Seanca gjyqësore ndaj zyrtarit të akuzuar të Komunës së Drenasit, Gëzim Shishani - FOTO: Era Hasani - KALLXO.com

Zyrtari i Komunës së Drenasit akuzohet se për 10 vite u pagua kundërligjshëm mbi 13 mijë euro

Gëzim Shishani, zyrtar në Komunën e Drenasit, i akuzuar nga Prokuroria për dy vepra penale: Përvetësim në detyrë dhe Keqpërdorim të detyrës zyrtare është ulur sot në bankën e të akuzuarit.

Pas leximit të aktakuzës, nga prokurorja Dulina Hamiti, i akuzuari Gëzim Shishani, u deklarua i pafajshëm.

“Unë nuk e ndiej veten fajtor për këtë aktakuzë, dhe si të tillë do ta kundërshtoj çdo pikë që më është ngarkuar nga aktakuza”, tha i akuzuari Shishani.

Kryetari i Trupit Gjykues, gjyqtari Avni Syla, e njoftoi të akuzuarin për të drejtën e tij të parashtrojë kërkesë për hudhje poshtë të aktakuzës, në afat 30 ditorë.

Prokuroria, pretendon se i akuzuari Shishani duke ushtruar detyrën prej zyrtari në Komunën e Drenasit ka kryer veprën penale Përvetësim në detyrë dhe Keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gëzim Shishani, në pozitën Udhëheqës i Personelit në Komunën e Drenasit, prej muajit nëntor të vitit 2008, në vazhdimësi deri në muajin korrik të vitit 2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe ka realizuar pagën me koeficientin e pagës 11.3, në vend që të realizonte pagën me koeficient 9.5.

Ai akuzohet se në këtë mënyrë vetes i ka sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, në shumë të përgjithshme prej 13,454.94€ me ç’rast i ka shkaktuar dëme Komunës së Drenasit me po atë shumë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Gëzim Shishani nuk e ka zbatuar vendimin e Kryetarit të Komunës së Drenasit të datës 19.06.2015, me të cilin vendim të pandehurit i është ndryshuar koeficienti i pagës nga 11.3 në koeficientin 9.5.

Sipas aktakuzës, Zyra e Personelit në Komunën e Drenasit, Udhëheqësi i Personelit Gëzim Shishani, obligohej për ekzekutimin e vendimit të kryetarit të Komunës së Drenasit, i datës 19.06.2015. Por sipas aktakuzës Shishani nuk e ka përfillur vendimin e kryetarit dhe kështu ai akuzohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 13,454.94.