Gjykata e Prishtinës merr vendim për dy zyrtarët e saj të arrestuar për keqpërdorim të detyrës

Nga një muaj paraburgim për secilin, ka marrë vendim Gjykata e Prishtinës për dy zyrtarët e saj të arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Deli Halili dhe Ismajl Ismajli janë dy zyrtarët e gjykatës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e me kërkesë të prokurorisë e vendim të gjykatës të njejtëve u caktua masa e paraburgimit për 1 muaj.

Ata dyshohen se kanë shfrytëzuar pozitat e tyre duke i fshehur urdhëresat e gjykatës, të cilat kanë pasur për obligim t’i dorëzonin për ekzekutim të sanksioneve penale të shqiptuara.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe dy të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për secilin, masa e paraburgimit është caktuar në kuptim të nenit  184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 , pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së” – thuhet në njoftimin e gjykatës.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Alltën Murseli.

Cila është pozita e tyre zyrtare dhe për çka dyshohen?

I pandehuri Deli Halili në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional në Zyrën për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në Gjykatën e Prishtinës, dhe i pandehuri Ismajl Ismajli në cilësinë e referentit, po në këtë zyrë, dyshohen se kanë shfrytëzuar pozitat e tyre duke i fshehur urdhëresat e Gjykatës, të cilat kanë pasur për obligim t’i dorëzonin për ekzekutim të sanksioneve penale të shqiptuara.

Sipas Prokurorisë, mos-dorëzimi është bërë me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, ku i kanë mundësuar të dënuarëve t’i shmangen mbajtjes së dënimit, ose sanksioneve me gjobë që u janë shqiptuar.

Ata dyshohen se keqpërdorimin e pozitës zyrtare e kanë bërë në bashkëkryerje nga 4 prilli i vitit 2022 – deri më 26 janar të këtij viti.

Urdhëresat e gjykatës për sanksionet, ishin fshehur prej 9 lëndëve që kanë pasur për detyrë t’i dorëzonin.

Me këto veprime, Prokuroria thotë se i është shkaktuar dëm sistemit gjyqësor të vendit.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Halili në deklaratën e tij në fazë hetimore i ka pranuar veprimet inkriminuese, duke i paraqitur edhe veprimet inkriminuese të të pandehurit tjetër.

Provat të cilat prokuroria në këtë fazë i ka në dispozicion për zyrtarët në fjalë janë dosja e kallëzimit penal që përfshin deklaratën e të pandehurit, dosja e personit të dënuar Y. A., foto të vendit të ngjarjes dhe shkresa tjera.

Prokuroria kishte bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurit, ngase sipas këtij institucioni ekziston rreziku i pengimit të rrjedhës së procedurës, përsëritja e veprës penale, meqë në dosje thuhet se Prokuroria ka shenjëstruar disa persona brenda sistemit gjyqësor dhe jashtë tij që kanë ndërlidhje me këtë rast, dhe intervistimi i tyre thuhet se është i rëndësishëm të bëhet pa ndikim.

Tutje, në dosje thuhet se nuk janë identifikuar gjithë dëshmitarët e mundshëm që do ta sqarojnë gjendjen faktike dhe deklarimi i tyre është esencial.

Dy zyrtarët e Gjykatës së Prishtinës janë arrestuar ditën e hënë më 29 janar të këtij viti nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.

Prokurori i rastit në këtë fazë të procedurës paraprake është Halim Borovci.