Analistët tregojnë ku duhet të bëjë kujdes Kosova në ndeshjen me Azerbajxhanin

Nesër Kosova do ta luajë ndeshjen më të rëndësishme në kuadër të Grupeve në Ligën e Kombeve.

Në stadiumin “Fadil Vokrri”, kombëtarja e Kosovës pret Azerbajxhanin.

Ndeshja nis në ora 20:45.

“Dardanëve” i mjafton barazimi apo fitorja që të dalin të parët në grup, pasi pas pesë lojërave i kanë grumbulluar 11 pikë.

Kosova ka shënuar tri fitore dhe dy barazime, kurse kundërshtari Azerbajxhani gjendet në vendin e dytë me nëntë pikë, dhe për të dalë i pari në grup i duhet që ta mposhtë Kosovën.

Pra, ndeshja e nesërme për kombëtaren e Kosovës do te jetë vendimtare për Grupin 3 të Ligës D. Fituesit e grupeve të Ligës së Kombeve, duhet të presin deri në mars të vitit 2020-të për ta zhvilluar fazën gjysmëfinale dhe finale të play-off-it, pasi të përfundojë faza e grupeve.

Katër fitueset e grupeve në Ligën D, ku ndodhet Kosova, do të përballen ndërmjet vete njëherë në gjysmëfinale, e pastaj në finale. E për finale hidhet shorti nga UEFA, se kush do të jetë vendas.

KALLXO.com ka pyetur ish-futbollistin e Kosovës dhe analistin sportiv Muhamet Dragusha dhe trajnerin e futbollit Gani Sejdiun, se si duhet të luajë Kosova në ndeshjen e nesërme ndaj Azerbajxhanit.

Dragusha thotë se nesër Kosova duhet të hyjë në lojë pa presion për gol dhe t’i fusin në vështirësi lojtarët e Azerbajxhanit.

“Kosova nesër duhet të hyjë pa presion për gol, të luajë lojën, ta kontrollojë topin dhe si rrjedhojë e lojës së mirë të krijojmë raste që t’i fusim në vështirësi Azerët, që kanë një ekip të mirë. E mira e gjitha këtij kompeticioni është se tashmë njohim të gjithë kundërshtarët, pasi jemi ndeshur me secilin. Trajneri dhe stafi sigurisht se kanë pasur kohë ta analizojnë dhe gjejnë ato hapësira, apo dobësi që ka kundërshtari i ynë”, thotë Dragusha për Kallxo.com.

Tutje, analisti sportiv thotë se nesër lojtarët e Kosovës duhet t’i qasen lojës me seriozitetin më të madh, duke luftuar në çdo cep të fushës.

“Unë mendoj se duhet t’i qasemi lojës me seriozitetin më të madh, duke luftuar në çdo cep të fushës dhe duke kontrolluar topin me posedim pasi kualiteti që kemi na mundëson një gjë të tillë ta bëjmë”, thekson ai.

Muhamet Dragusha është i bindur që Kosova ka cilësi më të lartë se Azerbajxhani dhe se nesër “Dardanët” do të festojnë në fund të ndeshjes.

“Mendoj se jemi më lartë në cilësi se kundërshtari dhe kemi përparësinë e vendasit që do të jetë një super atmosferë që vetë këta futbollist me lojëra të mira e rezultate i kanë bërë për vete tifozët, ndoshta edhe ata laikët që asnjëherë as që e kanë menduar këtë sukses. Barazimi apo fitorja do ta mbyllte gjithë atë cikël që e zhvilluam deri më tash, që ta vazhdojmë drejt një qëllimi që më të vërtetë nuk është i pamundur. Kosova nesër do të festojë në fund”, thekson Muhamet  Dragusha.

Muhamet Dragusha- Foto: Facebook

Ndërsa, trajneri i futbollit Gani Sejdiu thotë se Kosova nesër nuk duhet të dalë jashtë filozofisë së saj që e ka sjellë deri këtu, por duhet vetëm të ketë kujdes deri te shënimi i golit të parë.

“Kosova nuk duhet të dalë jashtë filozofisë së saj e cila e ka sjellë deri këtu, por duhet vetëm te jetë më e kujdesshme deri sa të vijë goli i parë”, thotë Sejdiu.

Gani Sejdiu thotë që Azerbajxhani që nga fillimi i ndeshjes pritet të jetë agresiv e kjo i jep mundësi Kosovës që t’i shfrytëzojë kundërsulmet, pasi faza defensive e kundërshtarit është më pak e organizuar.

Ai tha se nesër pret fitore të Kosovës.

“Kundërshtari e ka vetëm fitoren si alternativë dhe pritet që të jetë nga fillimi agresiv dhe kjo e bën njëkohësisht të jetë edhe më pak e organizuar në fazën defensive gjë që ne e kemi mundësi më të mëdha që ta dënojmë sidomos nga kundërsulmet e që për mua është arma më e fortë e kombëtares. Kualiteti është në anën tonë, kështu që pres një fitore e cila do të jetë një përmbyllje e një kapitulli historik për neve”,  thotë trajneri i njohur kosovar për Kallxo.com.

 

Gani Sejdiu, trajneri Vllaznimit GJ – Foto: Facebook

Kosova humbjen e fundit e kishte pësuar me 9 tetor të vitit 2017, me rezultat 2-0 ndaj Islandës, e trajner i “Dardanëve” në atë kohë ishte Albert Bunjaki.

Prej 2 marsit të këtij viti kur u emërua trajner i KosovësBernard Challandes e ka udhëhequr Kosovën në 8 ndeshje ku ka shënuar 6 fitore dhe 2 barazime. Gjatë udhëheqjes së Challandes, Kosova ka shënuar 17 gola e ka pësuar vetëm 2.

FOTOGALERI: Stërvitja e kombëtares së Kosovës