Vlerësimi i dëshmitarëve në procesin e Salih Mustafës

Në procesin e zhvilluar kundër Salih Mustafës, Gjykata Speciale mori në pyetje dëshmitarë të shumtë, por disa prej tyre kjo gjykatë ua fali besimin.

Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burg nën akuzat për krime lufte.

Gjatë gjykimit, trupi gjykues dëgjoi 28 dëshmitarë – 13 të thirrur nga Prokurori i Specializuar dhe 15 të thirrur nga mbrojtja.

Trupi gjykues gjithashtu shqyrtoi deklarata me shkrim, prova shkresore dhe aktekspertiza.

Tetë viktima, përshirë këtu pjesëtarë të UÇK-së dhanë dëshmi nën masa mbrojtëse.

Rrëfimin e W04600, dëshmitar i mbrojtur, paneli e ka konsideruar përgjithësisht të besueshëm.

Në aktgjykim thuhet se dëshmitari W04600 ishte pjesëtar i UÇK-së i cili dëshmoi për organizimin e UÇK-së në kuadër të zonës operative të Llapit, marrëdhëniet ndërmjet [REDAKTUAR] dhe BIA-s, udhëheqjes së BIA-së dhe bazës së saj në Zllash.

Deklarimin e tij ky dëshmitar sipas panelit e ka bërë për ngjarjet të cilat i ka përjetuar personalisht.

“Trupi gjykues është veçanërisht i vëmendshëm ndaj faktit që dëshmitari pranoi drejtpërdrejt se ai – së bashku me ushtarët e UÇK-së [REDAKTUAR] – [REDAKTUAR], një fakt shumë inkriminues për të, për të cilin dëshmitari dukej se e dinte mirë”- thuhet në aktgjykim.

Dëshmi nën masa mbrojtëse dha edhe W04603, i cili ishte anëtar i UÇK-së gjatë gjithë kohës që lidhej me akuzat, [REDAKTUAR]. 196 [RIDAKTUAR].

Dëshmia e këtij dëshmitari ishte përqendruar kryesisht në këto ngjarje.

“Paneli e konsideron W04603 të besueshëm në përgjithësi. Dëshmitari në përgjithësi ishte i hapur dhe e pranoi [REDAKTUAR], një fakt shumë inkriminues për të. Ai shprehu pendim [REDAKTUAR]: “U ndjeva shumë keq. […] [REDAKTUAR]”, duke i dhënë më shumë besueshmëri dëshmisë së tij. Më e rëndësishmja, aspektet kryesore të rrëfimit të tij, duke përfshirë detajet [REDAKTUAR], vërtetohen me prova [REDAKTUAR], siç diskutohet në analizën e provave të Panelit”- sqarohet në vendim.

Edhe W04676, W04391, W04390 dhe W04674 dëshmuan para Panelit, nën masa mbrojtëse në Gjykatë.

Gjykata ka bërë të ditur se gjashtë dëshmitarët kanë ofruar dëshmi për rrethanat e vrasjes, arrestimi i viktimës (edhe pse në thelb dëshmi -thashetheme). Por ata sipas Panelit dhanë shumë detaje të rëndësishme (të tilla si emrat e vendndodhjeve dhe personave) dhe përshkrimet grafike.

“W03593 – ai ofroi dëshmi për arrestimin e tij nga ushtarët e UÇK-së, ndalimin e tij në ZDC dhe trajtimin që ai dhe të burgosurit e tjerë kanë pësuar gjatë kohës së paraburgimit”- përshkruhet në aktgjykim.

Në këtë proces Paneli ka dëgjuar 15 dëshmitarë të thirrur nga ana e mbrojtjes së Salih Mustafës.

Deklaratat e këtyre dëshmitarëve Gjykata i konsideroi si një mënyrë strategjike për të mbrojtur të akuzuarin me të cilin edhe kishin pasur raporte dhe kontakte gjatë kohës përkatëse.

Shumë prej dëshmive të dëshmitarëve paneli i konsideroi si faktorë që ndikojnë në besueshmërinë e dëshmitarit.

Paneli ka pranuar dëshmi nga Sejdi Veseli i cili në mënyrë kategorike ka mohuar ekzistimin e çfarëdo praktike të paraburgimit apo keqtrajtimit në Zllash, por që kjo sipas trupit gjykues është konfirmuar nga dëshmitarë e prova të tjera.

“Mohimi kategorik i z. Veseli për paraburgimet dhe keqtrajtimet në Zllash është kundërshtuar në mënyrë dërrmuese nga dëshmitë konfirmuese reciproke të shumëfishta të dëshmitarëve, me prova dokumentare, dhe nga vetë i akuzuari, i cili e pranoi ku njerëzit u ndaluan në bazën e BIA-s, ndoshta duke përfshirë civilë”- përshkruhet në aktgjykim.

Për dëshminë e deputetit të Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, Gjykata konfirmoi njëanshmërinë e tij kundër Dhomave të Specializuara, të cilën ai e kishte shprehur publikisht që në vitin 2021.

Paneli ka theksuar se Humolli po ashtu kishte shprehur publikisht mbështetjen e tij për të akuzuarin në rrjetet sociale, duke përfshirë një postim bërë një ditë pas arrestimit (25 shtator 2020).

“Z. Humolli theksoi se ai iu afrua familjes së të akuzuarit për t’u ofruar si dëshmitar për mbrojtjen. Paneli konsideron se shprehjet e forta publike të njëanshmërisë kundër procesit gjyqësor para Dhomës së Specializuar, shoqëruar me mbështetjen e dukshme dhe lidhjet personale me të akuzuarin – siç është konfirmuar në gjykatë nga z. Humolli – tregojnë një prirje të dëshmitarit për të ofruar prova përgjithësisht të favorshme për të akuzuarit dhe të pafavorshme për PSP-në”- citohet në vendim.

Tek dëshmitari Brahim Mehmetaj,  Jakup Ismaili e Hazir Borovci, paneli po ashtu dalloi lidhje të forta ndërmjet tyre dhe të akuzuarit, të cilat i kanë rrënjët në kohën e BIA-së dhe UÇK-së.

“Këta faktorë, sipas mendimit të Panelit, tregojnë një anë të mundshme koordinimi ndërmjet tyre për sa i përket informacionit që duhet t’i jepet SPO-së dhe një prirje për të ofruar prova përgjithësisht të favorshme për të akuzuarit dhe të pafavorshme për SPO-në. Paneli konsideron se këta faktorë ndikojnë në masë të madhe te besueshmëria e dëshmitarit”- përshkruhet në arsyetim.

Në bazë të provave, trupi gjykues gjithashtu shqyrtoi se dëshmitari Gani Sopi e konsideron Mustafën si “bashkëluftëtar i tij” dhe si mik, dhe që të dy kanë gjithashtu marrëdhënie familjare, pasi vajza e vëllait të Gani Sopi është gruaja e z. Mustafa.

Rrjedhimisht, në vlerësimin e panelit, kjo tregon gatishmërinë e Sopit dhe Borovcit, të përafrojnë provat e tyre me dëshmitarët e tjerë në mënyrë të dobishme për të akuzuarin.

Në deklarimin e Bislim Nrecit dhe Nazmi Verbovcit, Gjykata u shpreh se u ofruan prova në përgjithësi të favorshme për të akuzuarin dhe të pafavorshme për PSP-në.

Deklarata e Kapllan Paruzit dhe Nuredin Ibishit mes tjerash nga ky panel u konsiderua si e njëanshme.

“Paneli konsideron se z. Parduzi ka njëanshmëri të thellë kundër Specialistit Dhomat dhe SPO-ja, dhe se deklarata e tij për mbështetjen e të akuzuarit së bashku me hezitimin për t’iu përgjigjur pyetjeve të PSP-së (në krahasim me pyetjet e mbrojtjes) sinjalizon një prirje të dëshmitarit për të ofruar prova në përgjithësi e favorshme për të akuzuarin dhe e pafavorshme për PSP-në”- thuhet në aktgjykim.

Në vijim paneli konstatoi një qëllim të Musli Halimit për t’u distancuar nga i akuzuari dhe BIA, si dhe të mbrojë të akuzuarin duke mbajtur në fshehtësi ndonjë informacion për praninë dhe aktivitetet e BIA-s në Zllash.

Deklarimin e Salih Krasniqit Gjykata e konsideroi si hezitim për të qenë i afërt në provat e tij në lidhje me BIA-n dhe aktivitetet e BIA-s.

“Ç’është e rëndësishme, në vlerësimin e Panelit, dëshmitari i përket familjes Krasniqi që zotëronte pronën ku dyshohet se janë kryer krimet e akuzuara dhe supozohet se ka njohuri për ZDC-në dhe ndërtesat dhe funksionet e tij të ndryshme, që vjen nga koha e madhe e kaluar atje në të kaluarën dhe ende sot. Nga njëra anë, Paneli konsideron se z. Krasniqi tregoi një gjë të prekshme hezitimi për të qenë i afërt në provat e tij në lidhje me BIA-n, lidhur me BIA-n e tij aktivitetet dhe aktivitetet e BIA-s në kompleksin e familjes”- përshkruhet në vendim.

Për dëshminë e Muhamet Ajetit, paneli konsideron se ky dëshmitar zhvilloi lidhje jashtëzakonisht të ngushta me të akuzuarin, të rrënjosura vartës-epror bazuar në marrëdhëniet gjatë kohës së luftës.

“Lidhje të tilla qartazi vazhdojnë edhe sot ilustruar nga shkëmbimi i konsiderueshëm i mesazheve mes të dyve dhe fakti që ata e quajnë njëri-tjetrin “bir” dhe “baba”, që sinjalizon qartë një gatishmëri familjare”- thuhet mes tjerash në vendim.

Edhe ish-deputetja Teuta Hadri, e cila ka shërbyer si mjeke në UÇK, ka dëshmuar në procesin e Salih Mustafës. Paneli e konsideroi Hadrin në përgjithësi të besueshme, por një pjesë të madhe të provave sipas aktgjykimit janë në thelb të parëndësishme për akuzat, ose i mungon baza e duhur personale e njohurive për t’u përdorur në mënyrë të besueshme.

“Në dritën e të gjithave sa u tha më sipër, dëshmitë e dëshmitarëve janë shqyrtuar nga Paneli me kujdes ekstrem”- citohet në aktgjykim.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, në dhjetor të vitit 2022 është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Krimet për të cilat Mustafa u shpall fajtor ndodhën në prill 1999 në një kompleks në fshatin Zllash, në Kosovë,  i cili përdorej si bazë nga njësiti gueril BIA i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), komandant i të cilit ishte Mustafa.

Në përcaktimin e dënimit të Mustafës, Trupi Gjykues mori parasysh peshën  e krimeve dhe kontributin personal të tij në  krimet. Egërsia e veçantë e torturave, pozita eprore e Mustafës si dhe përfshirja e drejtpërdrejtë personale e tij në këtë krim u vlerësuan nga Trupi Gjykues si faktorë rëndues.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas Prokurorisë, ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.