Vazhdohet paraburgimi për drejtuesit e KPM-së, Luan Latifin e Arben Bilallin

Gjykata e Prishtinës përmes një vendimi ka vazhduar masën e paraburgimit dy zyrtarëve të lartë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Luan Latifit dhe Arben Billalit iu është vazhduar masa e paraburgimit për 2 muaj për secilin veç e veç.

Ata po dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale-Marrja e ryshfetit.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, në çështjen penale kundër të pandehurve A.B. dhe L.L., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Marrja e ryshfetit nga neni 421 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, duke vepruar sipas kërkesës të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 22.07.2021, për vazhdimin e paraburgimit, në bazë të nenit 191 të KPPRK-së, jashtë seancës me datë 28.07.2021 ka marr vendim dhe iu ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje edhe prej 2 (dy) muajve për secilin veç e veç” thuhet në përgjigjen e Gjykatës për KALLXO.com.

Gjykata e Prishtinës më 1 korrik i kishte shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve dy zyrtarëve Latifi dhe Bilalli.

Arben Bilalli, drejtor i financave në Komisionin e Pavarur për Media del të jetë kapur në flagrancë.

Kështu të paktën thuhet në dosjen e prokurorisë së Prishtinës të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Sipas kësaj dosjeje Arben Bilalli së bashku me kryeshefin e KPM-së Luan Latifin ishin taktuar me tre pronarët e një biznesi privat dhe për të biseduar në lidhje me mosndëshkimin e tyre nga KPM-ja.

Dosja e prokurorisë përshkruan se pas këtij takimi, drejtori Bilalli i ka pranuar nga njëri prej bashkëpronarëve të biznesit shumën prej 8 mijë eurove të cilat ishin para të buxhetit të Policisë së Republikës së Kosovës.

Në dosje përshkruhet se pasi janë marrë këto para, Bilalli ka qenë në kontaktim të vazhdueshëm me kryeshefin Luan Latifi.

Pasi është ndaluar nga Policia e Kosovës, drejtorit të financave, i janë gjetur 8 mijë eurot e Policisë së Kosovës të cilat janë përdorur për simulim.