Tjetërsimi i pronës milionëshe të ish RTP-së, të dënuarit nga Gjykata e Ferizajt dalin para Apelit

Ish-gjykatësi Lekë Prenaj, Halim Kastrati, Shpëtim Pllana dhe Shkumbin Qehaja, dolën sot para Gjykates së Apelit lidhur me dënimin e Gjykatës së Ferizajit për akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

Ish – gjyqtari Lekë Prenaj dhe ish-kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës – Halim Kastrati u dënuan për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata e Ferizajit.

Kurse të akuzuarit Shpëtim Pllana, Shkumbin Qehaja si dhe Hailm Krastrati u dënuan për legalizim të përmbajtjes së rreme.

Ky rast ka të bëjë me tjetërsimin e pronës shoqërore në vlerë miliona euro në pronësi të ish Radio Televizionit të Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Hilmi Kastrati si person zyrtar, kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, në periudhën kohore 2015-2018, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Kastrati më 24 maj 2018 e ka përpiluar përgjigjen në padi me nr.C.Nr.3159/17 për Vërtetimin e të Drejtës së Pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në Lagjen Veternik, Zona Kadastrale në Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Hilmi Kastrati më 5 shtator 2018 e ka nënshkruar autorizimin me të cilin e ka autorizuar Shpëtim Pllanën, jurist nga Prishtina, që kontestin sipas padisë së lartcekur ta përfaqësoj N.Sh., Radio Televizionin e Prishtinës në Gjykatën e Prishtinës edhe pse i akuzuari Hilmi Kastrati e ka ditur se prona shoqërore e të paditurës N. Sh., Radio Televizionit të Prishtinës gjendet nën menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Tutje theksohet se i akuzuari Lekë Prenaj si person zyrtar, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm në Divizionin Civil, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat zyrtare.

Sipas Prokurorisë Prenaj ka marrë vendimin gjyqësor në lidhje me pronën shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore, Radio Televizioni i Prishtinës edhe pse i akuzuari Lekë Prenaj e ka ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, kurse për menaxhimin e këtyre pronave përgjegjëse është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari Prenaj  në shqyrtimin  gjyqësor të datës 10 prill 2019, sipas padisë të 22 nëntorit 2017 të ushtruar nga paditësi, Shkumbin Qehaja, ka nxjerrë Aktvendim gjyqësor me të cilin është miratuar pajtimi gjyqësor mes përfaqësuesve të palëve, avokatit Shefki Syla në emër të paditësit, Shkumbin Qehaja, dhe Shpëtim Pllana në emër të paditurës N.Sh., Radio Televizioni i Prishtinës, duke vërtetuar se pronari i ngastrës së lartcekur në Lagjen Veternik,  është paditësi, Shkumbin Qehaja edhe pse të gjithë të akuzuarit e kanë ditur se Qehaja nuk e ka të drejtën e pronësisë së asaj prone.

Sipas Prokurorisë deri te ndërrimi i titullarit të pronës ka ardhur pasi që i akuzuari Qehaja e ka përpiluar një autorizim (të cilin pastaj e ka nënshkruar edhe Hilmi Kastrati), me përmbajtje të pa vërtetë sipas të cilit Bordi i Drejtorëve të RTP-së, e ka autorizuar të akuzuarin Shpëtim Pllana që të lidhë pajtim gjyqësor me të cilin Shkumbin Qehaja do të bëhej pronar i ngastrës kadastrale e cila ka qenë në emër të RTP-së.

Seanca e së mërkurës (14.06.2023) u mbajt për shqyrtimin e ankesave të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve lidhur me vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Këto ankesa ata i shtjelluan para kolegjit shqyrtues me kryetar Xhevdet Abazin, antarin Beqir Kadrulla dhe gjyqtarin referues Hashim Çollaku.

I akuzuari Prenaj, me avokatin Besnik Berisha e kanw apeluar vendimin mbi të gjitha bazat ankimore.

Berisha në seancë e ka quajtur aktgjykimin e gjykatws së shkallës së parë “skandaloz”.

Kurse me ankesë i njëjti ka kërkuar që aktgjykimi i tillë të ndryshohet dhe i mbrojturi i tij Prenaj të lirohet.

Në të kundërt, ka kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim por që trupi gjykues të mos jetë me përbërje të njwjtë.

Tutje, avokati Visar Vehapi, i cili përfaqëson të akuzuarin Shkumbin Qehaja, ka bërë ankesë me bazë të njejtë  dhe ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat.

Në seancë Vehapi tha se “shkalla e pare nuk është marrë me akuzën, ajo e ka tejkaluar aktakuzën”.

Ndërsa i akuzuari Ilmi Kastrati me mbrojtës avokatin Ibrahim Maxhuni përmes ankesës kanë kërkuar ndryshimin ose anulimin e vendimit të shkallës së parë.

Po ashtu edhe i auzuari Shpëtim Pllana me mbrojtësin Ramiz Krasniqi e parashtruan ankesën ndaj vendimit me bazë të njwjtë.

“Me aktakuza dhe aktgjykime tw tilla tentohet tw disiplinohet gjykata”, u shpreh Krasniqi.

Ai kërkoi që Pllana të lirohet nga akuzat.

Ndërsa anëtari i kolegjit shqyrtues, gjyqtari referues Hashim Çollaku ka bërë të ditur se Prokuroria e Apelit ka kërkuar që të vërtetohet aktgjykimi i ankimuar e ankesat të hedhen poshtë.

Me aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajit, Prenaj është dënuar me gjashtë muaj burgim.

Hilmi Kastratin, për veprat që e rëndojnë e gjeti fajtor dhe i shqiptoi dënim unik prej 10 muajsh me burg.

Kurse për të akuzuarit, Shkumbin Qehaja e Shpëtim Pllana, ku mbi ta rëndonin akuzat për bashkëkryerje për legalizim të përmbajtjes së rreme, gjykata i gjeti fajtor dhe secilin veç e veç e dënoi me nga 6 muaj burg.

Tjetërsimi i pronës së ish-RTP-së, ish gjykatësi Lek Prenaj dhe të akuzuarit tjerë shpallen fajtorë nga Gjykata