I lë në tavolinë 10 euro policit në kufi, aktakuzë për ryshfet ndaj shtetasit të Shqipërisë

Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë së Prizrentit, ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë me inicialet M. M., i cili dyshohet se më 25 janar të këtij viti i ka ofruar zyrtarit policor kufitar shumën e parave prej 10 euro.

Rasti ka ndodhur në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë.

Dosja e prokurorisë thotë se i dyshuari duke e ditur se është në stop-listën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, afrohet tek kabina e zyrtarit policor të Kosovës, derisa ky i fundit ishte duke bërë kontrollimin e dokumenteve ia lë paratë në tavolinën e punës.

“I pandehuri M. M., më datë 25.01.2024, në ora 12:00 në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë, në mënyrë të drejtpërdrejtë për vete i ofron ose i jep ndonjë dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër personit zyrtar, në mënyrë që ky i fundit të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që duke e ditur se është në stop-listën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, afrohet tek kabina e zyrtarit policor të Kosovës, me ç’rast derisa ky i fundit ishte duke bërë kontrollimin e dokumenteve, i pandehuri ia vendos në tavolinën e tij të punës shumën e parave prej dhjetë euro (10 €)” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Prizrenit.

Ai është ndaluar menjëherë nga ana policisë kufitare të Republikës së Kosovës, dhe aktualisht gjendet nën masën e paraburgimit.

Prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës së Prizrenit mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor dhe pas administrimit të provave, të dyshuarin ta shpallë fajtor.