Lobimi në SHBA, prokuroria ngre akuzë ndaj Lulzim Bashës

Kreu i PD Lulzim Basha është thirrur të hënën nga Prokuroria e Tiranës për t’u njohur me akuza për “falsifikim” dhe “pastrim parash” në lidhje me hetimin për pagesat e Partisë Demokratike për lobistë në SHBA. Basha akuzoi Ramën se kishte hapur hetime kundër tij me “metoda putiniane”.

 

Një faksimile e pafirmosur e një dokumenti me titull “Ftesë për paraqitje”, por që kishte emrat e tre prokurorëve të çështjes që po hetojnë shpenzimet e Partisë Demokratike për lobim në SHBA në vitin 2017, u shpërnda në media, për të njoftuar se të hënën që vjen, Prokuroria e Tiranës ka thirrur kreun e PD Lulzim Basha për t’i njoftuar  dy akuza.

Sipas faksimiles Basha akuzohet për vepra penale të parashikuara nga nenet 287/ç dhe 190/3, që kanë të bëjnë me “pastrim parash” dhe “falsifikim dokumentesh”. Përveç Bashës, për këtë çështje janë proceduar edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi.

Në një reagim në faqen e tij në Facebook Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se kishte “ngritur akuzat ndaj tij”. “Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike”, thuhet në reagimin e Bashës.

BIRN konfirmoi nga dy prokurorë të çështjes që kërkuan megjithatë të mosidentifikoheshin se faksimilja ishte e vërtetë dhe kreu i PD, ish-deputeti Ristani dhe finacieri i PD do merreshin të pandehur.

Në letrën që mban emrat e prokurorëve Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj, ata akuzohen  se “kanë kryer vepra penale të parashikuara nga nenet 190/3 dhe 287/ç të Kodit Penal”. Ndërsa aty thuhet se “Paraqitja kërkohet për të njoftuar akuzën dhe për t’u marrë në pyetje me cilësinë e të pandehurit”.

Konkretisht sipas prokurorisë akuzat janë për “falsifikim dokumentash” të kryera “nga zyrtari që ka për detyrë hartimin e tyre” dhe “kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Ndërkohë Basha sulmoi kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar se kishte “një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike”. Basha e cilësoi aktin si një veprim në dëshpërim “për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet”.

Ai po ashtu i cilësoi akuzat si “metoda alla Putin dhe Maduro, për t’u mbyllur gojën dhe neutralizuar kundërshtarët politikë dhe shkatërruar demokracinë”, ndërsa listoi një numër emrash pranë ramës dhe PS që sipas tij nuk ishin hetuar nga prokuroria.

Hetimi për këtë çështje u njoftua në nëntor 2017 nga Prokuroria e Tiranës, në lidhjet me disa kontrata të Partisë Demokratike për kompani konsulence në SHBA.

Hetimi i Prokurorisë nisi pasi një investigim i BIRN, gjeti se Partia Demokratike fshehu pagesa prej më shumë se gjysmë milionë dollarë për një kompani lobimi në Uashington dhe dështoi të bënte transparencë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që njëra prej transfertave u bë nga një kompanie guackë me aksionerë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.

Partia Demokratike e udhëhequr Basha lidhi dy kontrata me lobistin  e saj në Uashington, ‘Stonington Strategies’, pjesë e Muzin Capitol Partners. Muzin Capitol Partners LLC është themeluar nga Nicolas Muzin, një këshilltar strategjik dhe zëvendës-shef shtabi për senatorin Republikan, Ted Cruz gjatë fushatës së tij për President në vitin 2016.  I trajnuar si mjek dhe jurist, Nick Muzin ka punuar gjithashtu si shef stafi i senatorit Tim Scott, kur ky i fundit ishte në pozicionin e kongresmenit.

Në prag të zgjedhjeve të qershorit 2017, Basha siguroi një takim të shkurtër dhe fotografi me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilën Muzin e paraqit si një sukses së kompanisë së tij.

Në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, “Stonington Strategies” deklaron se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD në vitin 2017 dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci, në vlerën e 150 mijë USD.

Ndryshe pretendon Partia Demokratike. Sipas raportit vjetor të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo e fundit deklaron se gjatë vitit 2017 në total ka shpenzuar 26.4 milionë lekë në konsulenca, nga të cilat Muzin Capitol Partners – kompania mëmë e Stonington Strategies ka përfituar vetëm 3.1 milionë lekë (25,000 USD).

Vendimi i prokurorisë për të thirrur dhe marrë të pandehur Bashën vjen në një situtaë tensioni politik në vend, pasi PD dhe LSI dy forcat kryesore opozitare dogjën mandatet e deputetëve dhe kanë organizuar një sërë protestash kundër qeverisë.

PD dhe LSI po ashtu kanë refuzuar të hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa akuzojnë Ramës se përdori krimin e organizuar për të blerë zgjedhjet e vitit 2017. Duke iu referuar po ashtu një dosje të prokurorisë për hetim të narkotrafikut, por kur rezultuan në përgjime edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, përfshi kryebashkiakun aktual të Durrësit.