Lirohen të Akuzuarit për Krime Lufte

Slobodan e Sreçko Martinoviq dhe Sveltlana Stojanoviq u liruan nga të gjitha akuzat.

Ata ngarkoheshin për krime lufte gjatë prillit të vitit 1999, kur në Kosovë po bëhej luftë në mes forcave të UÇK-së dhe ish-Ushtrisë së Republikës Federale Jugosllave, ndërsa edhe po ndodhnin bombardimet e NATO-s kundër kësaj ushtrie.

Pas shpalljes së aktgjykimit të dëmtuarit nuk ishin të kënaqur.

Selatin Beqiri tha se vendimi nuk ishte i drejtë.

Nuk kam mujtë vetëm fotografitë me me jau ofrua, se krejt dëshmitë ja kam ofruar prokurorisë dhe gjykatës. Kanë shku me një vendim të njëanshëm edhe pse ende nuk është i përfunduar ky vendim”, tha Beqiri.

Edhe Haqif Demolli, i dëmtuari tjetër nuk ishte i kënaqur me vendimin.

“Unë nuk jam i kënaqur me gjykatën hiq, sepse drejtësia nuk po funksionon”, tha Demolli.

I lumtur pas shpalljes së vendimit dukej avokati Miodrag Brklaq që mbronte Sllobodan Martinoviq.

“Unë gjatë tërë procedurës që nga fillimi i kësaj lënde kam qenë poltësisht i bindur se nuk ka prova në bazë të cilave këta persona mund të gjykohen dhe shpallen fajtor për vepën penale krime lufte”, tha Brklaq.

16:00

Vëllezërit Sllobodan e Sreçko Martinoviq dhe Svetllana Stojanoviq janë liruar nga akuzat për krime lufte të kryera në vitin 1999. Ata akuzoheshin për keqtrajtim të të dëmtuarve Selatin Beqiri e Haqif Demolli.

Vendimin e shpalli gjyqtari i EULEX-it Vladimir Mikula.

“Ky rast ka një histori të gjatë” tha ai, duke folur pastaj për arsyet e marrjes së aktgjykimit lirues.

“Gjykata e ka kryer punën e prokurorisë dhe policisë. Nuk e kanë bërë punën që është dashur ta bëjnë policia në vitin 2000, e ne e kemi bërë këtë në vitin 2014”, tha Mikula.

Në seancë nuk ishte prokurorja Merita Bina-Rugova që e rihapi këtë rast në prillin e këtij viti.

Edhe prokurorja gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare më 29 tetor fajësoi ish-Policinë e UNMIK-ut.

“Ky rast është shembull tipik prej të cilit më së miri shihet sesa pak kujdes dhe vëmendje u është kushtuar krimeve të luftës në Kosovë në vitet e para të pasluftës”, tha para një jave ajo.

Tre të akuzuarit edhe më parë ishin përballur me gjykatën për të njëjtën vepër penale, por ishin liruar në vitin 2011.

Lirimin e prisnin edhe sot avokatët e të akuzuarve, ndërsa të dëmtuarit besonin në një vendim të drejtë.

14:28
Të Dëmtuarit dhe të Akuzuarit Luten për Vendim të Drejtë

Rreth orës 15:00 pritet të shpallet vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës në rastin ku për krime lufte po akuzohen vëllezërit Sllobodan e Sreçko Martinoviq dhe Svetllana Stojanoviq. Të dëmtuarit dhe të akuzuarit presin vendim të drejtë.

Selatin Beqiri, njëri nga të dëmtuarit në këtë proces tha për KALLXO.com se pret që të ndëshkohen ata që e rrahën gjatë luftës.

“Qe 15 vjet jam duke shkuar nëpër seanca dhe sot besoj që vendimi do të jetë i drejtë dhe do të ndëshkohen ata që kanë bërë krime”, tha Selatin Beqiri.(Selatin Beqiri)

Edhe Haqif Demolli, gjithashtu i dëmtuar tha se ka vuajtur mjaft.

“Gjykata me vendosë në favorin tim,sepse kam pas vuajtje shumë, shumë të rënda, që edhe sot jam i emocionuar  ndaj të gjitha këtyre që po i thojnë”, tha Demolli.

Të kundërtën e tha Miodrag Brklaq, avokat i të akuzuarit Sllobodan Martinoviq.

“Vetëm aktgjykimi lirues kishte me qenë në përputhje me provat që janë shqyrtuar në këtë lëndë dhe këtë gjykim”, tha Brklaq.

Në seancë të mërkurën, Svetllana Stojanoviq, e akuzuara për rrahje të Selatin Beqirit gjatë luftës, tha se mbështetet te Zoti, pavarësisht vendimit të gjykatës.

“Zoti është dhe sheh, e po ashtu edhe trupi gjykues,unë i mbështetem Zotit, pa marrë parasysh vendimin”, tha Svetlana Stojanoviq.

Mbrojtësi i saj Zhivojin Jokanoviq shprehu bindjen se klientja e tij do të lirohet.

“Akuza nuk është vërtetuar dhe të akuzuarit duhet të lirohen nga akuza”, tha Jokanoviq.

Dejan Vasiq, mbrojtësi i Sreçko Martinoviqit tha se trupi gjykues duhet ta shqyrtojë lirimin e mëhershëm nga akuzat për krime lufte të këtyre tre të akuzuarve.

“Kërkoj nga trupi gjykues që vendimit të trupit gjykues të mëhershëm t’i bëhet një analizë me e thellë”, tha Vasiq.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte akuzuar Sllobodan e Sreçko Martinoviqin dhe Svetllana Stojanoviqin për krime lufte të kryera në vitin 1999. Ata janë liruar nga kjo akuzë në vitin 2011.

Rasti u rihap në prillin e këtij viti.

Pas dhënies së fjalës përfundimtare të palëve trupi gjykues u tërhoq për ta marrë vendimin.

Gjyqtari Vladimir Mikula tha se pret që vendimi te merret rreth orës 15:00.