Kosova do të angazhojë kompani për lobim në ShBA

Shteti i Kosovës do të angazhojë kompani lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi në emisionin “Kallxo Përnime”. Sipas tij, tashmë janë selektuar disa kompani.

“Ne kemi marrë një sërë aplikimesh të kompanive të njohura lobuese të cilat pastaj i kemi selektuar, në një listë të shkurtër dhe tani jemi në proces të përzgjedhjes të dy apo tri sosh të cilat në mënyrë intensive do të merren me lobim brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Bislimi.

Sipas tij lobimi do të jetë edhe në vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ai tha se lobimi duhet të shkojë në tri drejtime.

Zëvendëskryeministri kosovar ka thënë se nga angazhimi i kompanive për lobim presin rezultate konkrete.

“Unë mendoj që në të kaluarën ka pasur shumë kompani të cilat nën ombrellën e lobimit i kanë ofruar shërbime Qeverisë së Kosovës, por kur i zbërthen ato, vetëm lobim nuk ka. Kompanitë e lobimit janë përdorur për të promovuar liderët”, tha ai.

4 shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan një dokument zotimesh në Shtëpinë e Bardhë ku u pajtuan që të pezullojnë lobimin për njohje të reja dhe për çnjohje.