Foto: Kallxo.com

Shtetasi i Maqedonisë së Veriut i ndaluar në Ferizaj ekstradohet në Zvicër

Sot në gjykatën e Ferizajt është mbajtur seanca për ekstradim të Gazi Selmanit për të cilin kishte urdhërarrest nderkombëtar nga Interpoli, si dhe kërkesë nga autoritetet e Zvicrës për ekstradim.

Gazi Selmani ishte dënuar nga gjykata kantonale në Luzern të Zvicrës më 18 tetor të vitit 2016 për veprat penale të dhunimit dhe posedimit të narkotikëve ndërsa urdhërarresti nga Interpoli ishte lëshuar në nëntor të vitit 2017.

Ai ishte kthyer të jetojë në Maqedoni dhe më 14 korrik të këtij viti është ndaluar nga autoritetet e Kosovës. Më pas ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit.

Në seancën e sotme, prokurori i Ferizajt, Veton Shabani, duke vepruar sipas urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet zvicerane, tha se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për ekstradim ndërsa ka paraqitur kërkesë për ekstradim para gjykatës së Ferizajt.

Sot në seancën dëgjimore pranë trupit gjykues me kryetar Ibrahim Idrizi dhe anëtarët Bashkim Hyseni dhe Mirlinda Rexhepi, i pandehuri Gazi Selmani i konsultuar me avokatin e tij Avni Ibrahimi pranoi që të ekstradohet në Zvicër për të vuajtur dënimin e shqiptuar nga gjykata kantonale e Luzernit prej 4 vjet e 5 muaj burgim.

Selmani tha se e ka vuajtur një pjesë të këtij dënimi

Gjykata morri vendim që të pranohet lejueshmeria e kërkesës për ekstradim të lehtësuar .

Derisa të kryhet procedura e ekstradimit, Selmani do të qëndrojë në paraburgim.