Analistët e futbollit flasin për 'jetën e re' të Kosovës në gara ndërkombëtare

Kosova do të luajë të enjten miqësore me Kombëtaren e Danimarkës me fillim prej orës 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Djelmoshat e Bernard Challandes nuk kanë luajtur prej 20 nëntorit të vitit 2018, kur e mposhtën Azerbejxhanin me rezultat 4-0, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Të enjten, “Dardanët” do të përballen me njërën prej kombëtareve më të forta në botë si Danimarka.

Vet Challandes, të hënën, kur doli para gazetarëve, paralajmëroi se ndeshjet e ardhshme nuk do të jenë të lehta sikur ato të Ligës së Kombeve, meqë Kosova është ngritur për një kategori më lartë në futbollin ndërkombëtar, prandaj edhe e presin kundërshtarë më të vështirë.

VIDEO – Bernard Challandes flet për ‘jetën e re’ të kombëtares së Kosovës

“Është një garë e re, jetë e re për ekipin tonë. Për mua është shumë fazë interesante për zhvillimin e ekipit tonë. Vitin e kaluar kemi pasur sukses por për mua gjithçka fillon nga zero”, shtoi ai.

Danimarka në ranglistën botërore të FIFA-s, për kombëtare pozicionohet në vendin e 10-të me 1599 pikë.

Danezët në Kampionatin Botëror në vitin 2018 u eliminuan në çerekfinale nga Kroacia.

Këto statistika tregojnë se Kosova të enjten do të ketë një ndeshje të vështirë edhe pse është një miqësore.

Se si duhet të luajë Kosova, me çfarë vendosje se a ka gjasa që të nxjerrë rezultat pozitiv në këtë ndeshje, për KALLXO.com, ka folur trajnerët dhe analistët sportivë Genc Sermaxhaj, Gani Sejdiu dhe Ajet Shosholli.

Analisti sportiv Genc Sermaxhaj, miqësoren ndaj Danimarkës të enjten e sheh si një aspekt pozitiv, para ndeshjes ndaj Bullgarisë që e luan të hënën për kualifikimet e Euro 2020.

“Kjo ndeshje është e mirë se ardhur për lojtarët e përfaqësueses sonë para ndeshjes tjetër të hënën ndaj Bullgarisë që është e vlefshme për Euro 2020. Në këtë ndeshje duhet të startohet me lojtarët të cilët do të luajnë edhe ndaj Bullgarisë, për të parë formën e tyre, poashtu edhe të përvetësohen elementet taktike. Lojtarët të cilët këto ndeshjet e fundit në ekipet e tyre kanë shënuar gola e po kalojnë në formë të mirë, pikërisht duhet ata të luajnë që të vazhdojnë me formën e mirë dhe me cilësi edhe në përfaqësuese”, ka thënë Sermaxhaj për Kallxo.com.

Sipas ish-futbollistit të Kosovës, djelmoshat kosovarë duhet të kenë kujdes në repartin e mbrojtjes dhe t’i shfrytëzojnë lojtarët e shpejtë që i ka Kosova në sulm duke i ndëshkuar danezët.

Gjithashtu sipas tij, Kosova duhet t’i bëjë presion Danimarkës e mos t’ia lejoj qarkullimin e topit.

“Ndaj Danimarkës duhet të kemi kujdes në repartin defensivë, të luajmë me një mbrojte të ulët e më pas të shfrytëzojmë lojtarët tanë të shpejtë në pjesën e sulmit dhe t’i dënojmë danezët. Gjithashtu duhet të bëjmë presionin në kohën e duhur në mënyrë që mos t’i lejojmë atyre qarkullimin e topit, sepse e dimë se janë kombëtare e mirë dhe shumë vrapuese”, analizon Genc Sermaxhaj.

Për Sermaxhajn, rezultati ndaj Danimarkës nuk ka rëndësi të madhe, pasi është miqësore, po për të e rëndësishme është që ndeshja ndaj danezëve do t’i shërbejë Kosovës për t’u komponuar ndaj Bullgarisë të hënën me 25 mars.

“Fundja rezultati i kësaj ndeshje nuk ka shumë rendësi, por të arrijmë të komponohemi sado pak, pasi që kanë kaluar disa muaj prej ndeshjes së fundit nga Liga e Kombeve dhe forma e ekipit ka mundësi të ketë ndryshuar. Duhet të jemi optimistë dhe me besim të plotë që kjo ndeshje do të jetë përgatitje e mirë para asaj ndaj Bullgarisë, ku aty duhet të jemi më të vëmendshëm dhe me plot përkushtim. Sigurisht se edhe rezultati i dëshiruar pastaj do të vij”, potencon Sermaxhaj.

Ndërsa trajneri dhe analisti sportiv Ajet Shoshooli, kujton se Danimarka është një kombëtare e fortë e cila e ka fituar Europianin në vitin 1992.

Sipas tij, kjo ndeshje seleksionuesit Bernard Challandes do t’i shërbejë që të provojë skema të ngjashme me ato që do t’i përdorë ndaj Bullgarisë.

“Danimarka është një kombëtare shumë e fortë, përveç se ishte çerekfinaliste në Kampionatin e Botës në vitin 2018, ajo ka qenë edhe fituese e Europianit në vitin 1992, të mbajtur pikërisht në Danimark. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë e cila do të shërbejë për seleksionuesin tonë që të provojë skema të ngjashme që do t’i përdorë me Bullgarinë e që është ndeshje edhe shumë ma e rëndësishme për një fillim të mbarë në këto kualifikime”, shprehet Shosholli për Kallxo.com.

Ajet Shosholli

Sipas trajnerit të shumë skuadrave kosovare Challandes nuk duhet të ndryshojë shumë nga skema e formacionit që ka funksionuar në Ligën e Kampionëve, e cila doli të jetë e suksesshme.

“Mendoj që Challandes nuk duhet ndryshuar shumë nga skema dhe formacioni që luajtëm deri më tani, përveç nëse nuk ia imponon situata momentale e cila do të ndodhte gjatë ndeshjes”, ka thënë Shosholli.

Për trajnerin e analistin sportiv, Gani Sejdiu, përballja ndaj Danimarkës është një miqësore e mirë dhe do t’i shërbejë mirë Kosovës.

“Është një miqësore e denjë për ne, sepse është kundërshtari shumë kualitativ dhe i nivelit të lartë. Prandaj është një test i vështirë, por edhe i mirëseardhur dhe shumë domethanës për ne. Selektori do të paraqitet në mënyrën që ai ka planifikuar të ndeshet ndaj Bullgarisë dhe me alternativat e mundshme”, ka thënë Sejdiu për Kallxo.com.

Sejdiu beson se falë formës së mirë të lojtarëve të Kosovës, kombëtarja e jonë do të paraqitet në mënyrë dinjitoze ndaj Danimarkës.

“Jemi në një moment shumë pozitiv si në aspektin e përgjithshëm, por edhe në atë individual ku jemi dëshmitarë të paraqitjeve fantastike të lojtarëve tanë nëpër klubet e tyre përkatëse e që është shumë pozitive për ne dhe në një moment vendimtar. Besoj shumë në një ndeshje dinjitoze dhe me nivel e cila do të na shtonte vetëbesimin për ndeshjen e parë kualifikuese, prandaj duhet të mundohemi që pavarësisht që është miqësore të luajmë edhe për rezultat, mu për këtë arsye të vetëbesimit dhe moralit”, ka potencuar Sejdiu.

Kosova do të luaj ndeshjen e parë për kualifikimet e Euro 2020, ndaj Bullgarisë me 25 mars prej orës 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.