Foto, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Specialja kërkon nga Policia e Kosovës të njoftojë nëse mund të garantojë për lirimin e përkohshëm të ish-krerëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë kërkuar Policisë së Kosovës që të sigurojë informacion lidhur me autorizimet dhe kapacitet e kësaj të fundit për të siguruar mbrojtjen e mundshme në liri për tre ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po mbahen në paraburgim.

Në njoftim thuhet se këto informacione Policia e Kosovës duhet t’i dorëzojë brenda afatit prej dy javësh.

Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake urdhëron policinë që të sigurojë informacionin lidhur me  autoritetin dhe aftësinë e policisë së Kosovës për të kufizuar lirinë e lëvizjes e individëve që janë subjekt i lirimit me kusht, të monitoroje dhe kufizojë komunikimin e këtyre individëve,  të bëjë administrimin e arrestit shtëpiak dhe zbatimin e kushteve lidhur me lirimin e përkohshëm, dhe rastet e mëhershme të zbatueshmerisë se kushteve lidhur me lirimin e përkohshëm ose ndalimin e personave të akuzuar për krime të rënda”, thuhet në urdhrin e gjyqtarit.

Ky vendim ka ardhur pasi që paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar vendimin e nxjerrë nga gjyqtari procedurës paraprake Nicolas Guillou, i cili ua kishte refuzuar lirimin e parakohshëm nga paraburgimi.

Vendimi i gjyqtarit Guillou u prish nga paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara pasi çështja u kthye në rivendosje.

Vendimi për kthimin e rivendosje të kërkesës për lirim të parakohshëm u nxor nga Paneli i gjyqtarëve të Apelit pasi vlerësuan se gjyqtari që e mori dënimin nuk dha arsye bindëse për të mos e urdhëruar Drejtorin e Policisë që të japë një përgjigje të detajuar për zbatimin e masave mbikëqyrëse të cilat i caktojnë dhomat e specializuara.

Ish-krerët e lartë të UÇK-së po vazhdojnë të mbahen në paraburgim pasi gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se akoma ekzistojnë rreziqet që të njëjtit t’i ikin gjykatës ose të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale.

Ata ishin arrestuar në nëntor të vitit të kaluar nën akuzat për krime të luftës pasi aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar.

Të gjitha akuzat që prokuroria pretendon se ishin kryer nga ata e tyre ishin hedhur poshtë nga katër krerët e UÇK-së.