Ish-zëvendësministri ankohet në gjykatë se është i kërcënuar

Fatir Berzati, ish- zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik, u ankua sot para gjykatës se po kërcënohet nga tashmë i akuzuari, Adem Hodza.

Ish – deputeti, Adem Hodza  akuzohet nga Prokuroria e Prizrenit se më 26 nëntor 2017 ka sulmuar fizikisht Fatir Berzatin.

Hodza po akuzohet për dy vepra penale, sulm dhe kanosje.

I dëmtuari Fatir Berzati iu ankua gjyqtari të rastit Luan Berisha se po kërcënohet nga i akuzuari qoftë në takime  të drejtpërdrejta qoftë nëpërmjet telefonave dhe mesazheve.

Në ora 10:00 në objektin e Gjykatës Themelore në Dragash ishte e paraparë të fillonte gjykimi ndaj ish – deputeti të listës Serbe Adem Hodza, i cili po akuzohet për sulm dhe kanosje.

Gjyqtari Luan Berisha, në pritje të prokurorit që nuk kishte arsyetuar mungesën ka  kontaktuar prokurorin Besim Susuri  nëpërmjet telefonit, por prokurori Susuri  i kërkoi gjyqtarit të shtynte seancën gjyqësore për në ora 11:00, sepse prokurori kishte menduar që seanca do të mbahej në objektin e Gjykatës në Prizren.

Këtë nuk e kundërshtuan as të dëmtuarit Berzat dhe Fatir Berzati, por as mbrojtësi i të akuzuarit avokati Hajrip Krasniqi.

Prokurori kërkoi faje publike me të arritur në sallën e gjykimit, pasi që ka ndodhur një keqkuptim andaj i njëjti kërkoi mirëkuptimin e të pranishmeve në procedurë.

I dëmtuari Fatir Berzati i cili për një periudhë ka ushtruar detyrën e zëvendës ministrit të u paraqit  para gjykatës në cilësi të dëshmitarit.

I akuzuari Adem Hodza ndaj të dëmtuarit Fatir parashtroi pyetje që kishin të bënin lidhur me një kontratë ndërmjet të dëmtuarit Fatir Berzati dhe Partisë Unike të Goranëve, si dhe e pyeti se kush e kishte propozuar të njëjtin për postin e zëvendës ministrit.

I dëmtuari Fatir Berzati tha se nuk i kuptonte pyetjet e tilla,  pasi që nuk kishin lidhje me objektin e aktakuzës dhe kërkoi që të këto pyetje të sqarohen. Gjithashtu, ai deklaroi se ka refuzuar, refuzon dhe do të refuzoj të përgjigjet në pyetjet që kanë të bëjnë me mënyrën dhe rrugën se si është punësuar në partinë JGP dhe si zëvendës ministër.

Gjithashtu, këto pyetje i kundërshtoi edhe prokurori Besim Susuri, duke thënë se këto fakte nuk kanë të bëjnë fare me aktakuzën dhe veprat penale që akuzohet Adem Hodza, andaj i kërkoi gjykatës që i akuzuari të fokusohet në pyetje që kanë lidhje me këtë çështje.

Këto pyetje i lejoi gjyqtari Luan Berisha.

I dëmtuari  Fatir Berzati tha se kontrata e paraqitur nga i akuzuari Adem Hodza nuk mban nënshkrimin e tij, duke ofruar si provë letërnjoftimi e tij personal për të bërë krahasim e nënshkrimeve, ndërsa nuk iu kujtua se kush e kishte propozuar si zëvendës ministër.

Berzati deklaroi se ai, vëllai i tij Berzat Berzati dhe familjarët e tij, ndihen të kërcënuar nga Adem Hoxha dhe grupi i tij, qoftë në takime direkt me të, apo edhe përmes mesazheve dhe thirrjeve telefonike të ndryshme.

Kur u diskutua për caktimin e seancën së ardhme, mbrojtësi i të akuzuarit avokati Hajrip Krasniqi i propozoi gjykatës që seanca e ardhshme të caktohej pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale.

Kjo pasi që i akuzuari Adem Hodza është kryetar i Partisë Unike të Goranëve, dhe për shkak të angazhimeve u kërkuar që shqyrtimet e ardhshme të caktohen pas zgjedhjeve nacionalë.

Kështu seanca e ardhshme u caktua për datën 15 tetor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokuroria e Prizrenit, Adem Hodza akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG), në Dragash, me dashje përdor forcë ndaj personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë, që derisa të dëmtuarit Berzat Berzati dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hodza, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës i pandehuri Adem Hodza është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati “ti del në rrugë, sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejtë të qëndrosh aty”.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dalë jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin Fatir Berzati.

Sipas aktakuzës, kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët “ty dhe vëllanë tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar me tutje me fjalët “ti dhe vëllai yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, he ja u q***n***, r***”, gjë që, sipas prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.