e pranisë së zëvendësministrit Balje.

Avokati Hajrip Krasniqiq i pakënaqur me reagimet e prokurorit tha që i njëjti ka leje për të qenë i pranishëm në Gjykatë dhe se ka ardhur të interesohet për rastin e deputetit të Listës Serbe Adem Hodza se si po rrjedh rasti, dhe se është e drejtë e gjithsecilit të marrë pjesë në një gjykim të hapur dhe publik.

Në këtë situatë të paqartë dhe me shumë kundërshtime, avokati Krasniqi propozoi që të ndërpritet shqyrtimi gjyqësor, dhe deri në seancën e ardhshme Prokuroria të sigurojë prova nëse ndaj dy personave që po kërkon përjashtimin nga publiku ka rast të hapur apo jo.

Gjyqtari Luan Berisha pas 1 orë e gjysmë debat dhe diskutime ndërpreu seancën, duke caktuar datën 19 qershor, deri kur Gjykata do të kërkojë nga Policia dhe Prokuroria detaje për pretendimet e të dëmtuarit Berzat dhe Fatir Berzati.

“Nëse qëndron kjo se ndaj të dëmtuarve Berzati ka ndodhur kanosje nga personat në fjalë Enes Gorani dhe Hamza Balje, atëherë kemi një rrethanë ku unë si gjyqtar duhet me vendos se si rrjedh gjykimi në sallë të gjykatës, dhe se kush mund të marrë pejsë e kush jo, dhe nëse ka të hapur rast me verifiku a ndërlihet drejtpërdrejt me këtë rast apo jo”, tha gjyqtari Luan Berisha.

Deri në atë datë Gjykata do të dërgojë edhe ftesa për dëshmitarë tjerë, të cilët u propozuan nga prokurori.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokuroria e Prizrenit, Adem Hodza akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG), në Dragash, me dashje përdor forcë ndaj personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë, që derisa të dëmtuarit Berzat Berzati dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hodza, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës i pandehuri Adem Hodza është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati “ti del në rrugë, sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejtë të qëndrosh aty”.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dalë jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin Fatir Berzati.

Sipas aktakuzës, kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët “ty dhe vëllanë tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar me tutje me fjalët “ti dhe vëllai yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, he ja u q***n***, r***”, gjë që, sipas prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.