Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Në pritje të një zyre diplomatike diku ‘ku se presim’

Për fundvit, por për herë të parë dhe të fundit për në këtë vit, pritet e flitet që Kosova të bëhet me një zyre të re diku në botë, si hap drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Të paktën, kjo është e vetmja e dhënë e bërë publike.

Hapjen e kësaj zyre, të cilën nuk e bëri të ditur se në cilin vend, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e sheh si një nga arritjet e diplomacisë së Kosovës për vitin 2023.

“Pa kaluar Viti i Ri do të arrini ta kuptoni që do të kemi një zyrë të re të Republikës së Kosovës në një vend që nuk pritet këto ditë” – tha ajo në një intervistë për KALLXO.com.

Ndërkaq për hapat që janë ndërmarrë për diplomacinë këtë vit, Gërvalla përpos kësaj zyre, vlerësoi si arritje emërimin e Drilon Gashit ambasador në Poloni, edhe pse ende nuk është caktuar një zyrë ku do të punoj ekipi diplomatik.

Më 8 nëntor 2022, Qeveria e Polonisë ka lidhur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve konsullore.

Ndërkaq, për lobimin me pesë shtetet e Bashkimit Evropian: Spanja, Qipro, Sllovakia, Greqia dhe Rumania, që determinojnë të ardhmen evropiane e Kosovës, Gërvalla tha që “ne vazhdimisht jemi shumë afër, sa që nuk e dimë pse nuk po ndodhin, megjithatë është iluzion të mendojmë që varet vetëm nga përkushtimi i Kosovës.”

“Unë nuk mund t’ia imponoj vullnetin tim shteteve tjera, çfarë mund të bëj është të mos e ndalë punën time asnjë ditë, të përpiqem me argumente, ura të miqësisë” – tha ajo.

Gërvalla thotë që marrëdhëniet më këtë pesëshe dhe nismat për këtë çështje, kanë mbetur peng i dialogut me Serbinë, “pasi që është një çështje që bashkësia ndërkombëtare do ta mund të zgjidh së shpejti.”

Një vit më parë, në intervistë për KALLXO.com, Gërvalla kishte folur të njëjtat fjalë për çështjen e njohjeve, megjithatë nuk ka asgjë në sipërfaqe dhe se nuk dihet nëse kjo zyrë do jetë në njërën nga këto shtete.

Ajo kishte thënë që janë të përqendruar shumë në 5 njohjet “pa dashur t’i injorojmë pjesën tjetër të botës, por 5 njohjet brenda BE janë tepër të rëndësishme për ne sepse në fund të fundit mund ta na paraqesin pengesa serioze në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane dhe atyre në NATO”.

Mungesa e njohjeve e pengon Kosovën që të lëvizë përpara. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e njeh ende Serbia dhe as Bosnje dhe Hercegovina.

Sa më shumë shtete e njohin shtetësinë e Kosovës, aq më shumë rritet siguria dhe fuqizimi i saj. Kosova nuk është as anëtare e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) e të tjera.

Deri më tani Kosovën e kanë njohur 117 vende, prirë nga Republika e Kosta Rikës më 17 shkurt 2008, deri te e fundit 1 shkurti 2021 nga Izraeli.

Edhe pse nuk ceku emra specifik, Gërvalla thotë që në këtë vit kanë punuar me të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, përveç me Kinën dhe Rusinë.

KALLXO.com javë më parë kishte pyetur MPJD-në së çfarë është ndërmarrë në këtë vit për të sjellë njohje të reja, por Ministria nuk kishte dhënë asnjë përgjigje.

Megjithatë, në buxhetin për vitin 2024, Qeveria e Kosovës nuk ka planifikuar ndarjen e mjeteve të reja për blerjen e objekteve për nevoja të ambasadave në vendet e jashtme, por vetëm ka bartë miliona nga buxhetit i vitit të kaluar.

Për blerjen e ambasadave është planifikuar të shpenzohen 10 milionë e 125 mijë euro, të gjitha këto mjete janë të bartura nga viti 2023.

3 miliardë e 314 milionë euro pritet të jetë buxheti për vitin e ardhshëm i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Tre vite pa asnjë njohje të re, janë një hendek për diplomacinë kosovare, e sidomos kur merret parasysh që ndërmjet viteve 2008 dhe 2014, Kosova siguronte mesatarisht rreth 12 njohje në vit.

Në gjysmë dekadën e fundit, Kosova ishte ballafaquar me fushatën e Serbisë për çnjohje të Pavarësisë së Kosovës. Ato që e kishin tërhequr njohjen ishin kryesisht vende të Afrikës, si Burundi, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana, Sierra Leone e të tjera, ani pse institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.

 

Politika e jashtme në gjumë, asnjë njohje e re për Kosovën