Salih Mustafa-Seanca ne Apel DHSK
Vdes babai i Salih Mustafës, OVL-UÇK me kritika ndaj Speciales që s’ia lejoi vizitën
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL – UÇK) ka shpreh indinjatën për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, tashmë të vdekur.
OVL – UÇK ka thënë se babai i Salih Mustafës, Jahja Mustafa vdiq pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit.
Sipas kësaj, organizate ky vendim përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit
“Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor”- thuhet në reagimin e publikuar më 25.12.2025.
Sipas tyre, refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale.
“Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore. Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar”- thuhet tutje në reagim.
OVL – UÇK i ka shprehur ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën Jahja Mustafën.
Pak ditë më parë, OVL UÇK ka njoftuar për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili ndodhej në gjendje kritike shëndetësore.
Më 26.02.2025, Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, i njohur me nofkën Komandant Cali.
Dënimi me 15 vjet burgim për Calin ishte vendosur nga Gjykata e Apelit. Ai është dënuar për “krime lufte”.
Fillimisht “Cali” ishte dënuar me 22 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara, por më pas Apeli e kishte zbritur dënimin në 15 vjet dënim me burgim.
Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 – duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.
Sipas Aktakuzës, Salih Mustafa ishte Komandant i Njësitit gueril – BIA, i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12.06.2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28.09.2020.
Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.
Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Sipas Speciales, në këtë çështje janë tetë viktima pjesëmarrëse.
Në korrik të 2024-ës, Gjykata Speciale e ka dënuar edhe Pjetër Shalën me 18 vjet burgim për “krime lufte”.
Nën akuzat për “krime lufte”, në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor edhe ndaj të akuzuarve: ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veselit, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Rexhep Selimit dhe ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqit.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në vitet 1998-2000.