Vrasja në lagjen ‘Tusuz’, i akuzuari kërkon marrëveshje për pranimin e fajësisë

Avokati Esat Gutaj gjatë së premtes ka paraqitur kërkesën për negocim për pranimin e fajësisë në rastin ku Haxhi Selmanaj akuzohet për vrasjen e Elmir Kryeziut.

Selmanaj sipas prokurorisë më 26 janar 2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren,  pas një mosmarrëveshje me Elmir Kryeziun të njëjtin me thikë e godet në afërsi të zemrës duke i shkaktuar vdekjen.

Të premten kërkesën për negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë e kanë parashtruar mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Esat Gutaj dhe Sylë Hoxha.

Ky propozim nuk u kundërshtua nga ana prokurorisë, ndërkaq, i dëmtuari Ferit Kryeziu, dhe avokati i tij Muhamet Shala ia lanë në vlerësim gjykatës.

Pas kësaj, nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha u aprovua propozimin i mbrojtësve.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua më 30 qershor 2022.

Selmanaj nga Gjykata e Prizrenit ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 20 vite burgim për vrasje ndërkaq për veprën armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 500 euro gjobë.

Mirëpo nga Gjykata e Apelit rasti është kthyer në rigjykim.

Sipas prokurorisë Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26 janar 2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Elmir Kryeziu, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Zeqir Kryeziu, vëllai i të ndjerit.

Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin, ku kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit dhe në një moment i akuzuari e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës Elmir Kryeziu.

Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje.

Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë “ngjyrë ushtarake”, i cili është sekuestruar nga ana e policisë.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.