Të arrestuarit nën dyshimet për krime lufte sillen në Gjykatë, Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgimin

Predrag Miljkoviq, mbrojtës i njërit nga të dyshuarit për krime lufte, ka folur para mediave në Pallatin e Drejtësisë, ku është duke u zhvilluar seanca.

“Dyshohet se ka kryer… është i përfshirë në krime lufte.. nuk kemi info ma shumë do ta marrim kërkesën e prokurorisë dhe do ta lexojmë” – tha avokati Miljkoviq.

Prokuroria Speciale e Kosovës dje ka njoftuar se janë arrestuar 3 persona të nacionalitetit serb me dyshimin për kryerje të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

“Prokuroria Speciale njofton se tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale ’Krimet e luftës kundër popullatës civile, veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët  të 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë..” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndaj tyre pritet të fillojë seanca për caktimin e paraburgimit, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.