Anel Rashkaj: Është kënaqësi që jam serish pjesë e Kombëtares së Kosovës

Mesfushori kosovar Anel Rashkaj, ka folur për media pas stërvitjes me Kombëtaren e Kosovës, përpara ndeshjeve kualifikuese për ‘Euro 2020’, ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Rashkaj ka thënë se është kënaqësi për të që është përsëri pjesë e Kosovës.

Ai ka thënë se duhet të jenë optimist nëse i shikojnë ndeshjet e mëparshme të Kosovës

“Për mua është kënaqësi që jam sërish pjesë e Kombëtares. Tani në grup janë shumë lojtarë që më parë nuk kanë qenë, por mendoj se kualiteti tani është shumë më i lartë. Shumicën e tyre i njoh, pasi i kam ndjekur të gjitha ndeshjet dhe më kanë pritur shumë mirë. Ekipi është në një seri të mirë. Kundër Bullgarisë munguan vetëm tre pikët sepse loja ishte shumë e mirë. Nëse i marrim parasysh ndeshjet e deritashme duhet të jemi optimistë”, ka theksuar Rashkaj.

Anel Rashkaj, ishte kapiten i Kosovës para se kjo e fundit të pranohej nga UEFA e FIFA dhe tani është rikthyer përsëri të luaj për “Dardanët”.