Adem Hodza dhe Goran Rakiq - Foto: Facebook/AdemHodza (Arkiv)

Shuhet Grupi Parlamentar 6+ në Kuvend, deputeti kalon në grupin e Listës Serbe

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hodza, e ka braktisur grupin parlamentar 6+, për t’iu bashkuar atij të Listës Serbe.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.

Pas tërheqjes së deputetit Hodza, grupi parlamentar 6+ nuk ekziston më në Kuvend sepse ka mbetur vetëm me pesë anëtarë përderisa Lista Serbe i bën 11 anëtarë në grupin e vet.

Deputeti Adem Hodza është nga radhët e komunitetit goran.

Grupi 6+ mbledh deputetët e komuniteteve pakicë (boshnjakë, turq, goranë e romë).