‘Bombarduesi’ vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll

Me nëntë gola të shënuar dhe një asistim, sulmuesi i Flamurtarit, Alban Shillova, e mbylli sezonin vjeshtor të Superligës së Kosovës në futboll në krye të listës së golashënuesve.

Me këto shifra, ai ka arritur ta barazojë numrin e golave me ata që i ka shënuar i tërë ekipi i Ferizajt në këtë ligë.

Në një intervistë për KALLXo.com, Shillova flet për sezonin vjeshtor.

“Të them të drejtën nuk është se e kam pritur personalisht, por kemi punuar mjaftë shumë si skuadër dhe si grup edhe ka ecë mirë. Gjithashtu këtu duhet me e përmendë që edhe si ekip si klubi Flamurtari kemi pasur sukses. Duke pasur parasysh se Flamurtari në vitet e shkuara nuk është që ka qenë kaq stabil sa është tani sa i përket rezultateve, ka ardhë edhe suksesi i im për të cilin jam shumë i lumtur. Pas gjysmë sezoni që jam golashënuesi më i mirë me nëntë gola (në ligë) dhe një gol për kupë”, thotë ai.

Shillova ka treguar se çka i duhet një futbollisti që të shpallet golashënuesi më i mirë. Ai po ashtu e ka falënderuar trajnerin Arsim Thaçin i cili ka punuar me të shume dhe ka pasur besim në të.

“Po mendoj që i duhet vetëm puna dhe të ketë besim në vete. Unë i jam shumë mirënjohës trajnerit i cili prej fillimit të sezonit ka pasur shumë besim në mua edhe prej fillimit të sezonit ka pasur besim në mua se unë kam me u shpallë golashënuesi i ligës. Ka punuar me mua çdo stërvitje vetëm për të shënuar gola dhe ia ka arritur”, thotë ai.

Alban Shillova

Shillova thotë se do ta mirëpriste ndonjë ofertë nga ndonjë skuadër jashtë Kosovës. Por edhe pse tani ka pasur oferta nga ekipe nga Superliga e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, por ka vendosur që t’i qëndroj besnik Flamurtarit.

“Çdo sportist i cili luan në Ligën e Kosovës synon që të arrijë në ndonjë shtet tjetër apo në ndonjë ligë më të fortë se që është Superliga e Kosovës. Pra, nëse vjen ndonjë ofertë nga jashtë është e mirëpritur. Edhe tani kam pasur oferta edhe nga Superliga e Kosovës, por edhe nga jashtë saj nga Superliga e Shqipërisë, por unë kam kontratë deri në fund të sezonit me Flamurtarin dhe nëse kryetari i klubit arrin ndonjë marrëveshje pse jo”, thotë ai.

Golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës, për sezonin vjeshtor ka një këshill për lojtarët e rinjë që dëshirojnë të bëhen sulmues.

“Unë u sugjeroj që duhet të punojnë më shumë vetëm me stërvitje dhe punë arrihet suksesi dhe duke pasur parasysh se futbolli i Kosovës çdo vit e më shumë po ka ngritje. Pasi siç dihet jemi pranuar në instancat më të larta siç është FIFA dhe UEFA, edhe për çdo vit ka rritje sidomos në futbollin e Kosovës i cili pothuajse çdo vit po shkon duke i barazuar shtetet ballkanike të cilat janë për rreth Kosovës”, thotë Alban Shillova.

E trajneri i Flamurtarit, Arsim Thaçi, ka thënë se ndjehet me fat që e ka në skuadër Alban Shillovën.

“Trajneri mundet me ndiku në një masë  për lojtarin që me e ngritë performancën e tij. Por, ajo që e bën të veçantë Albanin është se tanimë ka një karrierë të gjatë në futbollin e Kosovës edhe normal si rezultat i asaj ka ardhë në shprehje si lojtar edhe te Flamurtari. Jam trajner me fat që brenda ekipit e kam pasur Albanin edhe si rezultat i golave të tij, Flamurtari ka arritur të arkëtojë një numër të madh të pikëve”, thotë trajneri Arsim Thaçi.