Tjetërsimi i pronës së ish-RTP-së, ish gjykatësi Lek Prenaj dhe të akuzuarit tjerë shpallen fajtorë nga Gjykata

Ish gjykatësi Lek Prenaj është dënuar nga Gjykata në Ferizaj, pasi i njëjti u gjet fajtor për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, derisa është liruar nga pika tjetër e aktakuzës për legalizim të përmbajtjes së rreme. Ish-gjykatës në Gjykatën e Prishtinës, Prenaj është dënuar me gjashtë muaj burgim.

Gjykata i ka gjetur fajtorë edhe Hilmi Kastratin, ish-kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, Shkumbin Qehajën dhe Shpëtim Pllanën.

Hilmi Kastratin, për veprat që e rëndojnë e gjeti fajtor dhe i shqiptoi dënim unik prej 10 muajsh me burg.

Kurse për të akuzuarit, Shkumbin Qehaja e Shpëtim Pllana, ku mbi ta rëndonin akuzat për bashkëkryerje për legalizim të përmbajtjes së rreme, gjykata i gjeti fajtor dhe secilin veç e veç e dënoi me nga 6 muaj burg.

Ky rast ka të bëjë me tjetërsimin e pronës shoqërore në vlerë miliona euro në pronësi të ish Radio Televizionit të Prishtinës.

Të akuzuarit për tjetërsimin e pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës deklarohen për fajësinë

Kujtojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kishte marrë vendim me të cilin e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë Lekë Prenaj.

Sipas aktakuzës, Hilmi Kastrati si person zyrtar, kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, në periudhën kohore 2015-2018, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Kastrati më 24 maj 2018 e ka përpiluar përgjigjen në padi me nr.C.Nr.3159/17 për Vërtetimin e të Drejtës së Pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në Lagjen Veternik, Zona Kadastrale në Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Hilmi Kastrati më 5 shtator 2018 e ka nënshkruar autorizimin me të cilin e ka autorizuar Shpëtim Pllanën, jurist nga Prishtina, që kontestin sipas padisë së lartcekur ta përfaqësoj N.Sh., Radio Televizionin e Prishtinës në Gjykatën e Prishtinës edhe pse i akuzuari Hilmi Kastrati e ka ditur se prona shoqërore e të paditurës N. Sh., Radio Televizionit të Prishtinës gjendet nën menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Tutje theksohet se i akuzuari Lekë Prenaj si person zyrtar, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm në Divizionin Civil, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat zyrtare.

Sipas Prokurorisë Prenaj ka marrë vendimin gjyqësor në lidhje me pronën shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore, Radio Televizioni i Prishtinës edhe pse i akuzuari Lekë Prenaj e ka ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, kurse për menaxhimin e këtyre pronave përgjegjëse është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari Prenaj  në shqyrtimin  gjyqësor të datës 10 prill 2019, sipas padisë të 22 nëntorit 2017 të ushtruar nga paditësi, Shkumbin Qehaja, ka nxjerrë Aktvendim gjyqësor me të cilin është miratuar pajtimi gjyqësor mes përfaqësuesve të palëve, avokatit Shefki Syla në emër të paditësit, Shkumbin Qehaja, dhe Shpëtim Pllana në emër të paditurës N.Sh., Radio Televizioni i Prishtinës, duke vërtetuar se pronari i ngastrës së lartcekur në Lagjen Veternik,  është paditësi, Shkumbin Qehaja edhe pse të gjithë të akuzuarit e kanë ditur se Qehaja nuk e ka të drejtën e pronësisë së asaj prone.

Sipas Prokurorisë deri te ndërrimi i titullarit të pronës ka ardhur pasi që i akuzuari Qehaja e ka përpiluar një autorizim (të cilin pastaj e ka nënshkruar edhe Hilmi Kastrati), me përmbajtje të pa vërtetë sipas të cilit Bordi i Drejtorëve të RTP-së, e ka autorizuar të akuzuarin Shpëtim Pllana që të lidhë pajtim gjyqësor me të cilin Shkumbin Qehaja do të bëhej pronar i ngastrës kadastrale e cila ka qenë në emër të RTP-së.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK